ERE rrëzoi për së dyti kërkesën e OST për rritje të tarifës së transmetimit

21/12/2020 11:00 PM 0 komente

Enti Rregullator i Energjisë ka rrëzuar kërkesën e dytë bërë gjatë këtij viti nga Operatori i Sistemit të Transmetimit për të rishikuar tarifën.

Kjo tarifë aktualisht është 0.75 lekë për çdo kolovat energjie të transmetuar ndërkohë që OST kishte kërkuar që tarifa të rritej në 1.31 lekë/kwh. Në dokumentin e bërë publik nga Enti jepen edhe arsyet se përse kërkesa e OST nuk është marrë parasysh.

Së pari ERE është ndalur tek pjesa e kredive. Në dokument është theksuar se lidhur me gjendjen e tyre shoqëria në kërkesën për rishikim deklaron se ato janë lehtësisht të verifikueshme në pasqyrat financiare të periudhave ushtrimore.

“Ndërkohë që në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare, shpenzimet financiare që OST sh.a. ka ndaj palëve të lartpërmendura, nuk paraqiten të ndara kundrejt principalëve të huave afatgjata nga ato afatshkurtra, dhe nuk mundësohet analiza e kostos së borxhit afatgjatë të marrë në konsideratë nga OST sh.a. në zbatim të përcaktimeve të pikës 4.6, të nenit 7, të Metodologjisë së llogaritjes së tarifave të transmetimit, kusht thelbësor i vlerësimit të drejtë mbi koston mesatare të ponderuar të kapitalit (WACC) të aplikuar prej saj si komponent i llogaritjes së kthimit të lejuar mbi Bazën e Rregulluar të Aseteve të transmetimit” vlerëson ERE.

Lidhur me investimet Enti bën të ditur se është paraqitur vetëm informacion narativ. Sipas këtij të fundit operatori duhet të bazohet dhe të respektojë Analizën e plotë të kosto përfitimit, sigurimin e efektivitetit të kostove të projektit dhe kostove të argumentuara, përfshirë plan investimesh të detajuar me afatet përkatëse (Studim fizibiliteti duke përfshirë vlerësimin e impaktit mjedisor) si dhe të shoqërojë këtë plan me relacione argumentuese lidhur me analizën e plotë të përfitimit të kostos që vërteton efektivitetin e çdo projekti të planifikuar dhe justifikon kostot që lidhen me to.

Po kështu në vendim thuhet se nuk jepet informacion lidhur me gjendjen e aseteve deri me datë 31.12.2019, por vetëm parashikime mbi periudhën 2019-2023.

Në një tjetër pikë Enti vlerëson se nga analiza e të dhënave financiare të dërguara deri më tani, vlerësohet se tarifa e përdorimit të rrjetit në fuqi, i ka krijuar OST sh.a. rezerva të ardhurash të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve operative ku përfshihet dhe prokurimi i shërbimeve ndihmëse në tregun e lirë.

OST kërkon rishikim të tarifës së transmetimit prej disa vitesh duke argumentuar se ka një nivel të lartë huaje të akumuluar që duhet të paguhet si dhe investime në vazhdim të cilat duhet të kryhen por deri më tani Enti nuk e ka parë të arsyeshme të rrisë tarifën./N.Maho

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of