Bankat rritën kërkesën për likuiditet nga BSH në muajt e parë të 2021

22/03/2021 2:00 PM 0 komente

Bankat kanë rritur kërkesën për likuiditet nga Bankës së Shqipërisë në muajt e parë të vitit 2021.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shkurt huaja për bankat tregtare arriti në 37.7 miliardë lekë, në rritje me dy miliardë lekë krahasuar me janarin dhe pesë miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2020.

Vlera e huasë është rreth 37% më e lartë krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar, periudhë që përkon me momentin menjëherë para prekjes së vendit nga pandemia e Covid-19. Huamarrja e bankave në Bankën e Shqipërisë zakonisht aplikohet nëpërmjet instrumentit të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes (REPO), ndërsa insturmentet e tjera, si për shembull kredia njëditore, kanë një përdorim më të rrallë.

Në muajin mars 2020, Banka e Shqipërisë uli normën e interesit të REPO-ve njëjavore në minimumin e ri historik prej 0.5%, si edhe ndryshoi formën e marrëveshjeve, nga ankand me shumë të fiksuar në ankand me çmim uniform. Ndryshimi i formës së ankandit u bë me qëllim për t’iu siguruar bankave akses të pakufizuar në likuiditet. Ky vendim u mor në vijim të shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive, çka supozohej se do të krijonte një nevojë më të lartë për likuiditet nga bankat tregtare, për shkak të shtyrjes së arkëtimeve. Banka e Shqipërisë llogariti se vetëm shtyrja e kësteve të kredisë solli një efekt prej rreth 220 milionë euro në likuiditetin e bankave.

Në fakt, pas muajit mars 2020, vlera e mbështetjes së sektorit bankar me likuiditet u rrit ndjeshëm dhe pika më e lartë u shënua në muajin korrik, kur portofoli i REPO-ve arriti vlerën e 42.7 miliardë lekëve, para se të pësonte një rënie të konsiderueshme në muajin dhjetor. Në janar dhe shkurt 2021, huamarrja nga BSH iu kthye sërish rritjes. Një faktor që mund të ketë ndikuar është edhe rritja e kërkesës për hua në tregun e brendshëm nga qeveria shqiptare krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2020. Zgjerimi i investimit të bankave në bono dhe obligacione mund të ketë krijuar më shumë nevoja të përkohshme për likuiditet, nevoja që janë plotësuar nëpërmjet REPO-ve.

Pavarësisht krizës dhe hapësirave të krijuara nga Banka e Shqipërisë, gjithsesi vlera e financimit të sektorit bankar me likuiditet nuk arriti nivelet më të larta të pesëvjeçarit të fundit, që u patën shënuar mes fundit të vitit 2017 dhe fillimit të vitit 2018.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që stimuli monetar në formën aktuale të injektimit të likuiditetit me çmim fiks dhe sasi të pakufizuara do të vazhdojë të paktën deri në mesin e vitit 2021. /E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of