Brukseli ka goditur Google me një gjobë antitrust 2.42 miliardë euro për abuzimin me pozitën e saj dominuese në kërkim, një vendim me pasoja potencialisht të gjera si për sektorin e teknologjisë së lartë, ashtu dhe marrëdhëniet tashmë të tensionuara transatlantike.
Komisioni Europian ka përfunduar hetimin e tij shtatëvjeçar të konkurrencës të martën, duke arritur në përfundimin se grupi i kërkimit ka abuzuar me pothuajse-monopolin e tij në kërkimin në internet për t’i “dhënë përparësi të paligjshme” shërbimit të vet tregtar (shitjeje online).
Margrethe Vestager, komisionerja e konkurrencës së BE-së, tha se Google “i ka mohuar kompanive të tjera mundësinë për të konkurruar” duke u kufizuar konsumatorëve mundësitë e zgjedhjeve.
“Strategjia e Google për shërbimin e tij të krahasimit të shitjeve online nuk ishte vetëm për tërheqjen e klientëve duke e bërë produktin e saj më të mirë se ato të rivalëve te saj. Në vend të kësaj, Google ka abuzuar me dominimin e saj në treg si një motor kërkimi, duke nxitur shërbimin e vet të shitjeve online në rezultatet e kërkimit dhe duke demotivuar ato të konkurrentëve. Ajo që Google ka bërë është e paligjshme sipas rregullave antitrust të BE-së. ”
Kompania ka 90 ditë për të bërë ndryshime, tha komisioni.
Aksionet e kompanisë Google mëmë, ranë 1.5 për qind në tregtimet e hershme të bursës në Nju Jork.
Hetimi i Google është një nga më kompleksët dhe i ngarkuar politikisht, që është ndërmarrë ndonjëherë nga Brukseli.