Kompanitë e ndërtimit, të cilat prej vitesh po vuajnë maturimin e sektorit, rënien e fuqisë blerëse dhe mungesën e kreditimit nga bankat, i shohin si front kryesor për mbijetesë fondet publike. Ndaj oferta e kryeministrit në këtë kohë ka marrë gati përmasat e një mrekullie.
Arben Dervishi nga Shoqata e Ndërtuesve, mendon se propozimi i kryeministrit do të zhbllokojë ekonominë në disa drejtime.
Së pari, vendi do të plotësojë nevojat emergjente për infrastrukturë. Disa projekte rrugësh në të cilat ka vite që punohet, do të përfundojnë. Ai tha se ky plan do të nxisë qarkullimin në ekonomi, pasi bankat do të nxiten të kreditojnë kompanitë e mëdha që janë pjesë e zbatimit të këtij plani. Duke qenë se porositësi i këtyre investimeve është qeveria, bankat do të jenë më të sigurta në ofertën e tyre të kredisë.
Angazhimi i bankave dhe bizneseve në projekte të mëdha të infrastrukturës si rrugë, shkolla dhe spitale do të nxisë sektorët të tjerë të ekonomisë të lidhura me to dhe do t’i japë një hov punësimit dhe rritjes ekonomike, – pohon Dervishi. Ai pohoi se qeveria ka gjetur një mjet efikas për të kryer investimet e mëdha në kushtet kur mundësia për të rritur borxhin është konsumuar. Dervishi pohoi se platforma për investimin e 1 miliard eurove do të duhet të synojë një transparencë të madhe me një plan konkret veprimi me qëllim që përdorimi i kësaj shume të shkojë në destinacion.
Skema e financimit të rrugëve me PPP
Sipas skemës që ka zbardhur ministri i Financave, Arben Ahmetaj, njoftohet se sipërmarrësit që do të bëhen pjesë e realizimit të këtyre investimeve, duhet të financojnë 20% të vlerës së projektit nga kapitalet e veta.
Ministria ka shpjeguar se buxheti i shtetit do të nisë të shlyejë investitorët, vetëm pasi të jetë bërë 50% e investimit, por këto hollësi do të jenë të sqaruara në kontratat individuale që do të lidhen për secilin nga projektet.
Nga ana tjetër, qeveria synon të shlyejë kompanitë gjatë një periudhe 10-15-vjeçare.
Kostot e përgatitjes së studimit të fizibilitetit në fazën e parë dhe të projektit në fazën e dytë, përballohen nga sipërmarrja por, qeveria e shkëmben projektin me ofrimin e bonusit prej 10 pikë përqindje, siç është përcaktuar në ligjin e koncesioneve.
Ministria e Financave ka shpjeguar se prokurimet nga fondi “One Billion” do të bëhen me një afat 1-2 vjet dhe duhet të ketë disponueshmëri të fondeve për t’u hapur prokurimi publik.
Ahmetaj ka shpjeguar se buxheti i shtetit, në varësi të modelit që do të përdoret për çdo kontratë specifike, garanton në vazhdimësi, në buxhetin e çdo viti, të gjitha detyrimet që do të merren në bazë të kontratës që do të nënshkruhet. Ministri Ahmetaj ka dhënë garanci se paketa nuk e rrezikon stabilitetin fiskal. Ai kujtoi se ligji i ri organik i buxhetit thotë se sa u takon projekteve të Partneritetit Publik-Privat, ofrohet një masë jo më shumë se 5% e të ardhurave tatimore vjetore. Ministri Ahmetaj ka garantuar se, për realizimin e të gjithë këtij procesi dhe kësaj përfshirjeje masive të sipërmarrjes dhe të kapitalit privat në mbështetje të këtij programi kombëtar për infrastrukturën publike, qytetarët nuk do të paguajnë asgjë ekstra, borxhi publik nuk do të rritet dhe mbulimi buxhetor i programit është i garantuar
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.