INSTAT rishikon me ulje rritjen ekonomike të vendit për vitet 2015 dhe 2014

31/05/2017 12:01 PM 0 komente

Në vlerësimin final për rritjen ekonomike të vitit 2014, INSTAT raportoi sot, se rritja është zgjeruar me 1.77 për qind, nga 1.89 për qind që ishte vlerësimi gjysmën final. Ky është vlerësimi i tretë me ulje që i bëhet rritjes ekonomike të vitit 2014, teksa treguesit paraprak të INSTAT patën raportuar se ekonomia e vendit ishte rritur me rreth 2,2 për qind në vitin 2014.

Gjithashtu me ulje është rishikuar edhe rritja ekonomike e vitit 2015, ku sipas vlerësimit gjysmën final ekonomia më 2015 është zgjeruar me 2,23 në raport me 2014 nga 2.69 për qind që ishin vlerësimet fillestare.

Rishikimet me ulje e nxisin në mënyrë artificiale një rritje më të arritshme në shifra për vitet pasuese.

“Në vitin 2015 ekonomia shqiptare shënoi një rritje në terma realë prej +2,23 %, krahasuar me vitin 2014, pas një rritje prej +1,77 % në vitin 2014 krahasuar me vitin 2013” raportoi INSTAT.

PBB me çmime korente në vitin 2015 u vlerësua 1.427.799 milion lekë (10,2 miliardë Euro) dhe 1.395.305 milionë lekë (10,0 miliardë Euro) për vitin 2014. PBB për frymë në vitin 2015 arriti në 496 mijë lekë (ose 3.547 €) nga 483 mijë lekë (ose 3.450 €) që ishte në vitin 2014.

Sipas PBB-së me metodën e prodhimit, kontributin kryesor në rritjen ekonomike e dhanë degët si: “Ndërtimi” me +0,57 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me +0,44 pikë përqindje, “Industria” me +0,29 pikë përqindje, “Tregti, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor” me +0,28 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe shërbimet e tjera” me +0,16 pikë përqindje, “Bujqësia, pyjet dhe peshkimi” me +0,16 pikë përqindje dhe “Aktivitete financiare dhe sigurimi” me +0,13 pikë përqindje. Taksat neto mbi produktet kontribuan me -0,06 pikë përqindje.

Përsa i përket strukturës së PBB sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2015 vazhdojnë ta zënë Shërbimet me 46,5 % të PBB, të cilat u rritën me 2,77 % në terma realë. industria dhe Ndërtimi përbëjnë 21,2 % të Produktit të Brendshëm Bruto.

Industria në terma realë u rrit me 2,26 %, kurse Ndërtimi me 6,64%. Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë 20,1 % të PBB dhe janë rritur me 0,79 % në terma realë.

Deflatori i PBB-së për vitin 2015 ishte +0,1 %. Sipas PBB–së me metodën e shpenzimeve, Konsumi final, komponenti me peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi prej 92,38 %, u rrit me 2,49 % në terma nominalë dhe 0,89 % në terma realë.

Në strukturën e Konsumit Final është konsumi final i popullatës ai që zë peshën më të madhe, prej 80,54 %, i ndjekur nga konsumi i administratës publike me 11,16 % dhe konsumi i institucioneve jo-fitimprurëse në shërbim të familjeve (IJFSHF) me 0,68 %.

 

Në vitin 2015, Formimi bruto i kapitalit fiks i cili përbën 24,64 % të PBB-së, u rrit me 4,37 % në terma nominalë dhe 4,03 % në terma realë, krahasuar me vitin 2014. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 0,65 % në terma nominalë dhe pësuan një rritje e lehtë me 0,97 % në terma realë, ndërkohë që importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 3,00 % në terma nominalë dhe u ulën me 2,88 % në terma realë, krahasuar me vitin 2014.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of