Sipas raportit të Deeptrace, i cili doli javën e kaluar, rezulton se numri i videove deepfake është dyfishuar krahasuar me dhjetor 2018 dhe sot ka arritur në 14.678 (shtator 2019).
Deepfake është një fenomen në rritje të fortë, si në nivel cilësor, edhe sasior, aq sa është bërë një armë e re në arsenalin e krimit kibernetik – për shembull, për të shkatërruar një kompani, reputacionin e një individi apo zgjedhjet e një vendi rival. Këto të dhëna u publikuan në raportin e Deeptrace, javën e kaluar, ku rezultoi se numri i videove deepfake është dyfishuar krahasuar me dhjetor 2018 dhe sot është 14.678 (shtator 2019). Në 96% të rasteve, ato janë me përmbajtje pornografike.
Falsifikime shumë reale – siç është tipike për deepfake – shohin aktore dhe personazhe të famshëm të bëjnë apo të thonë gjëra që nuk i kanë bërë kurrë apo nuk i kanë thënë kurrë; gjithçka falë mbivendosjes së videove dhe imazheve të ndryshme nëpërmjet algoritmeve të Inteligjencës Artificiale (të tipit deep learning).
Regjistrimi i Deeptrace – një ndër të parët – tregon se pjesa më e madhe e komuniteteve dhe forumeve për krijimin e deepfake gjenden në website-t Reddit, 4chan, 8chan dhe Voat, duke arritur në 95 mijë anëtarë të regjistruar. Ndërsa komuniteti artistik i Brandalism njihet për përdorime satirike – mbi Mark Zuckerberg, Kim Kardashian dhe Donald Trump.
Sipas profesorit të informatikës Hao Li, një ndër krijuesit më të rëndësishëm të deepfake, brenda vitit 2020, këto video do të jenë të përsosura dhe të thjeshta për t’u krijuar nga një përdorues me aftësi të zakonshme kompjuterike. Sipas raportit, ka aplikacione për kompjuterin si DeepNide (por që kërkojnë aftësi në programim dhe kompjuter të fuqishëm), si dhe portale shërbimesh, që kërkojnë edhe vetëm 2,99 dollarë për të krijuar një deepfake.
Situata ka arritur deri aty sa është krijuar një Marketplace i specializuar, ku për 30 dollarë mund të porosisësh një video, ku fytyra e dikujt i vendoset trupit të një tjetri – klonimi i zërit kushton 10 dollarë për çdo 50 fjalë.
Në lidhje me çështjen e sigurisë kibernetike, raporti i një kompanie franceze për sigurimet, Euler Hermes, shkruan se një prej klientëve të saj, një kompani energjetike britanike jo shumë e njohur, u bë viktimë e një mashtrimi të bazuar në një audio deepfake. Kriminelët informatikë përdorën një audio sintetike zanore që personifikonte CEO-n e shoqërisë gjermane, kompani mëmë e asaj angleze, duke kopjuar me kujdes mënyrën e të folurit. Drejtuesi i kompanisë angleze ra në grackë, duke zbatuar kërkesën për transferimin e 243 mijë eurove te një furnizues hungarez.
“Mjetet dhe shërbimet për të krijuar deepfake po rriten në terma cilësorë dhe sasiorë, ky është një problem për integritetin e informacionit online, por edhe për reputacionin e kompanive” – komenton Francesco Cavalli, bashkëthemelues i Deeptrace.
Përgjigjja ndaj këtij fenomeni duhet të vijë nga tre fronte: së pari ligjor – shtetet duhet të miratojnë ligje për të kufizuar përdorimet mashtruese të deepfakes; së dyti kulturor – duhet të riedukohemi që të mos i konsiderojmë domodoshmërisht të vërteta imazhet dhe zërat që në pamje të parë duken të vërteta; së treti, teknologjik, zgjidhje si ato që ofrohen nga Deeptrace ju japin mundësi të kuptoni nëse një përmbajtje është krijuar nëpërmjet Inteligjencës Artificiale”.
Burimi: Il Sole 24 Ore