Bankat drejt inovacionin financiar, BSH mban konferencën

11/10/2019 1:37 PM 0 komente

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science – LSE), ka organizuar sot konferencën vjetore me temë “Një botë e re e guximshme? E ardhmja e bankingut në vendet evropiane në zhvillim: rikonceptimi i përmasës, strukturës, pronësisë, politikave dhe incentivave të tij”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh s “zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë së informacionit, i ka hapur rrugë inovacionit financiar dhe ka sfiduar modelet klasike të bankingut. Instrumentet e reja të pagesave e të kreditit, aktorët e rinj të tregut financiar dhe modelet e reja të biznesit, si bankingu dhe pagesat dixhitale apo elektronike, rritin shkallën e penetrimit të shërbimeve financiare. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ato sfidojnë jo vetëm aktorët klasikë të sektorit financiar, por dhe rregullatorët e këtij sistemi”.

Presidenti Meta u shpreh se “modeli tradicional i ndërmjetësimit financiar i bazuar në kanalizimin e mjeteve financiare në funksion të zhvillimit dhe rritjes ekonomike është mbështetur edhe nga përvoja shumëvjeçare e disa prej bankave të vendeve të Eurozonës. Bankat qendrore dhe autoritetet mbikëqyrëse po përballen me një mjedis sfidues për hartimin e politikave jo vetëm në vendet në zhvillim, por dhe në ekonomitë e vetë vendeve më të zhvilluara”.

 Duke u ndalur më gjatë në panoramën ekonomike shqiptare, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë ka punuar për përmirësimin e mëtejshëm të arkitekturës rregullatore të sistemit financiar në Shqipëri dhe për forcimin e rrjetave të sigurisë financiare, në bashkëpunim me agjenci të tjera publike dhe institucione ndërkombëtare. “Kemi adoptuar një kuadër modern të hartimit dhe zbatimit të politikës monetare, si dhe kemi ruajtur në mënyrë konsekuente një qëndrim stimulues të saj.” – u shpreh Guvernatori Sejko.

Në këtë kuadër, ekonomia shqiptare ka bërë progres të dukshëm drejt rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë, duke u karakterizuar nga përshpejtimi gradual i ritmeve të rritjes, nga zgjerimi i punësimit dhe rënia e papunësisë, si dhe nga shëndoshja e bilanceve të sektorit privat. Në veçanti, sektori bankar shfaqet likuid, i kapitalizuar dhe me tregues të mirë rentabiliteti.

Më tej, Guvernatori nënvizoi se ekonomia shqiptare ka premisa solide për vijimin dhe përshpejtimin e ritmeve të rritjes. Forcimi i stabilitetit financiar, paralelisht me ndjekjen e politikave të kujdesshme monetare, ofron një garanci shtesë për qëndrueshmërinë e saj.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko theksoi se ekonomia jonë duhet t’i kushtojë vëmendje të vazhdueshme inovacionit teknologjik dhe promovimit të shërbimeve financiare në segmente të ndryshme të shoqërisë; zhvillimit të segmenteve të tjera të tregut financiar, si tregu i kapitalit apo fondet e pensionit dhe të investimit. Ajo gjithashtu ka nevojë për një rritje të gjithanshme të shkallës së kulturës financiare si nxitëse në shëndoshjen e financave personale dhe të biznesit, si dhe reduktimin e rreziqeve financiare. 

Sesioni i parë i konferencës do të trajtojë luhatjet e vazhdueshme me të cilat po përballet industria bankare, si pasojë e elementeve të ristrukturimit të bankave, ndryshimeve teknologjike, zhvillimeve rregullatore dhe kontekstit të politikës monetare.

Gjatë sesionit të dytë, diskutimet do të fokusohen në mënyrën se si përballen bankat në rajonin e Evropës Juglindore dhe në veçanti në Shqipëri, me sfidat e reja që lindin si nga institucionet rregullatore ashtu edhe nga institucionet financiare jobanka. Në fokus do të jenë gjithashtu dhe sfidat e reja që këto tendenca paraqesin, jo vetëm në drejtim të rregullimit dhe mbikëqyrjes, por edhe në drejtim të zbatimit të politikave. 

Sesioni i tretë, paneli i Guvernatorëve do të trajtojnë të ardhmen e bankingut dhe shërbimeve financiare. Diskutimi do të përqendrohet në zgjedhjet e politikave dhe rregullatorëve, si dhe incentivat për të rigjeneruar ndërmjetësimin financiar në Shqipëri, në rajonin e Evropës Juglindore dhe më gjerë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of