Pas ankesave të sipërmarrësve vendas e të huaj, shoqatat e biznesit vihen në lëvizje dhe pritet të dalin me deklarata të forta këtë javë, për frymën armiqësore që po tregohet në emër të aksionit antiinformalitet. Rritja e tejskajshme e gjobave në ndryshimet për procedurat konsiderohet e frikshme nga sipërmarrësit dhe ekspertët, teksa bizneset tremben se ajo do të shtojë abuzimet nga tatimorët
Të frikshme, drastike, shkatërruese, të paimagjinueshme, shtypëse, diktatoriale, prishje e balancave të një vendi e deri te falimente me pasoja të rënda sociale afatshkurtër dhe ekonomike në afatin e mesëm, që mund të dëmtonin zhvillimin e vendit. Si asnjëherë tjetër, përfaqësues të institucioneve të biznesit dhe ekspertë janë shprehur tepër të ashpër në opinionet që kanë dhënë për “Monitor” lidhur me formën dhe mënyrën se si qeveria po zhvillon aksionin antiinformalitet, duke i quajtur qartazi veprimet e qeverisë si “jo të zgjuara”. Ndërsa janë të gjithë absolutisht dakord që informaliteti duhet luftuar, nuk pajtohen me mënyrën represive që po ndiqet dhe sidomos me ashpërsimin e gjobave, që shkojnë deri në 10 milionë lekë, për bizneset e mëdha që nuk dokumentojnë mallin.
“Këto masa cenojnë rëndë reagimin qytetar, që sipërmarrja private në tërësinë e saj pati në mbështetje të iniciativës së qeverisë për formalizimin e ekonomisë, thotë Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë së Tiranës. “Në asnjë rast, një mazhorancë e zgjuar dhe që vlerëson partneritetin dhe dialogun me sipërmarrjen private nuk mund të propozojë masa drastike duke shumëfishuar penalitetet, në një proces ku fillimi duket i mbarë, madje në rastin konkret jashtë çdo lloj parashikimi dhe perceptimi të çdonjërit prej nesh”, shton ai.
Për Gjergj Buxhukun e Konfindustrias, “çdo tejkalim i ndëshkimit fiskal është i dëmshëm, sepse goditjet mund të jenë shkatërruese për bizneset, pa i dhënë mundësi të dytë”.
Zenel Hoxha, President dhe CEO, Dhoma Shqiptaro–Britanike e Tregtisë dhe Industrisë është më i ashpër, kur thotë se në ndryshimet e miratuara në ligjin e procedurave tatimore, është fakti i ashpërsimit në mënyrë realisht të “frikshme” për të gjithë subjektet.
Për prof. dr. Sotiraq Dhamo, përgjegjës i Departamentit të Kontabilitetit, Fakulteti i Ekonomisë, për një shkelje (siç është malli pa dokument) biznesi përballet me pesë penalitete: siç është gjoba në masën 10 milionë lekë, sekuestrimi, TVSH-ja, rivlerësimi i të ardhurave dhe ndjekja penale. “Kjo është një gjë e paimagjinueshme që nuk ndodh në asnjë vend tjetër, ndaj duhet të qartësohet sa më shpejt”.
Për Hajredin Fratarin e Konfindustrias, gjobat katastrofike në ligjin e ri të procedurës tatimore do të shndërrohen në një bumerang jo vetëm për ekonominë, por edhe për qëllimin afatshkurtër të qeverisë për më shumë të ardhura.
Dhoma Amerikane dhe FIAA, priten qëndrime të forta këtë javë
Pas disa javëve të përqendrimit te bizneset e vogla, “paniku” ka kapur së fundmi dhe bizneset e mëdha. Disa prej tyre janë bënë subjekt i gjobave milionëshe, apo rivlerësimeve të larta tatimore, që kanë nxituar t’i ankimojnë në Gjykatën Administrative. Bankers Petroleum mësohet se ka marrë të drejtë nga Gjykata Administrative, pasi ishte ankuar për një rivlerësim tatimor nga ana e Drejtorisë së Tatimeve. Biznese të tjera janë në proces.
Fryma është e rënduar dhe sipërmarrjet e mëdha, si vendase dhe të huaja, kanë “nxituar” të ankohen te shoqatat që i përfaqësojnë ato, duke kërkuar mbajtjen e qëndrimeve të ashpra.
Dhoma Amerikane pritet të dalë deri nga mesi i kësaj jave me një deklaratë, ku mësohet se thelbi i saj do të jetë se Dhoma është pro formalizimit të ekonomisë, por amendimet e fundit të ligjit për procedurat janë abuzive, mund të shërbejnë si mjet presioni dhe mund të bëhen motiv për korrupsion, ndërsa gjobat janë të paarsyeshme. Dhoma është e shqetësuar gjithashtu për faktin që këto ndryshime kaluan pa asnjë lloj diskutimi me biznesin, ndërsa në ndryshimet legjislative nuk janë parashikuar masa ndëshkuese për tatimorët. Anëtarët e Dhomës janë ankuar që situata është bërë problematike dhe ka pasur abuzime me gjoba.
Kjo situatë vlerësohet se po fut ekonominë në ngërç dhe panik, po frenon investimin dhe konsumin dhe po krijon një klimë negative për biznesin.
Edhe Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) do të prezantojë më 7 tetor gjetjet e vëzhgimit për indeksin e biznesit 2015, i cili rezulton negative (-3, në një rend nga -100 në +100). Ndërsa vëzhgimi është kryer në maj të këtij viti, disa grafikë të përditësuar pritet të tregojnë se situata është përkeqësuar javët e fundit. Ndonëse investitorët e huaj janë shprehur gjithnjë se informaliteti është një nga pengesat kryesore për të bërë biznes, sërish ata janë të pakënaqur me mënyrën si po luftohet ai.
Një prej anëtare të FIAA, Beralb, ka mbyllur aktivitetin javët e fundit, duke cituar si arsye edhe moskthimin nga doganat të një vlere prej më shumë se 2 milionë dollarësh, që kompania kishte paguar tepër. Bankers Petroleum, sipërmarrja më e madhe në vend nga xhiro, është në konflikt të hapur me tatimet, të cilat pas një rivlerësimi tatimor i kanë kërkuar kompanisë të paguajë 57 milionë euro tatime.
A do të frenohet më tej kredia?!
Huaja për ekonominë është futur në një ngërç gjatë vitit 2015, duke reflektuar kërkesën e dobët për investime në ekonomi dhe kujdesin e shtuar të bankave në kredidhënie, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Në gusht, huaja për ekonominë shënoi sërish rënie, në raport me korrikun, duke shënuar të tretin muaj radhazi me ecuri negative. Në tetë muajt e këtij viti, huaja për ekonominë është rritur vetëm në mars dhe në maj.
Në gusht, stoku i kredisë për ekonominë zbriti në 550.2 miliardë lekë, duke reflektuar më së shumti rënien e huas në valutë për korporatat private jofinanciare. Në raport me dhjetorin 2014, huaja ka rënë me 1.7%.
Me bazë vjetore (gusht 2015/gusht 2014) reduktimi është me 1.2%.
Bankierët pohojnë se arsyeja kryesore që ata nuk po japin hua është mungesa e projekteve të mira për investime nga biznesi. Nga ana tjetër, edhe bankat kanë shtuar ndjeshëm kujdesin në kredidhënie, pasi huat e pakthyera në afat vazhdojnë të jenë mbi 21%.
Bankat janë përfshirë në një proces pastrimi bilancesh nga huat pa shpresë arkëtimi, që ka ndikuar në reduktimin e stokut të huas.
Megjithatë dhe huaja e re në gusht ishte 7.3% më e ulët në raport me korrikun. Bankat ulën ndjeshëm kredinë deri në një vit, (nga 3.7 në 1.2 miliardë lekë), që përdoret nga biznesi për mbulimin e nevojave afatshkurtër.
Bankierët janë të shqetësuar se situata aktuale mund ta përkeqësojë më tej situatën. Një shkresë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP) që u është nisur së fundmi të gjitha bankave tregtare në vend, u rikujton dhe i “paralajmëron” se në rast se nuk raportojnë rastet kur konstatojnë se subjektet tregtare kanë bilance të dyfishta, oficeri i bankës mban përgjegjësi penale. Kjo pritet të stepë oficerët e kredive në dhënien e huave të reja.
Në kahun tjetër, masat e forta ndaj bizneseve, apo dhe sekuestrimet për mallrat pa faturë pas 31 dhjetorit, pritet që të stepin aktivitetin e tyre, duke rritur probabilitetin për moskthimin e huave dhe shtim të mëtejshëm të kredive të këqija, që dhe aktualisht është shumë i lartë, mbi 20%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.