Ministra e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka paralajmëruar në një deklaratë për shtyp se vendi po kalon një situatë të vështirë energjetike për shkak të mungesës së reshjeve.
Për këtë arsye do të nevojitet më shumë import energjie, ndërkohë që do të ndërpritet ndriçimi në disa akse kombëtare.
“I kemi kërkuar ARRSH që të ndërpresë ndriçimit në akset kombëtare. Do përmend disa prej tyre, aksi Tiranë-Durrës, By Passi i Durrësit Plepa – Kavajë-Rrogozhinë, Qafë e Kasharit- Rinas, Lin-Pogradec, By Passi i Shkodrës, Korçë-Ersekë, Ura Kajdarit-Qafë Gjashtë. Gjithashtu do të këtë një ndërprerje edhe në akset kombëtare të ndriçuara në degëzim, si By Passi i Fierit, me hyrje daljet, Lezhë-Shëngjin me degëzimet dhe Shkodër-Hani i Hotit me degëzimet e tij. Nuk do të preken rrugët që cënojnë sigurinë rrugore, si rrethrrotullimi Rrogozhinë Lushnje, Shkodër-Hani i Hotit, Lezhë-Kakariq”, tha Balluku.
Balluku bëri thirrje për të kursyer energji.
“Do i drejtohemi importit. Në një situatë hidrike që pak a shumë është e tillë në të gjithë rajonin. Flasim për cikël të mbyllur, gazi dhe nafta janë me çmime të larta. Për këtë arsye do të na duhet të konsumojmë sa më pak energji, për të mos patur mungesë. E kemi përsëritur disa herë dhe ndoshta është argument që duhet ndarë. Qeveria ka vendosur qe te mbroje familjet dhe bizneset e vogla. Nuk do te këtë rritje çmimesh, por duhet të kuptojmë se duhet të kursejmë”.
Nivelet e liqeneve të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit kanë ardhur në rënie të vazhdueshme dhe më e ndjeshme ditëve të fundit kjo ka qenë në Fierzë. Të dhënat zyrtare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare tregojnë se prodhimi nga këto HEC-e po mbështet furnizimin me energji në vend çka ka sjellë këtë ulje ndërkohë që prurjet natyrale të ujit mbeten të ulëta. Kjo lidhet me faktin se temperaturat negative e bëjnë të pamundur shkrirjen e reshjeve të borës që kanë përfshirë zonat malore në vend.
Konkretisht sipas të dhënave të raportuara Hidrocentrali i Fierzës ka një nivel 261 metra, nga 297 metra që është niveli maksimal.
Aktualisht KESH është kompania publike që është ngarkuar plotësisht me furnizimin me energji të vendit në kushtet e emergjencës duke menaxhuar blerjen e tepricës që nuk sigurohet nga prodhimi vendas. Kjo emergjencë është parashikuar të zgjasë deri më 15 prill ndërkohë që KESH po kërkon aktualisht qiramarrjen e burimeve termike të prodhimit të energjisë si një formë e diversifikimit dhe rritjes së sigurisë së furnizimit.
Çmimet e larta të energjisë në bursa dhe situate jo e favorshme hidrike e vitit të shkuar ekspozuan vendin ndaj shpenzimeve të larta për import të cilat kapën nivele rekord mbi 285 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.