Gjiknuri në Baku : Në qershor nis ndërtimi i tubacioneve të TAP në Shqipëri dhe Greqi

29/02/2016 1:50 PM 0 komente

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri mori pjesë në punimet e takimit të dytë të Këshillit të Ministrave të Energjisë së Korridorit Jugor të Gazit, pjesë e të cilit është edhe gazsjellësi TAP.

Në takim merrnin pjesë ministrat e Azerbajxhanit, Shqipërisë, Bullgarisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Italisë, Turqisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Britanisë së Madhe. Të pranishmëve ju drejtuan me përshëndetje të rastit Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, përfaqësuesi i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Energjinë Amos J.Hochstein, zëvendës Presidenti i komisionit Evropian Matros Sevcovic dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme në Bashkimin Evropian Federica Mogherini.

Ministrat u informuan mbi ecurinë e projektit të gazsjellësit në vendet respektive ndërsa theksuan rëndësinë primare që merr siguria energjitike dhe diversifikimi i burimeve.

“Në këtë takim u theksua edhe njëherë rëndësia e Korridorit Jugor të Gazit dhe mbi të gjitha angazhimi që kanë marrë të gjitha shtetet për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm, pra bëhet fjalë për projektin TANAP dhe TAP. Doli shumë e qartë se progresi i TAP është i dukshëm dhe u konfirmua dhe njëherë se financimet janë të mundshme, u garantua se punimet në terren në Shqipëri për tubacionin do të fillojnë në mesin e këtij viti”, u shpreh z.Gjiknuri.

Tryeza e ministrave ra dakord gjithashtu që të promovojë zgjerimin e Korridorit Jugor të Gazit me tregje të tjera, përfshirë edhe ato jashtë kufijve të Bashkimit Evropian, siç janë vendet e Komunitetit të Energjisë në rajonin e Ballkanit përmes projektit të gazsjellësit Jonian-Adratik (IAP) dhe interkonektorit Greqi-Bullgari.

“Edhe në deklaratën përfundimtare u përfshi dhe gjeti mbështetje nga vendet pjesëmarrëse ideja e zgjerimit të këtij projekti me atë që tanimë njihet si gazsjellësi Jonian-Adriatik (IAP). Aktualisht, Shqipëria bashkë me Malin e Zi kanë aplikuar në Komisionin Evropian për financimin e dizajnit përfundimtar të këtij gazsjellësi. Nga ana tjetër, u përmend edhe aplikimi që ka bërë Shqipëria dhe Kosova për studimin e fizibilitetit të degëzimit të mundshëm të gazsjellësit me segmentin Shqipëri-Kosovë. Këto janë zhvillime të rëndësishme që u theksuan edhe njëherë dhe gjetën mbështetjen e gjithë pjesëmarrësve në këtë takim, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komisionit Evropian dhe të gjitha shteteve të Korridorit të Jugut”, theksoi ministri Gjiknuri.

Gjatë punimeve të konferencës ministri Gjiknuri zhvilloi bisedime me homologët e pranishëm ashtu sikurse me përfaqësuesit e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Z.Gjiknuri bashkëbisedoi edhe me përfaqësuesit e kompanive prestigjoze SOCAR dhe BP.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of