Të mirat: Një nga karakteristikat më të dallueshme të modelit të ri One Mini 2 është fotokamera me sensorë 5 megapiksel, që HTC e ka përkufizuar si “perfekte” për të shkrepur selfie.
Të këqijat: Mungon teknologjia Ultrapixel
Të përgjithshme: Ky është versioni kompakt i HTC One (M8), por i pajisur me karakteristikat e duhura. Mbërrin në qershor
Çmimi: 470 euro
Mbërritja e HTC One Mini 2 tashmë është zyrtare. Pas hedhjes së suksesshme në treg të modelit HTC One (M8), shoqëria tajvaneze sapo ka prezantuar smartfonin e dytë të së njëjtës gamë, por në version më kompakt dhe më ekonomik dhe të pajisur me karakteristika të mira. Mbi të gjitha, ky është një model i krijuar enkas për të gjithë adhuruesit e selfie-ve.
Origjinali One Mini nuk u prit me shumë entuziazëm për shkak të çmimit të lartë me të cilin iu servir publikut, por edhe për shkak të një hardueri pak më shumë mediokër; te modeli pasardhës HTC ka bërë disa përmirësime të ndjeshme në dizajn që u reflektuan edhe te HTC One (M8) falë mbulesës metalike.
HTC One Mini 2 ka përmasa: 137,4 x 65 x 10,6 milimetra dhe peshon 137 gramë, pra është pak më i madh dhe më i rëndë se ai i mëparshmi.
Një nga motivet e këtij ndryshimi në përmasa ka të bëjë me faktin se HTC One Mini 2 ka një ekran 4.5 polësh në krahasim me 4.3 polësh që e ka modeli i gjeneratës së fundit. Rezolucioni ka mbetur i njëjtë 1280 x 720 piksel, ndërsa në brendësi të kapakut është përfshirë një procesor quad-core Qualcomm Snapdragon 400 1,2 GHz, GPU Adreno 305, 1 GB RAM, 16 GB memorie të zgjerueshme me anë të kartës microSD deri në 128 GB, bateria është 2100 mAh dhe ka një rrjet të gjerë për ndërlidhje që përfshin: Wi-Fi, Bluetooth 4.0, NFC e microUSB.
Një nga karakteristikat më të dallueshme të modelit të ri One Mini 2 është fotokamera me sensorë 5 megapiksel që HTC e ka përkufizuar si “perfekte” për të shkrepur selfie, një tendencë që po bëhet gjithnjë e më përhapur, veçanërisht pas natës së çmimeve ‘Oskar’. Ky aparat ka edhe një fotokamerë të pasme 13 megapiksel, të pasuruar me një objektiv f/2.2.
Arsyeja se përse HTC ka vendosur që të mos përdorë te ky model teknologjinë Ultrapixel është ende e panjohur dhe mungesa e saj do të thotë se nuk do të disponohet as Zoe.
Smartfoni i ri i HTC do të pajisjet me Android 4.4 KitKat, i personalizuar nëpërmjet pamjes së jashtme Sense 6.0, që e bën padyshim më të mirë nga ana vizuale, më të rafinuar në krahasim me atë UI të montuar në aparatin e vitit të kaluar. HTC One Mini 2 do të mund të gjendet në treg në dy ngjyra: gri (Gunmetal Gray) dhe argjend (Glacial Silver).