Ekonomia e Bullgarisë nuk vlerësohet aq sa duhet

01/11/2019 10:10 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Profesorja e ekonomisë në Bullgari, Daniela Bobeva, dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Bullgare, Tsvetan Simeonov, analizuan perspektivat ekonomike të Bullgarisë. Ata shprehën qëndrime të ndryshme rreth situatës ekonomike në Bullgari, në një intervistë dhënë për Radion Kombëtare Bullgare.

Ne humbëm mundësinë për të realizuar reformat strukturore më të rëndësishme gjatë kohërave më të mira pas krizës ekonomike, në mënyrë që të përgatiteshim sa më mirë për ciklin e ri ekonomik, pohon znj. Bobeva. Ekonomia bullgare vuan nga nënvlerësimi dhe ne nuk mund të zhvillohemi dhe të ecim me të njëjtin ritëm me atë të ekonomive të tjera, nëse nuk kemi investime, shpjegon më tej ajo.

Për më tepër, Bullgaria po përballet me problemin që lidhet me bilancin negativ të emigracionit, që do të thotë se numri i njerëzve që po largohen nga ky vend është shumë më i lartë se numri i atyre që kthehen sërish. Sipas fjalëve të znj. Bobeva, bilanci më negativ i emigracionit reflektohet në grupmoshën midis 20 dhe 29 vjeç. Shumica e njerëzve që kthehen në vendin e tyre janë të moshës midis 60 dhe 69 vjeç.
Ekonomia e Bullgarisë humbet shumë pikë nga lëvizja e njerëzve në këto nivele.

Ne po flasim për një model krejtësisht ndryshe të emigracionit, ku shumica e fuqisë punëtore aktive dhe asaj të kualifikuar lëviz në vende të ndryshme anëtare të BE-së, punon atje dhe kthehet përkohësisht në Bullgari, tha profesorja e ekonomisë, znj. Bobeva. Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Kombëtare Bullgare dhe Ministria Bullgare e Financave po parashikojnë se ekonomia bullgare do të ngadalësohet.

Nëse Gjermania ndërmerr ndonjë stimul fiskal që do të ndikonte pozitivisht në ekonominë europiane dhe veçanërisht në vendet në Eurozonë, efekti në ekonominë bullgare do të ishte gjithashtu pozitiv. Sa u takon paralajmërimeve mbi recesionin e mundshëm, Daniela Bobeva pretendon se deklarata të tilla mund të nxisin qeverinë të marrë vendime të caktuara, që do të lehtësonin efektin negativ dhe do të shmangnin ngadalësimin e arritur gjatë krizës së fundit financiare rreth 10 vjet më parë.

Edhe pse të dhënat për ekonominë bullgare janë shumë më të mira se mesatarja e BE-së, ne nuk duhet të gëzohemi më shumë sesa duhet, sepse kjo mund ta dëmtojë seriozisht ekonominë bullgare, shprehet kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Bullgare, Tsvetan Simeonov. Të gjithë të pranishmit në mbledhjen e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Europiane, që u mbajt disa ditë më parë, morën disa vendime të rëndësishme në lidhje me faktin sesi Europa mund t’i shpëtonte stanjacionit.

Ky fakt ka rëndësi të veçantë për Bullgarinë, e cila dëshiron të ruajë ritmet e rritjes. Tsvetan Simeonov pretendon se është shumë e rëndësishme për ekonominë europiane që ajo të vazhdojë të kërkojë tregje të reja, sepse luftërat tregtare pengojnë tregtinë ndërkombëtare. Në këtë drejtim, marrëveshjet e nënshkruara midis BE-së, Japonisë dhe Koresë së Jugut janë një mundësi e mirë, nga e cila edhe Bullgaria mund dhe duhet të përfitojë. Gjatë takimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Europiane u theksua fakti se arsimi i të rinjve duhet të ishte në përputhje me nevojat e kompanive në Europë.

Pjesëmarrësit ranë dakord për të lehtësuar lëvizjen e të rinjve nga vendet që nuk janë pjesë e BE-së, në drejtim të 43 vendeve anëtare të Shoqatës së Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Europiane. Kjo është një mundësi që Bullgaria nuk duhet ta humbasë, sepse ky vend po përjeton një mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, tha Tsvetan Simeonov. Sidoqoftë, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vlerësojmë ndikimin e këtij fakti në ekonominë bullgare, tha ai më tej.

Sipas Tsvetan Simeonov, detyrat strategjike të pazgjidhura janë faktori kryesor që pengon rritjen e investimeve në këtë vend. Ne jemi dëshmitarë të disa përpjekjeve të autoriteteve bullgare për të luftuar korrupsionin, por të gjithë e dimë se funksionimi i sistemit gjyqësor në Bullgari nuk është në nivelet e duhura.

Dhe pa u zgjidhur këto probleme të rëndësishme, do të jetë e vështirë që të tërhiqen investitorë të rinj në Bullgari, u shpreh më tej z. Simeonov, duke shtuar se 95% e investitorëve që tashmë janë duke punuar në Bullgari po përpiqen të zgjerojnë bizneset në këtë vend. Ky fakt na bën optimistë që edhe në rast se nuk arrijmë të ruajmë rritjen aktuale ekonomike në 3%, të paktën nuk do të hyjmë në një periudhë stanjacioni, siç parashikohet të ndodhë në disa prej shteteve më të rëndësishme të BE-së.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of