Nga Prof. Dr. Klodiana Gorica*
Për miliona njerëz në mbarë botën, turizmi është shumë herë më tepër se sa thjesht një aktivitet për të kaluar kohën e lirë. Të gjithë njerëzit e përfshirë në turizëm, përpos të tjerave, përpjekjet e tyre i kanë drejtuar në mundësinë që i jep kjo industri, përtej thjesht një page, në dinjitetin dhe barazinë, në ndryshimin e mënyrës së të jetuarit dhe vlerësuarit e asaj çka kemi trashëguar dhe jetojmë. Turizmi fuqizon shoqëritë, ekonomitë dhe kombet, njerëzit që punojnë dhe përfshihen në të. Kaq pak mjafton për të kuptuar se sa shumë rrezikon dëmtimi i industrisë së turizmit për të gjithë vendet ku turizmi përbën një pjesë të rëndësishme të GDP.
Nëse ka diçka që na ka mësuar të gjithëve kriza e COVID-19, është se destinacionet duhet të vendosin qëndrueshmërinë në qendër të çdo lloj axhende të së ardhmes, me qëllim që çdo e ardhur nga turizmi të jetë më e qëndrueshme dhe e mirëshpërndarë te komunitetet më të vogla. Midis dhe brenda çdo sektori apo pjese të zinxhirit të vlerës në turizëm ka ndikime negative dhe risk për të ardhmen, por qeveritë, investitorët, ofruesit e turizmit dhe të gjithë aktorët e tjerë, sikurse dhe komunitetet duhet të shohin “shansin/mundësinë” që ky moment mund t’u paraqesë për të ridimensionuar mënyrën e zhvillimit dhe biznesit, të ofrimit të shërbimeve dhe produkteve, të jetesës, të bërit turizëm dhe stilit të të udhëtuarit. Përpjekjet e bizneseve dhe qeverisë shqiptare duhet të jenë të tilla që të përdorin krizën si një mundësi për ta kthyer turizmin shqiptar drejt një rruge të qëndrueshme zhvillimi.
Janë shumë faktorë që e bëjnë industrinë e turizmit në botë, por edhe në vendin tonë, relativisht mjaft të ndjeshme:
- Industria turistike është mjaft heterogjene, minimalisht akomodimi dhe transporti janë dy shtyllat kryesore të ofertës turistike, përpos sektorëve të tjerë si bujqësia dhe blegtoria. Ndikon dhe ndikohet nga shumë sektorë të tjerë, rrjedhimisht përfitimet që i sjell shoqërisë dhe ekonomisë janë shumë herë më të mëdha se industritë e tjera.
- Karakteri sezonal, nevoja për trajnime e edukim të vazhduar në aftësi dhe kapacitete për njerëzit e përfshirë në këtë industri, veçanërisht ata në kontakt direkt me turistët rrisin kostot e ofertës turistike;
- Ndryshimet e herëpashershme të mënyrës së të udhëtuarit, të modës së produkteve më të preferuara, pra të kërkesës turistike nuk pasojnë po me kaq fleksibilitet adaptimet në ofertën e turizmit, e cila kjo është jo elastike, dhe kryesisht kërkon investime të mëdha.
Zhvillimi i turizmit në vendin tonë është çështje politikash. Investimet dhe strukturat në turizëm janë sipërmarrje private, po kështu baret, restorantet, dhe pothuajse të gjitha njësitë që ofrojnë pjesë të një produkti/pakete janë private, që do të thotë se ajo çka mund të bëjë shteti shqiptar në turizëm është mjaft e rëndësishme dhe shpeshherë lidhet me mbështetjen e ekzistencës së këtij sektori. Kështu, ajo çka shteti mund të bëjë lidhet direkt me:
- Bërjen e politikave, strategjive, ligjeve dhe planeve të tilla që të mbështesin dhe orientojnë turizmin vendas. Në një fazë të dytë, mund të ketë mbështetje masive për ato njësi akomoduese apo operatorë turistikë që ofrojnë paketa sociale për shtresat në nevojë (pensionistë, nxënës dhe student, gra, etj.);
- Të mbështesin dhe inkurajojnë investitorët vendas që të vijojnë të investojnë në turizëm, duke e kthyer këtë sektor në atraktiv, por bazuar në një politikë që udhëzon kapacitetet, protokollet dhe standardin e ri të funksionimit dhe ofrimit të shërbimeve turistike.
Po si mund ta nxisë shteti rritjen e pranisë së investimeve shqiptare në turizmin vendas:
- Nivelet publike qendrore në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare të njohura në orientim të modeleve të zhvillimit të turizmit, me sipërmarrjet turistike, si dhe me nivelet akademike, duhet t’i paraprijnë nxitjes së investitorëve shqiptarë në sektorin e turizmit me modele tashmë të studiuara dhe aprovuara. Në këtë mënyrë, orientimi i nxitjes së investimeve do të rrisë praninë e kapitalit shqiptar në turizëm. Pra shteti përcakton dhe orienton modelin e ofrimit të produktit turistik dhe mbështet me studime investitorin privat drejt këtij modeli, duke rritur praninë e tij dhe duke ulur për rrezikun e modeleve të pastudiuara;
- Një politikë nxitëse është edhe përjashtimi nga taksa apo një tatim i caktuar për ato sipërmarrje vendase që investojnë në modelet e paralançuara nga shteti;
- Më tej, nivelet qendrore në bashkëpunim me ato lokale mund të mbështesin me njohuri, edukim, trajnime, rritje të kapaciteteve në aftësime të stafit dhe menaxherëve. Këtë shteti e bën në bashkëpunim me ministritë, universitetet ose institucionet e huaja të pranishme në vend.
- Niveli publik vendimmarrës për marketingun e turizmit të vendit tonë mund të orientojë politikat e veta të marketingut të Shqipërisë në të ardhmen (veçanërisht për tregjet e synuara kombëtare dhe të trevave, e më tej për Ballkanin bashkë me zgjerimin dhe hapjen) drejt “destinacioneve të reja” të promovuara për t’u zhvilluar.
Kjo politikë e nxitjes jo vetëm të zhvillimit, por edhe të investitorëve shqiptarë, është veçanërisht politikë sociale, sepse shpërndan zhvillimin në mbarë vendin, veçanërisht në zonat më pak të zhvilluara, duke çuar të ardhurat dhe punësimin nga zonat masive drejt atyre rurale, duke mirëkoordinuar përdorimin e të gjitha aseteve kombëtare, duke rritur mirëqenien sociale dhe duke përmirësuar treguesit ekonomikë në një shtrirje më të gjerë brenda vendit.
- Te politikat shtetërore është e rëndësishme mbajtja me çdo kusht e burimeve njerëzore, pasi investimet tek ato janë të mëdha dhe të shtrira në kohë. Minimumi që mund dhe duhet të bëjë shteti lidhet me vijimin e mbështetjes financiare të pagesës dhe sigurimeve shoqërore.
- Mbështetja nuk duhet të përqendrohet vetëm tek paketat financiare, lehtësitë e kredive apo mbështetja e pagesës së tarifave përkatëse. Duhet të kihet parasysh se risqet e investitorëve, operatorëve, bizneseve private në sektorin e turizmit shqiptar janë relativisht të larta dhe nuk lidhen vetëm me riskun financiar. Kjo do të thotë se mbështetja nuk duhet të jetë dhe orientohet vetëm te treguesit financiarë. I gjithë grupi i aktorëve vendas që lidhen me turizmin (operatorët turistikë dhe agjencitë, sipërmarrjet turistike në akomodim dhe ofrim të produktit, guidat turistike, etj.) kanë nevojë për mbështetje dhe partneritet me shtetin, kryesisht në nevojën për t’u mbështetur në vijimësi me ligje dhe lehtësi, strategji dhe politika diferencuese, me studime që t’i paraprijnë çdo vendimmarrje, etj. Në këtë moment, por edhe në fazën e post-koronës, shteti duhet ta bëjë veten partner me sipërmarrjet private, dhe këto të fundit duhet ta ndiejnë këtë.
Politika e turizmit të brendshëm
Turizmi i brendshëm duhej të përbënte tashmë një politikë të vjetër. Përveç nevojës për nxitje dhe mbështetje të investitorëve vendas në strukturat akomoduese dhe të ofertës turistike shqiptare, nevoja për mbështetje të turizmit vendas bëhet më shumë se sa nevojë emergjente, por një filozofi tashmë udhëheqëse e politikës së munguar shqiptare për të orientuar flukset e shqiptarëve drejt lëvizjes së brendshme, bashkë me të ardhurat dhe punësimin që sjellin përmes lëvizjes së tyre. Në këtë mënyrë, orientimi i kahershëm që duhet të kishte bërë qeveria shqiptare do t’i kish paraprirë zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale.
Sot të gjithë flasin për turizëm vendas, si pasojë e nevojës emergjente të situatës të krijuar nga COVID-19, por kjo duhet të kishte qenë politikë e vjetër tashmë, nëse jo, duhet të përbëjë prioritet strategjik në të ardhmen e politikës publike shqiptare. Duke iu referuar Bankës së Shqipërisë, paratë që shqiptarët shpenzojnë jashtë vendit për turizëm dhe udhëtime, vetëm për vitin 2019 kjo shifër ishte rreth 1,4 miliardë euro. N.q.s. një pjesë (të themi 40% e këtyre parave) do të shpenzohej brenda vendit, sektori do të kishte hov edhe përmes turizmit të brendshëm.
Nëse do të duheshin edhe disa arsye që e mbështesin dhe e lehtësojnë punën e qeverisë drejt një turizmi cilësor shqiptar mund të përmendim veçanërisht faktin se vendi ynë ka disa prioritete për sa i përket turizmit vendas sepse:
- rreth 35% të turizmit janë nga turistë që vijnë nga trevat e Kosovës (kjo do të shërbejë në fazën e dytë dhe do të mbështesë turizmin vendas të iniciuar fort në këtë fazë);
- 11% vijnë nga trevat e Maqedonisë;
- 9% vijnë nga Greqia;
- flukset sezonale të emigrantëve;
- roli dhe pesha jo vetëm e turizmit, por e popullit shqiptar dhe mikpritjes së tij në trajtimin më të gjerë, atë të Ballkanit Perëndimor.
Më lart përmenda se ndikimi i turizmit në shoqëri dhe ekonomi nuk është si sektorët e tjerë: turizmi ndikon dhe ndikohet nga sektorë të tjerë. P.sh., nxitja e turizmit vendas dhe vendosja si prioritet nga ana e qeverisë shqiptare do të përbëjë një strategji mjaft të mirë të mbështetjes, në radhë të parë, të zhvillimit të qëndrueshëm, pikërisht për shkak të efektit të shumëfishtë që mbart:
- Nxitja e turizmit të brendshëm do të thotë që njerëzit do të kenë përparësi përdorimin e mjeteve personale të transportit në vend të avionëve dhe mjeteve të tjera ndërkombëtare. Kjo do t’i japë hov sektorit të mjeteve me qira, duke shtuar numrin e mjeteve me qira në qarkullim, duke rritur punësimin, duke nxitur dhe duke forcuar këtë biznes brenda vendit;
- Nxitja e turizmit të brendshëm do të mbështesë bujqësinë dhe blegtorinë në zonat rurale, do të fillojë qarkullimi dhe funksionimi i tregjeve rurale, duke rritur punësimin, volumin e qarkullimit dhe të ardhurave brenda këtyre vendeve, përpos efekteve sociale apo punësimit të të rinjve dhe grave;
- Nxitja e turizmit të brendshëm do të ulë parimisht çmimin e paketave turistike, pasi do të bazohet kryesisht në produkte lokale, do të mbështetet nga tregje që kanë afërsi me destinacionin. Kjo pavarësisht faktit të rritjes së çmimit që mund të shkaktohet për shkak të rritjes së distancës midis turistëve mund të rritet çmimi i konsumimit të disa shërbimeve turistike.
- Nxitja e turizmit të brendshëm e mbështet parandalimin e përhapjes së COVID-19, pasi disa studime provojnë se rreth 80% e turistëve që vizitojnë Shqipërinë nga trevat e sipërpërmendur lëvizin me mjete personale transporti.
Në lidhje me “shërimin” apo rikuperimin e sektorit të turizmit një përmbledhje e disa momenteve kyç dhe mjaft të rëndësishëm janë:
- “Shërimi” (rikuperimi) i industrisë turistike në Shqipëri do të varet jo vetëm nga hapja e kufijve, por gjithashtu nga faktorë që lidhen me sjelljen ose ndryshimin e sjelljes referuar udhëtimit dhe të udhëtuarit, p.sh., shmangia e transportit masiv, ngjarjeve të mëdha dhe masive, restorantet e mëdha apo vendet me kapacitete të ngarkuara.
- Qytetet, të cilat kanë mirëpritur dhe synuar tregun MICE (Meetings, Incentives, Conferences or Conventions, and Exhibitions or Events) dhe brenda tyre veçanërisht njësitë akomoduese (hotelet kryesisht) apo eventet masive do të jenë të parët që do të përballen me vështirësi dhe nevojë për adaptime;
- Destinacionet (zonat rurale, detare apo malore) që kanë synuar turizmin masiv në fazën e parë, përveçse hasjes së vështirësive do të kenë nevojë të mendojnë dhe adaptojnë strategji të reja të funksionimit dhe riorganizimit të modeleve të tyre të ofruarit të shërbimeve turistike në mbështetje të sjelljes dhe kërkesës turistike.
- Faktorët e përgjithshëm ekonomikë nuk do të jenë stimulues në fazën e parë të “shërimit”. Të tillë faktorë mund të jenë të ardhurat më të ulëta të disponueshme, ose nevoja e shtuar për të kursyer para.
- Rënia globale e net-qëndrimeve dhe rrjedhimisht e të ardhurave globale nga turizmi dhe udhëtimet do të ndikojnë direkt edhe në pjesën që turizmi krijon në GDP.
Kështu, mbërritjet ndërkombëtare do të bien me të paktën 30%, po kështu flukset hyrëse nga turizmi me të paktën 50%, që do të thotë se
e gjithë industria e turizmit në vend tani ka nevojë për stabilitet dhe durim, sepse vetëm kështu do të mund të rikuperohet hap pas hapi dhe duke iu përshtatur realiteteve të reja, të cilat duhet të përkthehen në strategji konkrete.
- Është e sigurt se rimëkëmbja e turizmit do të shoqërohet për njëfarë kohe me çmime më të larta se ato të 2019, si dhe me nivele të ulëta rritjeje.
Rimëkëmbja e turizmit do të jetë po aq graduale sa rihapja e ekonomive. Edhe nëse një kurë dhe një vaksinë do të ishte në dispozicion së shpejti, nuk ka gjasa që ne të kthehemi në nivelet e lëvizjes para krizës në një periudhë të shkurtër, kryesisht për shkak të krizës ekonomike dhe të gjithë peizazhit të ndryshuar ekonomik. Shoqëruar me nevojën edhe urgjente që turizmi botëror dhe veçanërisht shqiptar dhe rajonal i duhet të rishqyrtojë modelet e konsumit në një mënyrë më të qëndrueshme. Në fakt, në gjykimin tim nuk duhet që turizmi t’i kthehet modelit të “vjetër” të masivizimit, me argumentimin se: që turizmi global të kthehet në rrugën e duhur është thelbësore të investohet në zgjidhje dixhitale dhe modele të kujdesshme dhe ngadalta të turizmit.
E gjithë kjo duhet konsideruar si një kohë “mundësish” për t’u fokusuar në cilësinë e turizmit/turistëve më shumë se sa në sasinë e tyre, d.m.th. vlerë kundrejt volumit. Ndërkohë që konsiderojmë dhe vlerësojmë faktorin kohë si një mundësi për më tej, është pikërisht koha e duhur që të korrigjohen disa zhvillime të pafavorshme në destinacione të caktuara dhe specifike, dhe të synohet drejt më shumë formave të qëndrueshme të turizmit në këto zona.
*Departmenti i Marketingut dhe Turizmit
Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.