Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni priti në një takim një përfaqësi të Shoqatës së Ndërtuesve.
Takimi vjen pak ditë pasi Ministrja Gjermeni iu drejtua me një shkresë të posaçme drejtuesve të 61 njësive vendore dhe grupeve të interesit, mes të cilëve edhe Shoqatës së Ndërtuesve. Qëllimi ishte njohja me problematikën dhe shqetësimet, që ndërtuesit hasin sa i përket procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit.
Ministrja Gjermeni risolli në vëmendje vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, më 30 korrik 2015, i cili ligjëron mundësinë e dhënies së lejeve të ndërtimit nga kryetarët e bashkive.
Ajo u bëri me dije përfaqësuesve të Shoqatës së Ndërtuesve , se javën e ardhshme do të nisë testimi i sistemit online për aplikimin e lejeve të ndërtimit. Pas aplikimit, do të jenë bashkitë ato, të cilat do të rakordojnë procesin me institucionet e tjera, që kanë në kompetencë dhënien e lejeve të ndërtimit.
Testimi do të vijojë deri në fund të muajit mars. Ministrja Gjermeni tha se pas 31 Marsit 2016, aplikimi online do të jetë i detyrueshëm për çdo individ apo biznes, duke eliminuar kështu procedurat e gjata dhe dorëzimin nëpër zyra të dokumentacionit të nevojshëm për lejet e ndërtimit.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve vlerësuan takimin e kërkuar nga Ministrja Gjermeni, duke e parë atë si mundësinë e duhur për të renditur problematikat që ata hasin.
“ Ministria e Zhvillimit Urban është institucioni, që na ka afruar dhe ka marrë në konsideratë mendimet tona. Më herët ka qenë shumë e vështirë që opinionet tona të përfshiheshin në dokumentat, që janë hartuar për planifkimin dhe zhvillimin e territorit”, u shprehën ndërtuesit.
Gjatë diskutimeve ata shprehën disa nga shqetësimet, që kanë të bëjnë kryesisht me ndryshimet e reja ligjore sa i përket rritjes së taksës së ndikimit të infrastrukturës. Një tjetër shqetësim i ndërtuesve ishte fakti se, disa bashki në vend nuk kanë vijuar me dhënien e lejeve të ndërtimit, sikundër parashikon kuadri ligjor në fuqi.
Në fund të takimit u ra dakord për organizimin e një tryeze mes ndërtuesve dhe drejtuesve të bashkive kryesore, lidhur me problemet dhe paqartësitë që të dy palët kanë për të mos penguar dhënien e lejeve të ndërtimit në të gjithë vendin. Tryeza do të drejtohet nga Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.