Të ardhurat e NBA ranë me 10% për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në sezonin 2019/20, të ardhurat e Ligës Amerikane të Basketbollit ishin 8,3 miliardë dollarë (7,1 miliardë euro) – shkruan ESPN.
Humbjet më të mëdha regjistrohen në reduktimin e të ardhurave me 800 milionë dollarë nga shitja e biletave dhe një humbje prej 400 milionë dollarësh në sponsorizime dhe merchandising.
Megjithatë, Liga duhet të përballet me një humbje totale rreth 1 miliard dollarë nga anulimi i 258 ndeshjeve të sezonit të rregullt (pa rinisjen e sezonit në Disneyworld, humbjet totale do të ishin 2.5 miliardë dollarë).
Ndërkohë NBA i ka hedhur sytë drejt sezonit tjetër. Liga, së bashku me shoqatën e lojtarëve, National Basketball Players Association, po diskutojnë datat e fillimit dhe shumat financiare të kontratave kolektive të punës.
NBA po bën presion për të nisur sezonin më 22 dhjetor dhe të bëjë një sezon të rregullt prej 72 ndeshjesh, dhe të zhvillojë më pas një turne play-in për playoff. Në këtë mënyrë, Liga parashikon ta mbyllë sezonin para Olimpiadave të Tokios më 23 korrik.
Një alternativë më pak e preferuar për fillimin e sezonit do të ishte rreth Martin Luther King Day (18 Janar). Kjo do ta shtynte përfundimin e sezonit më tej në verë – duke bërë që playoff-et e NBA të garojnë në televizion me Lojërat Olimpike dhe fillimin e sezonit të NFL.
Parashikimet për 2020/21 janë edhe më të zymta se rezultatet e arritura në sezonin që përfundoi me fitoren e Los Angeles Lakers. Në mënyrë të veçantë, nëse kampionati do të vijojë pa tifozë dhe pa të ardhura që lidhen me ndeshjen e ditës (game-day). Liga u ka thënë skuadrave se në këtë mënyrë, humbja do të jetë 40% e të ardhurave të përgjithshme, ose rreth 4 miliardë dollarë.
Burimi: ESPN