Edhe pse në Itali, diskutimet për ndryshimet në ligjin për delokalizimin e call center që pritet të rrezikojë jo pak sektorin në Shqipëri, kanë nisur që në muajin tetor, qeveria shqiptare nuk ka pasur asnjë reagim. Të paktën deri ditën e sotme, kur ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, dhe ministrja e Zhvillimit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, zhvilluan një takim me përfaqësues të shërbimit call center, ku në fokus është ligji i ri që po diskutohet në Itali.
Ministrja Ekonomi tha se kanë krijuar një ide për të parë reagimin, ndërsa pohoi se janë studiuar direktivat e Bashkimit Europian.
Ndërsa ministri Klosi deklaroi se qeveria mbështet aksionin e mbi 800 call center-ave, ndërsa shtoi se Shqipëria ka ndryshuar statusin për BE. “Do të donim të shprehnim të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare për të qenë në krahun tuaj dhe për të vazhduar negociatat me partnerët italianë.
Ajo që ne do të donim të bënim qartë me partnerët italianë është që Shqipëria tashmë është një vend që ka ndryshuar statusin dhe në raport me Bashkimin Europian. Hapja e negociatave që priten së shpejti apo dhe pasja e statusit të vendit kandidat mund të jetë një moment shumë i favorshëm edhe në raport me problematikën tuaj.
Ne do të vazhdojmë të kërkojmë që, rregullat që vazhdojnë të vendosen nga shteti italian për sa u përket këtyre kompanive, të jenë sa më pak ndikuese në aktivitetin tuaj dhe biznesin tuaj. Realisht, ne kemi shumë për të bërë me njëri-tjetrin, por në përballje me këto ndryshime ligjore që vijnë nga shteti italian do të donim që t’ju konsideronim aleat dhe jo vetëm në këtë takim por çdo ditë do të jemi të gatshëm të dëgjojmë zërin tuaj. Nëpërmjet edhe aktivitetit tonë diplomatik të shtetit shqiptar, ambasadores sonë në Romë dhe gjithë përfaqësuesve tanë në shtetin italian do të kemi mundësinë të kontaktojmë me autoritetet italiane.
Ambasada e Italisë në Tiranë është e angazhuar qartazi që kjo punë të marrë zgjidhje në favor të biznesit tuaj dhe në favor të 25 000 shqiptarëve, të cilët punojnë pranë këtyre bizneseve. Ne do donim shumë që ta dëgjonim opinionin tuaj dhe të kishim mundësinë që reagimi ynë të ishte një reagim i përbashkët, pasi mendoj që në këtë moment jemi aleatë me njëri-tjetrin”, tha ministri Klosi.
Drejtuesit e shoqërive të call center pohuan se ligji, nëse miratohet, do të ketë pasoja afatgjata. “Forca aktuale e punës do të zhvendoset në Rumani. Të lobojmë që forca e punës të mos zhvendoset”, bëri të ditur shoqata.
Ndërkohë mësohet se pala shqiptare, e përfaqësuar nga sipërmarrës, do t’i drejtohet me një letër zyrtare Senatit italian, por edhe Federica Mogherini-t, e cila është zëvendëspresidente e KE-së dhe komisionere për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë.
Përmes këtij projektligji, qeveria italiane po tenton të forcojë masat ndaj fenomenit ‘dumping’ në sektorin e call center, që ka sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit.
Hartuesit e këtyre amendimeve kanë parashikuar një ndërhyrje të dyfishtë që ka të bëjë si me shërbimin inbound, ashtu edhe outbound, si janë forcuar normat që rregullojnë fenomenin e delokalizimit. Gjithashtu janë parashikuar edhe sanksione të ashpra administrative, siç janë gjobat që shkojnë deri në 150,000 euro.
Nga miratimi i këtij ligji, sektori i call center në Shqipëri pritet të rrezikohet në një masë të madhe, duke qenë se në të janë punësuar rreth 25,000 persona, kryesisht të rinj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.