Dhoma Amerikane e Tregtisë, AmCham, prezantoi rezultatet e sondazhit për indeksin të biznesit në Shqipëri. Sipas sondazhit, vitin e kaluar, klima e biznesit ka shënuar përmirësim. “Indeksi i biznesit për vitin 2013 është në vlerën 43.7. Ka një ngritje të ndjeshme krahasuar me vitin e mëparshëm. Madje është më e lartë edhe nga 2012-a, kur mbante rekordin, thotë drejtori ekzekutiv i Dhomës Amerikane, Lorenc Gjoni.
I pranishëm në këtë tryezë ishte dhe Ambasadori Amerikan Donald Lu, i cili e konsideroi 2017-n si viti kur Shqipëria nis zbatimin e reformës në drejtësi, e cila do të transformojë përgjithmonë mjedisin e biznesit.
Në këtë takim merrte pjesë edhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, e cila mbajti një fjalë lidhur me indikatorët ndërkombëtarë dhe statistikat kombëtare për ekonominë dhe të bërit biznes, të cilat janë pozitivë për Shqipërinë në vitet e fundit.
“Duke parë rezultatin e anketimit tuaj besoj se biem dakord që së pari, rezultati i një sondazhi të kryer nga Dhoma, pavarësisht nga numri i bizneseve që ka, është deri diku orientues për mënyrën se si vetë bizneset që aderojnë te kjo Dhomë shikojnë ecurinë e ekonomisë së një vendi. Por ndërkohë, nga ana tjetër, ka matje kombëtare që masin ecurinë e ekonomisë, dhe është me shumë vend që ne të ndajmë këto dy lloj matjesh, matjet që janë të lokalizuara për Dhomën dhe statistikat që janë kombëtare. Është kënaqësi të vërej se matjet e lokalizuara dhe matjet kombëtare, për këtë vit që ne flasim, kanë të njëjtën tendencë, sepse po t’u referohemi indikatorëve ndërkombëtarë që kanë të bëjnë me lehtësinë e “Të bësh biznes”, “Indeksin e konkurrueshmërië”, “Lirinë e tregtisë” në Shqipëri, të gjithë këta indikatorë ndërkombëtarë kanë treguar që në këto dy vitet e fundit, Shqipëria ia ka dalë mirë të rankohet në pozicione më të larta, falë reformave që ka ndërmarrë qeveria për të lehtësuar klimën e të bërit biznes.
Ajo që dua të ndaj gjithashtu është se, institucione shtetërore që kanë mandatin e publikimit të të dhënave zyrtare, siç është INSTAT, Banka e Shqipërisë, tregojnë që sipërmarrja shqiptare ka arritur të ketë disa rezultate pozitive në këto dy vitet e fundit. Për shembull, INSTAT thotë që shitjet neto në vitin 2015, në krahasim me vitin 2014, u rritën me 3.6%, numri i të punësuarve në biznese private u rrit me 17.4%, investimet private të realizuara nga sipërmarrja u rritën me 208 miliardë lekë, dhe ndërmarrjet prodhuese të të mirave dhe shërbimeve e rritën numrin e tyre me 22.7%, krahasuar me vitin 2014.
Të gjitha këto sipërmarrje arritën të kenë një rezultat të mirë ekonomik, i cili në fund të fundit, u përkthye në mirëqenien e familjeve shqiptare, duke rritur konsumin mesatar të tyre 1,9% dhe duke ulur pabarazisë midis familjeve në Shqipëri të dhëna.
Po pse po i përmend këta indikatorë? Se në fakt, të dhënat që vijnë nga Dhomat janë të dhëna që duhet të na ndihmojnë më shumë për të dialoguar më mirë midis qeverisë dhe sipërmarrjes, dhe përveç zërit të Dhomave, siç ju e dini se dikush nga ju dhe është i ulur në tavolinën e Këshillit të Investimeve, ku shumë prej problemeve që Dhomat kanë, adresohen në Këshillin e Investimeve dhe përkthehen në masa konkrete që ndërmerr qeveria për të lehtësuar “Të bërit biznes” në vend.
Por ka ende shumë për të bërë. Padyshim që ka shumë për të bërë, për të përmirësuar komunikimin dhe për të lehtësuar të bërit biznes, por unë besoj që një nga gjërat më të rëndësishme që duhet të luftojmë të gjithë për të çuar përpara, është padyshim reforma në drejtësi.
Besoj që reforma në drejtësi do të krijojë dhe më shumë siguri për të qenë një biznes i sigurt dhe për të pasur një parashikueshmëri për aktivitetin ekonomik, sidomos kur sipërmarrësi vendos të shtojë aktivitetin për ndërmarrjen e tij.
Natyrisht që reforma në drejtësi do të luaj një rol të dorës së parë për të vënë në vend të drejtat mbi pronën dhe titujt e pronësisë, sidomos kur bëhet fjalë për investimet strategjike, qofshin këto të huaja apo kombëtare, në territorin e vendit”, tha ministrja Ekonomi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.