Në kuadër të zbatimit të fazës të dytë të fiskalizimit për lëshimin e faturave elektronike Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka hapur garën për instalimin dhe mirëmbajtjen e pajisjes software për një periudhë 3 vjeçare.
Faza e dytë e fiskalizimit që nis nga 1 Korriku 2021 përfshin lëshimin e faturave elektronike mes bizneseve që kryejnë transaksione pa para në dorë. Fondi i vënë në dispozicion për zgjedhjen softewar-ike dhe mirëmbajtjen e saj është 3 mln lekë. Afati i dorëzimit të ofertave nga kompanitë e licencuara për ofrimin e këtij shërbimi është deri në 15 maj 2021.
Në dokumentet e prokurimet KESH parashikon përdorimin e faturave elektronike për kontratat e investimeve dhe shërbimeve; për faturat e kontratave të blerjes së energjisë; faturave të blerjeve të vogla nga KESH dhe të faturave të blerjeve të vogla nga njësite e prodhimit. Në procesin e fiskalizimit, pra lëshimin e faturave elektronike do të përfshihet edhe TEC Vlora, pasi funksionon si operator ekonomik me NIPT të ndryshëm nga KESH-i. Përveç raportimit të të dhënave KESH me instalimin e zgjedhjes software do të përfshijë edhe procesin e kontabilizimit.
“Shërbimi i mbështetjes nga ofruesi i shërbimit do të kryhet me qasje në distancë (remoteaccess) ose me paraqitje në ambientet e KESH. KESH rezervon të drejtën e mbikëqyrjes fizike ose online, në kohë reale, të të gjithë procesit të dhënies së shërbimit të mbështetjes. Gjithashtu, KESH mundëson për punonjësit përgjegjës të ofruesit të shërbimit vetëm të drejta qasjeje të përkohshme në sistemet TIK që preken shërbimi i mbështetjes”, përcaktohet në dokumentet e prokurimit.
Nga fillimi i procesit të fiskalizimit deri në 10 ditëshin e parë të prillit, që janë të dhënat e përditësuara nga administrate tatimore, janë lëshuar 560 mijë fatura elektronike. Numri i tatimpaguesve të përfshirë në procesin e fiskalizimit është 3,004.
Administrata Tatimore ka organizuar në mënyrë të vazhdueshme trajnime për tatimpaguesit, duke nisur që nga viti i kaluar dhe do të vijojë edhe në muajt në vijim, kjo edhe në bashkëpunim me shoqatat e kontabilisteve për të pasur mbulim sa më të gjerë.
Deri më datë 9 prill 2021, në trajnimet e zhvilluara në të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore, kanë marrë pjesë 17,943 pjesëmarrës, nga të cilët 1,252 janë ente publike, 15,290 tatimpagues si dhe 1,401 kontabilistë. Ndërkohë janë zhvilluar gjithashtu edhe 10 trajnime në bashkëpunim me shoqatat e ekspertëve dhe kontabilistëve, me një shifër prej 1,250 pjesëmarrësish.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.