Shqipëria nuk po arrin dot të shfrytëzojë kapacitetet e saj eksportuese. Për t’u ardhur në ndihmë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të bëhen të afta për të konkurruar në tregjet e huaja, veçanërisht në ato europiane, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim promovoi mundësitë e konsulencës. 15 konsulentë u certifikuan si konsulentë eksporti pas një trajnimi të realizuar nga Rrjeti i Konsulentëve Shqiptarë (ACN) të mbështetur nga BERZH. Fondi në dispozicion do të jetë 2 milionë euro.
Gjatë Forumit të Biznesit, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, theksoi se Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme përbëjnë shtyllën e ekonomisë shqiptare. Si rrjedhojë, mbështetja e SME-ve është thelbësore për të ndihmuar në ndërkombëtarizimin e tyre (hapjen në tregjet rajonale dhe të BE-së).
Ministrja Ekonomi vlerësoi rolin e BERZH për mbështetjen e SME-ve: “BERZH-i në Shqipëri është i një rëndësie të veçantë. Në kuadrin e zbatimit të strategjisë së BERZH-it 2016-2019, për Shqipërinë, krahas projekteve të rëndësishme në fushën e energjisë dhe infrastrukturës, një vëmendje e veçantë i kushtohet mbështetjes për rritjen e konkurrueshmërisë të sektorit privat, për ndërtimin dhe zhvillimin e shpirtit të sipërmarrjes”. Ajo shtoi se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në kuadër të hartimit dhe zbatimit të politikave për zhvillimin e sektorit privat, si objekt të punës së saj ka marrjen e masave legjislative dhe institucionale që çojnë në zhvillimin e mëtejshëm të kulturës së sipërmarrjes dhe krijimit të vendeve të reja të punës, për të zhvilluar një treg pune, kryesisht duke ndihmuar bizneset fillestare.
Në kuadër të projektit të financuar nga BE, nëpërmjet instrumentit IPA, po zbatohet projekti “Small Business Support in Albania” nga BERZH. Objektivi kryesor i projektit është forcimi i konkurrueshmërisë dhe produktivitetit të bizneseve të vogla e të mesme në Shqipëri, nëpërmjet disa objektivave specifike si: përmirësimi i performancës së SME-ve duke ofruar këshillim nga ekspertë ndërkombëtarë dhe konsulentë lokalë; transferimi i know-how tek SME-të përmes përhapjes së praktikave të mira dhe modeleve te suksesit; forcimi i cilësisë së shërbimeve të ofruara nga bizneset lokale.
Ndërkohë, janë gati 75 kompani që kanë përfituar nga kjo asistencë teknike dhe kanë mundësuar që të rrisin dhe të përmirësojnë procesin e punës, duke u bërë promotor të eksporteve. Vura re shifrat e kompanive që ju keni ndihmuar, 50% e këtyre kompanive e kanë dyfishuar eksportin e tyre. Edhe xhiroja e këtyre 75 kompanive është rritur me 28%. Ndërkohë që shtimi i proceseve të punës, përmirësimi i produktivitetit, shtimi i eksportit ka bërë të mundur që të gjenerohen vende të reja pune në këto kompani. Ky është një lajm shumë i mirë për mënyrën se si ndërmarrja shqiptare po përpiqet të shtojë aftësinë e saj për të menaxhuar brenda një cikël prodhimi dhe brenda një sektori të ekonomisë.
Nga ana tjetër, dua t’ju sjell në vëmendje që edhe projektet e qeverisë shqiptare të lidhura me AIDA-n bëjnë kujdes për ndërmarrjet shqiptare dhe i stimulojnë ato nëpërmjet disa fondeve siç janë: Fondi i Konkurrueshmërisë, Fondi i Inovacionit, Fondi për Start-up, fonde këto të cilat lejojnë gjithashtu që edhe grupet e caktuara, sidomos gratë, të jenë më proaktive në procesin e prodhimit dhe nëpërmjet këtyre i bën kompanitë, që kërkojnë mbështetje nga Fondi i Konkurrueshmërisë, të jenë më aktive në eksport.
Besoj se të dyja këto iniciativa, pikërisht për këtë pjesë të programit që ka të bëjë me rritjen e eksportit, shkon shumë mirë në linjë me atë që ka edhe AIDA, e cila vitin e kaluar shpenzoi rreth 88 milionë lekë për 99 kompani shqiptare”, tha ministrja Ekonomi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.