Ky është viti më i vështirë sa i përket rritjes ekonomike, ndërsa viti i ardhshëm është një sfidë e vërtetë, pasi askush nuk mund të parashikojë efektet përfundimtare të pandemisë, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj në Konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë, “Covid 19-Impakti në Ekonomi dhe Politikat e Bankës Qëndrore”, në bashkëpunim me LSE ( London School of Economy).
Denaj shtoi se qeveria shqiptare ka shtuar përpjekjet për të mbështetur rritjen ekonomike.
“Si qeveri, ne mbetemi të përkushtuar për t’u rikthyer në konsolidimin e qartë fiskal në planin afatmesëm sapo efektet e kësaj goditjeje të rëndë të zhduken. Ne parashikojmë që të kthehemi në një balancë primare pozitive, që nga viti 2022, por me siguri që në 2023 e në vazhdim dhe në një borxh publik të ulur gradualisht, duke arritur në 68.5% deri në 2025.
Pa rrezikuar ndonjë nga parametrat kryesorë të qëndrueshmërisë së financave publike dhe plotësisht në përputhshmëri me rregullat tonë fiskale në buxhetin e vitit të ardhshëm ne jemi duke planifikuar që të mbështesim shpenzimet e nevojshme në dy sektorë kryesor:
Në dy sektorë të lidhura me kapitalin njerëzor: shëndetësi dhe arsimi
Mbështetje për sektorin e infrastrukturës përfshirë përpjekjet për rindërtimin, duke mos lënë askënd vetëm.
Investimet në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturë janë thelbi i planit tonë për rimëkëmbjen. Sipas një raporti të fundit të publikuar nga FMN-ja, për çdo investim prej 1% në infrastrukturë, ne do të marrim 2% rritje në periudhën afatmesme.
Jemi të gatshëm të investojmë, në mënyrë që dhe biznesi të përfitojë dhe të zhvillohen tregjet financiare.
Shqipëria po punon mbi strategjinë e saj të re 7-vjecare mbi “Strategjinë e Zhvillimit të Bizneseve dhe Investimeve” dhe ne jemi duke u përpjekur në rrugëtimin tonë duke shkuar drejt një tregu financiar funksional”.
Ministrja shtoi se deri më tani pandemi nuk ka shenja të mangësive të mëdha, ndryshe nga çfarë ishte parashikuar.
“Gjithësisë, në kuadër të qëndrueshmërisë së shtyllave kryesore ekonomike, nuk ka shenja të mangësive të mëdha, ndryshe nga sa ishte parashikuar relativisht të ndodhte fillimisht.
-PBB-ja u tkurr me 10.2% në tremujorin e dytë dhe -6.6% në gjysmën e parë të vitit 2020 krahasuar me periudhat përkatëse të vitit të kaluar. Ne parashikojmë një tkurrje të ekonomisë me 6.1% në fund të vitit. Në rast se situata me pandeminë nuk do të përkeqësohet në vijim, projeksionet e vitit të ardhshëm do të jetë 5.5% në rritje.
– Shkalla e papunësisë arriti në 12.5% në tremujorin e dytë, krahas 11.6% në fund të vitit 2019, ndërsa vetë punësimi u tkurr me rreth 4% krahasuar me fundin e vitit 2019. Parashikojmë një rritje të papunësisë në 13.9% në fund të këtij viti, duke zbritur në 12.2% në fund të vitit tjetër”.
Ministrja Denaj vlerësoi bashkëpunimin dhe angazhimin e BSH-së gjatë pandemisë dhe theksoi se Covid-19 ka sfiduar qeverisjen dhe teoritë ekonomike brenda një kohe shumë të shkurtër.
Ministrja informoi pjesëmarrësit në këtë konferencë mbi masat e marra për të mbështetur likuditetin e bizneseve, veçanërisht nëpërmjet skemave të reja të garancisë së shtetit në shumën gjithsej prej 250 milion dollarë. Zbatimi i këtyre garancive ishte diçka e re, ashtu sikundër vlerësimi mbi ndikimin e gjerë që kanë në momente krize si këto.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.