Sot, zhvillimet teknologjike i kanë dhënë një dimension tjetër mënyrës se si të gjithë ne zgjedhim të komunikojmë me njëri-tjetrin, si menaxhojmë kohën, punojmë ose zhvillojmë bizneset. Bota fizike dhe ajo dixhitale janë duke u ndërthurur sëbashku me shpejtësi.
Për sistemin bankar, kjo merr një rëndësi të veçantë për sa kohë që janë bankat ato që kanë mundësinë të prezantojnë dhe orjentojnë klientët e tyre drejt këtyre zhvillimeve që lehtësojnë transaksionet e tyre.
Nga transaksione të thjeshta në sportelet e bankave që procesoheshin manualisht dhe kërkonin përfshirje të lartë operacionale, bankingu sot ka përqafuar zhvillimet e fundit të teknologjisë duke na dhënë të gjithëve mundësinë të jemi më efiçentë në plotësimin e nevojave tona për shërbime bankare. Rezultati është konkret, në degët e bankave ka gjithnjë e më pak rradhë ndërsa në sajë të teknologjisë që banka implementon klientët mund të kryejnë një mori transaksionesh nga kudo që ndodhen.
Ishte banka ProCredit, e cila në vitin 2003 prezantoi për herë të parë në tregun shqiptar kartat e debitit për veprime në bankomat. Në vijim të kësaj fryme inovative ka investuar në mënyrë të vazhdueshme në pasurimin e platformës elektronike e-banking. Për ta çuar më tej këtë frymë dhe kontribuar në zhvillimin e tregut bankar shqiptar, në 20 vjetorin e saj banka ProCredit bën një investim më të madh në tregun bankar, Zonat 24/7 -të vetëshërbimit. Duke synuar vendosjen e standardeve të njejta të shërbimit për klientët e saj grupi ProCredit po e implementon njëherësh këtë koncept bankimi në të gjitha bankat ProCredit që operojnë në rajon. Bankat rajonale ProCredit si banka në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Bullgari etj, ofrojnë mbështetje reale jo vetëm në lehtësimin e transaksioneve të klientëve të tyre nëpërmjet transfertave të shpejta dhe lira ProPay, por edhe në krijimin e lidhjeve të reja të biznesit midis klientëve të bankave ProCredit.
Çfarë avantazhesh sjellin për klientët e bankës ProCredit Zonat 24/7?
Zonat 24/7 -të vetëshërbimit mbështesin si klientët e biznesit ashtu edhe individët. Këto zona do të jenë në shërbim të klientëve tanë në të gjitha qytetet e Shqipërsisë ku gjenden dhe Agjencitë ProCredit.
Transaksionet e kryera në Zonat 24/7 janë më efiçente, çfarë nënkupton transaksione që kryhen pa kufizime në kohë gjatë 24 orëve në 7 ditë të javës, më shpejt dhe për më tepër më më lirë se në sportelet e bankës. Padiskutim që kjo avantazhon drejtpërsëdrejti në funksionim më të shpejtë e më të mirë të bizneseve që operojnë me ProCredit, duke vlerësuar elementin kohë dhe pavarësinë e kryerjes së transaksioneve të tyre rutinë pa u ndikuar nga orari zyrtar bankës.
Këto Zona janë gjithashtu edhe për të gjithë ata klientë individë, pagamarrës apo ata që zgjedhin të kursejnë me një partner të qëndueshëm e të besueshëm si ProCredit Bank. Zonat 24/7 përbëjnë një mundësi të re për të kryer shërbime bankare kur për ta është më e përshtatshme, duke mos shtyrë në kohë impenjimet e tyre familjare, apo të tjera angazhime.
Çfarë veprimesh mund të kryhen në këto zona?
E shprehur thjeshtë, në këtë Zonë biznese dhe individë mund të kryejnë të gjithë gamën e transaksioneve të tyre rutinë. Që nga sigurimi online i pasqyrës së gjendjes së llogarisë e deri tek depozitimi në llogari personale dhe biznesi, transferta e pagesa.
Zonat 24/7 janë të pajisura me bankomate dhe pajisje ku përveç tërheqjeve mund të kryhen depozitime të cashit në shuma të ndryshme. Më konkretisht, në pajisjen Pay Box ju mund të bëni depozitime në llogaritë tuaja rrjedhëse ose kursimi deri në një limit ditor prej 200 000 lekësh. Shuma e depozituar kreditohet në moment duke ju dhënë mundësinë të plotësoni më tej nevojat tuaja për shërbime të tjera bankare.
Çdokush mund të aksesojë Zonen 24/7 nëpermjet një karte të vlefshme debiti ose krediti.
Në çdo Zonë 24/7 të vetëshërbimit do të gjendet terminali e-banking, ku ju do të mund të kryeni shumë lehtë dhe shpejt pagesa për palë të treta, transferta kombëtare, ndërkombëtare, pagesa doganash, këmbime me kurs preferencial si dhe transaksione të tjera.
Për ato biznese që në tipologjinë e tyre qarkullojnë dhe mbledhin sasi të mëdha cashi dhe gjenden para vështirësisë që cashin nuk arrijnë dot ta depozitojnë në llogarinë e tyre të biznesit pranë bankës sonë në kohë, pra brenda orarit zyrtar të bankës, kemi gjetur zgjidhjen e duhur. Tashmë me anë të depozitimit në kasafortën Drop Box, ju do të mund të kurseni kohën e pritjes në rradhë, pritjes për numërimin e cashit duke evituar të nxitoni për të kryer veprime brenda orarit zyrtar të bankës.
Për ta plotësuar dhe më tej gamën e shërbimeve në funksion të plotësimit të nevojave të klientëve tanë ofrojmë një zgjidhje të re për kryerjen e transfetave: Ju duhet vetëm të plotësoni të dhënat e transfertës dhe ta vendosni më pas urdhër transfertën në kutinë e transertave, duke evituar pritjen në rradhë.
Për të prezantuar më së miri këtë mënyrë të re të bankingut dhe asistuar klientët e saj gjatë kryerjes së veprimeve për herë të parë në këtë zonë, staf me eksperiencë do të jetë i gatshëm t’ju shpjegojë dhe japë përgjigje për çdo pyetje apo paqartësi.
Për më tepër Zonat 24/7 janë të pajisura me telefon, i cili ju mundëson lidhje direkte me Qëndrën e Kontaktit 24 orë në 7 ditë të javës.
Pse ProCredit Bank investon në Zonat 24/7?
Jemi ne bankat, ato të cilat me investimet tona krijojmë ura të reja për zgjerimin e infrastrukturës për rritjen e përdorimit të shërbimeve inovative bankare dhe elektronike. Sot flasim për paranë elektronike si një realitet i patjetërsueshëm, por zhvillimet teknologjike kanë avancuar me ritme të shpejta duke na vënë para sfidave të mëdha, por që japin oportunitete të shumta për zhvillimin e tregut bankar shqiptar duke rritur përdorimin e shërbimeve elekronike. Nëse krahasohemi me vendet e Europës, ose dhe të rajonit diferencat janë të mëdha. Duke pasur objektiva të qarta afatgjatë, me synim reduktimin e hendekut me vendet e tjera, me të cilët klientët tanë kanë lidhje biznesi dhe ndikuar në plotësimin e nevojave të klientëve tanë dhe në zhvillimin e tregut në të cilin operojmë, ProCredit bank investon në teknologji të reja, duke sjellë inovacion në treg.
Fokusi ynë është ofrimi i shërbimit cilësor për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme(SME), ndaj në një kohë kur ekonomia lëviz me hapa shumë të shpejtë, koha kthehet në një element të vyer për bizneset dinamike, ku nevoja për të kaluar sa me pak kohë në sportelet bankare kthehet në domosdoshmëri.
Në përputhje me misionin e bankës sonë për zhvillimin e bizneseve shqiptare që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, ne sjellim shërbime bankare moderne që sjellin efiçencë dhe sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm të bizneseve vendase.
Për më tepër, kjo përqasje e re do të sigurojë një vëmendje të veçantë tek këshillimi financiar. Shkëputja nga veprimet me përfshirje të lartë oparacionale, si numërim cash, transaksione të thjeshta rutinë, që konsumonin rreth 70 % të kohës së këshilluesve të klientëve, tashmë do jetë në funksion të këshillimit të personalizuar për klientët tanë. Padiskutim që banka e së ardhmes do të jetë shumë e ndryshme nga sot dhe në përputhje me nevojat e tregut, me e shpejtë dhe më e lirë.
Banka Procredit është një bankë tregtare e orjentuar drejt zhvillimit, në mbështetje të bizneseve SME. 100 % kapital gjerman-Aksioneri ynë i vetëm është ProCredit Holding, me qëndër në Frankfurt, Gjermani, supervizohemi nga autorite të lata të supervizimit gjerman, Bundesbank dhe BaFin që sigurojnë besueshmërinë dhe qëndrueshërinë tonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.