Rritja ekonomike globale parashikohet të bjerë në 2.9 për qind në 2023 nga 3.4 për qind në 2022, ndërsa pritet të marrë një hov të lehtë prej 3.1 për qind në vitin 2024, parashikon FMN.
Parashikimi për vitin 2023 është 0,2 pikë përqindjeje më i lartë se sa ishte parashikuar në Perspektivën Ekonomike Botërore të tetorit 2022 (WEO), por më poshtë se mesatarja historike (2000–19) prej 3.8 për qind.
Rritja e normave të bankës qendrore për të luftuar inflacionin dhe lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdojnë të rëndojnë mbi aktivitetin ekonomik.
Përhapja e shpejtë e COVID-19 në Kinë e frenoi rritjen në vitin 2022, por heqja e kufizimeve së fundmi ka hapur rrugën për një rikuperim më të shpejt se sa pritej.
Inflacioni global pritet të bjerë nga 8.8 për qind në 2022 në 6.6 për qind në 2023 dhe 4.3 për qind në 2024, ende mbi nivelet e para-pandemisë (2017–19) prej rreth 3.5 për qind.
Britania pritet të jetë vetmja ekonomi kryesore që do të tkurret në vitin 2023
Në parashikimet e saj për vitin 2023, FMN pret një rritje të PBB-së për Shtetet e Bashkuara prej 1.4%, nga 1.0% nga parashikimet e tetorit, dhe pas rritjes 2.0% në 2022.
Edhe për Eurozonën parashikohet një rritje prej 0.7 për qind, kundrejt 0.5% në perspektivën e tetorit, pas rritjes prej 3.5% në 2022. FMN tha se Europa ishte përshtatur me kostot më të larta të energjisë më shpejt se pritej, dhe një lehtësim i çmimeve të energjisë e kishte ndihmuar rajonin.
Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar do të tkurret dhe do të performojë më keq se ekonomitë e tjera të zhvilluara, përfshirë edhe Rusinë, pasi kostot e jetesës vazhdojnë të godasin familjet, tha Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ekonomia britanike do të tkurret me 0.6 për qind në 2023, në vend që të rritej lehtë siç parashikohej më parë.
FMN tha se kishte ulur parashikimin e saj për Mbretërinë e Bashkuar për shkak të çmimeve të larta të energjisë, rritjes së kostove të hipotekave dhe taksave të rritura, si dhe mungesës së vazhdueshme të punëtorëve.
Mbretëria e Bashkuar pritet të jetë i vetmi vend që do të tkurret gjatë 2023 në të gjitha ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim. Edhe Rusia e goditur nga sanksionet parashikohet të rritet këtë vit.
Ekonomia e Kinës do të rriten në 5.2 për qind, rritje e dukshme krahasuar nga parashikimi prej 4.4 për qind në tetor. Gjatë vitit të shkuar Kina pa një rritje prej 3.0%, një normë rritje nën mesataren globale për herë të parë në më shumë se 40 vjet. Shkak kryesor u bënë politikat e bllokimit “zero-Covid”. Rikuperimi i ekonomisë për Kinën pritet të jetë afatshkurtër.
Fondi shtoi se rritja e Kinës “do të bjerë në 4.5% në 2024 përpara se të vendoset nën 4% në periudhën afatmesme mes dinamikës në rënie të biznesit dhe progresit të ngadaltë në reformat strukturore”.
Parashikimet për Indinë mbeten të larta. Gjatë vitit 2023 ekonomia do të rritet në 6.1%, ndërsa në 2024 6.8%, në përputhje me performancën e saj në 2022.
Edhe me rihapjen e Kinës, FMN parashikon që çmimet e naftës do të bien si në 2023 ashtu edhe në 2024 për shkak të rritjes ekonomike më të ulët globale krahasuar me 2022.