Diferenca e interesave, Greqia më mirë se Italia: bonot qeveritare më pak të rrezikshme

08/11/2019 9:58 PM 0 komente

Dhe në fund tejkalimi ndodhi. Të enjten, në 7 nëntor, normat e bonove 10-vjeçare në Athinë në tregun sekondar ranë gjatë ditës në një nivel më të ulët, krahasuar me bonot me afat të njëjtë në Itali. Kjo nuk kishte ndodhur që nga viti 2008, pasi Greqia ra në një krizë të thellë të borxhit dhe më pas vendi u përball me tre plane shpëtimi. Por parakalimi i Greqisë mbi Italinë tani ishte ‘në ajër’ prej disa ditësh, shkruan Il Sole24ore.

Në fund të seancës, Italia u kthye në avantazhin e 2 pikëve bazë (1.25% kundrejt 1.27%). Por thelbi nuk ndryshon. Madje, siç tregohet nga diferenca e kurbës së borxhit (në disa afate maturimi) përveç kapërcimit gjatë asaj dite të bonove 10-vjeçare, Greqia mbylli seancën e fundit me avantazh edhe për bonot me maturim 5, 7 dhe 15 vjeçar. Bëhet fjalë një diferencë fare të vogël, por që sigurisht përbën lajm, duke marrë parasysh që: 1) Greqia ka një vlerësim (BB-) katër shkallë më të ulët se ai italian (BBB); 2) në fillim të vitit Italia shfaqi një avantazh prej 170 pikësh për bonot 10-vjeçare.

Ndërkohë, rendimenti i letrave me vlerë italiane nuk është përkeqësuar. Në të kundërt ai ka rënë ndjeshëm (nga 2.8% në 1.25%, me kulmin prej 0.8% në gusht). Por niveli në Athinë ra edhe më shumë, duke u reduktuar nga 4.38% në 1.27% që nga janari.

“Në një botë ku norma e shumë obligacioneve është negative dhe ku është e vështirë të gjesh rendimente të pranueshme në tregun e bonove, investitorët po e rishqyrtojnë Greqinë si një mundësi investimi – shpjegon një tregtar. – Sidomos pas zgjedhjeve të 7 korrikut në Athinë që sollën në qeveri liderin e partisë së qendrës së djathtë Demokracia e Re, Kyriakos Mitsotakis dhe sanksionuan largimin e Alexis Tsipras. Që gjatë periudhës zgjedhore, Mitsotakis deklaroi se ishte në favor të politikave neo-liberale, politikë kjo që vlerësohet nga tregjet dhe investitorët ndërkombëtarë. Dhe kjo shpjegon gjithçka tjetër ”.

Ajo që kemi parë në Greqi është dëshmi e qartë që politika ndikon në trendin e bonove qeveritare në këtë fazë, më shumë sesa renditjet e institucioneve vlerësuese ose perspektivat e menjëhershme të rritjes së PBB-së ose trendit të inflacionit. E njëjta politikë që ka bërë që kthimet e bonove të shkojnë shumë përpara.

 

Tani Italia është rrota e fundit e vagonit në Eurozonë

Nuk duhet harruar që në nëntor 2019, diferenca me borxhin e Gjermanisë kapërceu mbi 300 pikë, teksa rendimeti i bonove u ngjit në 3.5%, pas sulmeve të shumicës Lega-M5S mbi bazat e bashkimit Europian, kur u miratua Ligji i Buxhetit. Por më pas, Shumica e re Pd-M5S – e cila u bashkua pas krizës qeveritare në gusht 2019 – është rikthyer në paqe duke krijuar një klimë më bashkëpunuese me institucionet evropiane. Por, edhe pse kanë rënë në një masë të konsiderueshme – normat e kthimit janë ende të larta dhe në këtë pikë, për disa maturime janë zyrtarisht më të shtrenjtat e eurozonës, duke marrë parasysh kapërcimin e Greqisë për disa maturitete të kurbës së borxhit.

Pastaj është edhe një pyetje tjetër, për të cilën nuk dihet kur do të marrim një përgjigje nga Banka Qendrore Evropiane: cilat do të ishin kthimet e Athinës nëse do të bëheshin pjesë e planit lehtësues sasior (faza 2 filloi në nëntor dhe parashikon blerjen e letrave me vlerë për 20 miliardë euro në muaj) të BQE-së? Për momentin Greqia është i vetmi vend i përjashtuar. Por në të ardhmen – duke pasur parasysh se si po shkojnë gjërat – ky vendim edhe mund të kthehet. Në atë pikë, Italia rrezikon të jetë rrota e fundit e vagonit në të gjitha afatet, si në Eurozonë ashtu edhe në atë akronim të shëmtuar (Piigs) me të cilin deri në pesë vjet më parë u etiketuan vendet më të brishta të eurozonës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of