Pesë vjet pas përfshirjes në skemën e sigurimit të depozitave, depozitat e siguruara të shoqërive të kursim-kreditit kanë arritur vlerën e 6.9 miliardë Lekëve ose rreth 57 milionë Eurove.
Të dhënat nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) tregojnë se gjatë vitit të kaluar shuma e depozitave të siguruara të SHKK-ve u rrit me 8.6%. Tashmë, depozitat e siguruara përbëjnë afërsisht 72% të depozitave totale të publikut pranë SHKK-ve.
Në fund të vitit 2021, vlera totale e fondit të sigurimit të depozitave në SHKK ka arritur në rreth 167 milionë lekë, 15.2% më shumë krahasuar me vitin 2021. Kjo shumë përfshin fondin theemltar të derdhur nga buxheti i shtetit për ngritjen e skemës, me vlerë 76 milionë lekë, primet e sigurimit të derdhura nga SHKK-të gjatë pesë viteve dhe të ardhurat nga investimi i fondit.
Raporti i mbulimit të depozitave të siguruara në SHKK, i llogaritur si përqindje e fondit të sigurimit të depozitave në shkk në krahasim me depozitat e siguruara, arriti vitin e kaluar në 2.42%, nga 2.28% që kishte qenë një vit më parë. Ky raport është në rritje, por është ende larg shkallës së mbulimit të depozitave të bankave tregtare. Sipas informacionit të ASD, në fund të vitit 2021, raporti arriti në 6.66%, nga 6.46% që pati qenë një vit më parë. Duke përfshirë edhe dhe linjën e kredisë prej 100 milionë euro që ASD ka përfituar nga BERZH, ky raport arrin në pothuajse 8.2%. Në rastin e SHKK-ve, shkalla e mbulimit është ende e ulët, edhe sepse skema e sigurimit të depozitave është më e re në kohë. Zakonisht, objektivi mimimal i skemave të sigurimit të depozitave është që fondi për këtë qëllim të mbulojë minimalisht 5% të vlerës së depozitave të siguruara.
Që prej vitit 2017, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara me ligj, deri në vlerën e dy milionë lekëve. Primi tremujor i sigurimit për shkk-të përllogaritet si 0.075% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në SHKK në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm. Por, sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Por, duke qenë institucione me kapacitete të kufizuara njerëzore dhe financiare, shpeshherë plotësimi i kritereve rezulton i vështirë. Për këtë arsye, një pjesë e SHKK-ve ende nuk janë anëtarësuar në skemën e sigurimit të depozitave, sipas kërkesave ligjore. Nga 16 SHKK të licencuara aktualisht nga Banka e Shqipërisë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave raporton nëntë subjekte të anëtarësuara zyrtarisht në skemën e sigurimit të depozitave.
Shoqëritë e kursim-kreditit apo, siç njihen ndryshe, kooperativat financiare janë shoqëri që ofrojnë produtke dhe shërbime financiare vetëm për personat e anëtarësuar në to. Në këto shoqëri, individët mund të vendosin depozita, si edhe të përfitojnë kredi apo edhe shërbime të tjera pagesash. Modeli i SHKK-ve ka rezultuar veçanërisht efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që, për arsye të ndryshme, kanë akses të kufizuar në sektorin bankar./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.