Çmimet e produkteve bujqësore po rriten me shpejtësi kryesisht për shkak të problematikës që po kalon prodhimi vendas, por edhe rritjes së çmimeve të produkteve të importit.
INSTAT raportoi se indeksi i çmimeve bujqësore shënoi rritje vjetore me 11,1% në vitin 2022, por rritjen më të lartë e kishte qumështi i lopës me 30 për qind dhe drithërat me 37%. Çmimet e prodhimeve blegtorale në përgjithësi në vitin 2022 ishin 22% më të larta se në vitin 2021.
Nga produktet bujqësore pas drithërave, rritje më të lartë e kishin bimët foragjere me 18%, bimët industriale me 16.7%, patatet me 16.3%, ndërkohë që prodhimet e ullirit si vaji dhe fruti shënuan rënie vjetore të çmimeve respektivisht me 6 dhe 2.2%.
Nga ana tjetër të gjitha produktet blegtorale shënuan rritje me ritme dyshifrore. Çmimet e mishit u rriten me 16%, ku mishi i të imtave shënoi rritjen më të madhe me 22%.
Gjithashtu çmimet e qumështit në të gjitha kategoritë pësuan rritja me nga 20-30%. Çmimi i vezëve gjithashtu shënoi rritje me 26% si rrjedhojë e dëmeve që krijoi gripi i pulave në pularitë më të mëdha të vendit.
INSTAT raportoi se indekset e çmimeve të prodhimeve bujqësore llogariten bazuar në standardet dhe rregullat e përshkuara në Manualin e Çmimeve të Produkteve Bujqësore të Eurostat.
Çmimet mblidhen nga Anketa Mujore për Produktet Bujqësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Mbledhja e të dhënave kryhet pranë fermave, tregjeve të gjësë së gjallë, tregjeve të shumicës dhe vende të tjera ku prodhimet bujqësore mund të grumbullohen.
Informacioni merret vetëm për çmimet në nivel ferme për produktet vendase. duke përjashtuar taksat. Ato janë llogaritur në Lek. kurse njësitë matëse janë në: kg. litër dhe copë sipas produktit.
Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të produkteve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale.
Sektori i bujqësisë sidomos blegtoria është duke kaluar një periudhe të vështirë, pasi numri i krerëve ka pësuar rënie të shpejtë si rrjedhojë e rritjes së kostove në fermat e vogla dhe reduktimin e popullsisë në zonat rurale të vendit.
Në vitin 2022 numri i bagëtive në të gjithë vendin shënoi rënie me mbi 8% ndërsa për një dekadë numri i krerëve gati është përgjysmuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Arseja kryesore e rritjes ne vazhdimesi ( do te vazhdoje edhe ne te ardhmen ) te çmimeve te produkteve baze te blegtorise ne veçanti , eshte se plotesimi i nevojave te tregut te brendshem prej disa vjetesh bazohet ne masen me te madhe ne politika importuese te lendes se pare , mjaft qe tregu te jete i mbushur e pavaresisht luhatjes intensive te çmimeve ne qumesht , mish , veze , etj ….??!!
E keto politika automatikisht kane mundesuar renien drastike te numrit te krereve ne blegtori , kryesisht ne fermat e vogla e te mesme ….???!!!