Greqia është renditur tre vende më poshtë në renditjen e raportit “Të bësh biznes 2017” të publikuar nga Banka Botërore, duke u zhvendosur nga vendi i 58-të në vendin e 61-të nga 190 vende të renditura.
Ky është viti i dytë radhazi që renditja e Greqisë është përkeqësuar në tabelë, si pasojë e pengesave të vazhdueshme të sipërmarrjes që kanë larguar investimet, kërkesë kryesore për rimëkëmbjen e ekonomisë greke. Në tabelën e “të bërit biznes” të Bankës Botërore, sa më e lartë të jetë renditja, aq më i favorshëm është vendi për të bërë për të nisur dhe për të zhvilluar një biznes. Vendet janë renditur sipas pikëve që janë vlerësuar në dhjetë fusha.
Greqi mori të njëjtat pikë si në 2015. Kjo tregon për stanjacionin në një periudhë ku shpejtësia e reformave është e domosdoshme, ndërkohë që vendet e tjera kanë bërë hapa shtesë dhe kanë përparuar ndaj Greqisë në rritjen e aktivitetit të biznesit dhe tërheqjen e investitorëve.
Pozicionimi i Greqisë është përkeqësuar në tetë nga dhjetë fushat, si dhe Banka Botërore ka dhënë një referencë special për taksimin e korporatave në këtë vend. BB nënvizon se shuma e taksave dhe kontributet në sigurimet shoqërore tregojnë se ajo çka bizneset paguajnë llogaritet si 50.7% e fitimeve të tyre. Norma mesatare në vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) është rreth 40.9%.
Në Greqi, një biznes i duhet të operojë për 193 orë në mënyrë që të mbulojë detyrimet, ndërkohë që mesatarja e OECD është 163.4 orë, shton raporti. Mesatarisht duhen 13 ditë për të nisur një biznes në Greqi, kundrejt mesatares së OECD prej 8.3 ditësh.