Flet Matteo Colangeli, drejtor i BERZH-it për Shqipërinë
Drejtori për Shqipërinë i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Matteo Colangeli, rrëfehet në një intervistë të posaçme për “Monitor” për çështje që lidhen me ndikimin e situatës politike te klima e biznesit, rëndësinë e procesit të “Vetting”-ut, investimet strategjike të portofolit, por edhe vlerësimi për aksionerët e rinj kinezë të aeroportit “Nënë Tereza”. Ai shton se investimet potenciale, apo investitorët të cilët po konsiderojnë projekte apo aktivitete të reja në Shqipëri, do të kalojnë në gjendje “pritjeje”. Ata do të presin disa muaj për të parë sesi do të shkojnë zgjedhjet dhe për qeverinë e re, për të marrë vendime
Z. Colangeli, situata politike që po kalon aktualisht Shqipëria a mendoni se do të ketë ndikim sa i përket Investimeve të Huaja Direkte?
Është e natyrshme që procesi zgjedhor do të ketë ndikim në përcaktimin e kohës së investimeve nga bizneset.
Unë mendoj se në lidhje me investimet e huaja që janë duke u zbatuar, siç është TAP, nëse mund të përmend një prej tyre, besoj se nuk do të ketë ndikim në mbarëvajtjen. Investimet e tilla do të vazhdojnë ecurinë e tyre të pandikuara nga situata politike, por edhe nga fushata apo zgjedhjet parlamentare.
Sa u përket investimeve potenciale apo atyre investitorëve që po konsiderojnë projekte apo aktivitete të reja në Shqipëri, besoj se ata do të kalojnë që gjendje “pritjeje”, do të presin disa muaj për të parë sesi do të shkojnë zgjedhjet deri në krijimin e një ekzekutivi të ri. Kjo është ndarja e mundshme që mund të bëj mes investimeve në zbatim dhe atyre që mund të vijnë, si potenciale.
Në fakt, edhe disa vende të tjera të Ballkanit janë në një situatë të vështirë politike, a mendoni se kjo klimë mund të ndikojë në vendimmarrjen e investitorëve?
Në këndvështrimin e përgjithshëm, Ballkani si ‘një i tërë’ është një rajon tërheqës për investitorët e huaj për aq kohë sa perceptohet i i tillë. Ekziston, pra perceptimi se ky rajon po ecën drejt një tregu më të harmonizuar dhe si i tërë është më tërheqës për investitorët e huaj. Në këtë mënyrë, ai ka më shumë mundësi për të ofruar zgjerim aktiviteti në tregje të tjera dhe mund të kthehet në një “pikë shitjeje” më interesante.
Ky është drejtimi që vendet e rajonit po ndjekin vitet e fundit, në përputhje edhe me proceset e integrimit në BE.
Çdo devijim nga ky drejtim, në mënyrë të qartë do të ishte një lajm i keq për investitorët. Flasim për shtete të vogla të cilat bëhen më tërheqëse nëse konvergojnë drejt një tregu të vetëm ndaj është me rëndësi që procesi i integrimit të Ballkanit të vazhdojë.
Në këtë kontekst, Shqipëria ka shfaqur një qëndrueshmëri të mirë ekonomike. Zgjedhjet janë një proces i zakonshëm për vendet demokratike dhe vendi po shkon drejt këtyre zgjedhjeve nën një kuadër të qëndrueshëm makroekonomik dhe me potencial për rritje.
Shqipëria po performon mirë, por ajo është pjesë e rajonit dhe kur një investitor vlerëson mundësinë për të investuar, ai padyshim do të marrë në konsideratë situatën në tërësi.
A keni ju një këshillë për qeverinë shqiptare, nisur edhe nga fakti se jemi në prag fushate? Ku duhet të tregohemi të kujdesshëm?
Unë mendoj se qeveria duhet të vazhdojë të mbajë të pandryshueshme prioritetet e saj dhe të vazhdojë të punojë për integrimin në BE. Në këtë kuadër, sundimi i ligjit dhe Reforma në Drejtësi janë bazike. Janë të tilla për vetë qëllimin që ato kanë për integrimin në BE, por edhe si garanci për tërheqjen e investimeve. Një sistem transparent, një sistem gjyqësor i drejtë janë elemente të rëndësishme, por edhe parakushte për rritjen ekonomike.
A kemi një shifër sesa mund të jenë investimet e BERZH-it për këtë vit në Shqipëri?
Ajo që mund të them është se ne investuam 178 milionë euro vitin e kaluar dhe kjo ishte një shifër rekord. Ajo që ne parashikojmë për këtë vit është që të arrijmë në një shifër më të lartë, ky është edhe objektivi ynë.
Kuvendi pritet të ratifikojë marrëveshjen e huasë për ndërtimin dhe rehabilitimin e hekurudhës Tiranë – Durrës – Rinas, e cila është siguruar nga BERZH…
Ne besojmë se sektori hekurudhor në Shqipëri ka nevojë urgjente për modernizim, si një mënyrë për të nxitur zhvillimin e ekonomisë shqiptare, për integrimin e vendit në tregje të tjera, përfshi këtu edhe ato të rajonit.
Ne po nisim me segmentin Durrës – Aeroporti i Rinasit, duke qenë se Porti i Durrësit është një aset i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare, në të cilin kalojnë flukse të mëdha tregtare drejt tregjeve të tjera të rajonit.
Jemi të angazhuar për nisjen e këtij projekti, për të cilin nënshkruam marrëveshjen me qeverinë në fund të vitit të kaluar.
Hapi i ardhshëm do të jetë që të nënshkruajmë marrëveshjen me Hekurudhën Shqiptare, e cila do të zbatojë projektin. Ne besojmë se kjo do të ndodhë shumë shpejt, në javët në vazhdim.
Më tej autoritetet shqiptare do të mund të vazhdojnë me procesin e tenderimit për kontratat për modernizimin e hekurudhës.
BERZH gjithashtu është angazhuar në hartimin e studimit të fizibilitetit për lidhjen e Hekurudhës Shqiptare me atë të Malit të Zi, jemi në fazën përgatitore dhe shpresojmë që në vitin 2018 të mund të nënshkruhet marrëveshje mes palëve për nisjen e zbatimit të projektit.
A ka një afat për këtë projekt?
Nuk ka afate të përcaktuara, por procesi ka kaluar në anën e qeverisë shqiptare, pasi i takon asaj të vazhdojë procedurat.
Është Hekurudha Shqiptare ajo që do të realizojë tenderin, ndërsa ne do të financojmë.
Ne jemi gati të procedojmë, sapo qeveria shqiptare të përfundojë procedurat e tenderimit.
A po ecën si duhet qeveria shqiptare në këtë projekt?
Duhet kuptuar se projektet kombëtare kërkojnë kohën e tyre natyrale. Ka procedura që duhet të ndiqen. Prokurimi kërkon kohë. Ky nuk është një projekt që do të përmbushet brenda këtij viti. Do të duhen rreth dy apo tre vjet. Ne po punojmë që ai të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur. Pala shqiptare duhet të bëjë punën e vet, me procesin e tenderimit, për të cilën ne shpresojmë që të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur, përpara zgjedhjeve.
BERZH ka akorduar një hua për TIA-n (Aeroporti ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’) që nga viti 2005. Rreth një vit më parë, banka kërkoi më shumë informacion për aksionerët e rinj të aeroportit, për të cilët u ngrit pretendimi se ishin kompani “offshore”…Cili është opinioni juaj për këtë çështje?
Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit ka një aksioner të ri. Është normale për BERZH që të marrë informacione në momentin kur ka ndryshime aksionerësh, ajo që njihet si “due intelligence”.
Pasi kemi vlerësuar aksionerët e rinj kemi arritur në përfundimin se i qëndrojmë angazhimit tonë duke mos ushtruar të drejtën tonë për të dalë nga projekti. Ne vazhdojmë të jemi një nga institucionet kredituese dhe jemi të kënaqur që do të punojmë me aksionerët e rinj.
Në lidhje me pretendimet e ngritura për origjinën e aksionerëve, unë mund të them se Banka i vlerëson këto ceshtje rast pas rasti dhe në këtë rast jemi të kënaqur me rezutatet e “due diligences”. Ne jemi të hapur ndaj bashkëpunimit me kompanitë kineze në të gjithë rajonin, përshirë edhe Shqipërinë. Krahas kësaj, Kina vitin e shkuar ju bashkua vendeve aksionere të Bankës.
Ndër të tjera BERZH, ka asistuar qeverinë shqiptare sa i përket procesit të mirëmbajtjes së rrugëve kombëtare..
Banka historikisht është angazhuar në projekte infrastrukturore, rrugore në Shqipëri. Natyrisht janë projekte të ndërlikuara dhe përballen me sfida nga më të ndryshmet. Në tërësi kemi të bëjmë me ecuri pozitive, por i shqyrtojmë çështjet rast pas rasti me autoritetet dhe me palën shqiptare.
A mund të na rendisni disa nga projektet kryesore që BERZH do të mbështesë në muajt në vazhdim?
BERZH në bashkëpunim me qeverinë Shqiptare do të vazhdojë të mbështesë sektorin e agrobiznesit. Programi për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri synon që të lehtësojë aksesin në financime përmes kreditimit nga bankat e nivelit të dytë dhe institucionet mikrofinanciare. Aktualisht ne kemi nënshkruar marrëveshje me katër banka dhe dy institucione mikrofinanciare, ndërsa presim që skemës t’i bashkohen edhe dy institucione të tjera financiare.
Në këtë mënyrë ne synojmë që portofoli i kreditimit të bankave partnere dhe institucioneve mikrofinanciare të rritet me 180 milionë euro përgjatë tre viteve në vijim. Aktualisht jemi në fazën e zbatimit dhe kemi shënuar progres të ndjeshëm.
Gjithashtu në fokus gjatë këtij viti do të jetë i gjithë sektori privat, jo vetëm bujqësia. Ne duam të rrisim investimet direkte për kompanitë vendase, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ky është një sektor ku ne duam të bëjmë më shumë.
Infrastruktura bashkiake është gjithashtu një sektor ku ne synojmë të angazhohemi gjatë këtij viti. Ne po punojmë ngushtë me Bashkinë e Tiranës për përgatitjen e një plani masash në kuadër të iniciativës tonë për Qytete të Gjelbra (Green Cities). Kjo konsiston në identifikimin e investimeve prioritare në mjedis për të cilat ne do të mbështesim më pas qytetin për t’i financuar dhe implementuar.
Ekonomia
Shqipëria ka një qëndrueshmëri ekonomike. Zgjedhjet janë një proces që është i zakonshëm për vendet me demokraci. Vendi shkon drejt këtyre zgjedhjeve me një kuadër të mirë makro, të qëndrueshëm dhe me rritje.
Hekurudha
Është Hekurudha Shqiptare ajo që do të realizojë tenderin, ndërsa ne do të financojmë.
Ne jemi gati të procedojmë, sapo qeveria shqiptare të përfundojë procedurat e tenderimit.
Rinasi
Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit ka një aksioner të ri. Është normale për BERZH që të marrë informacione në momentin kur ka ndryshime aksionerësh, ajo që njihet si ‘due intelligence’.
Kemi marrë në konsideratë pronarët e rinj dhe pas kësaj kemi arritur në përfundimin se i qëndrojmë angazhimit tonë dhe nuk kemi zbatuar të drejtën e rishikimit.
——————–
Ekonomia shqiptare, në optikën e BERZH
Gjatë vitit 2016, ecuria e ekonomisë u përmirësua gradualisht. Përmirësimi u reflektua kryesisht në zgjerimin e investimeve, të mbështetura nga rritja e fortë e Investimeve të Huaja Direkte (FDI) dhe eksporteve neto. Konsumi privat ka pasur një kontribut negativ në rritjen ekonomike, po kështu edhe shpenzimet qeveritare. Rritja vazhdoi edhe në gjysmën e parë të vitit 2016 në 3.1%, vit pas viti.
Banka Qendrore ka ndjekur politikën ekspansioniste monetare dhe atë të inflacionit vazhdimisht të ulët. Rënia e çmimit të naftës ndikoi në mbajtjen e normës mesatare të inflacionit në 2015 në vetëm 1.9%, nën nivelin 2% të përcaktuar nga banka.
Banka Qendrore vazhdoi lehtësimin e politikës monetare duke ulur normën mesatare bazë të interesit. Kjo politikë vazhdoi në prill e maj të 2016-s, duke e çuar atë në nivelin më të ulët historik në 1.25%. Politika e ndjekur ndikoi pjesërisht në stimulimin e kërkesës së brendshme private për financime. Megjithatë, kreditimi mbeti i ulët sidomos për biznesin.
Programi i FMN-së është në rrugën e duhur. Në qershor të vitit 2016, qeveria arriti me FMN marrëveshjen për përfundimin e shqyrtimit të tetë të programit. Bordi Ekzekutiv i FMN miratoi në gusht 2016 dhënien e 36 milionë eurove, duke e çuar shifrën në total në 370 milionë euro. Qeveria vazhdoi ndjekjen e politikave fiskale relativisht të kujdesshme, në përputhje me qëllimet e programit të FMN-së.
Pritet që ndikimet negative nga çmimi i ulët i naftës (Shqipëria është një vend prodhues) do të kompensohen pjesërisht nga një PBB më e lartë dhe nga të ardhurat e gjeneruara nga zbatimi i reformave strukturore në sektorin e energjisë, si dhe lufta ndaj informalitetit, e nisur në shtator 2015.
Perspektiva afatshkurtër mbetet pozitive, por rreziqet e brendshme mund të ngadalësojnë ritmin e rritjes.
Ekonomia shqiptare vazhdon të përballet me dobësitë strukturore, ndërsa sektori financiar mbetet i ekspozuar ndaj goditjeve të brendshme dhe të jashtme. Rritja në 2016-n pritet në 3.3%, ndërsa 3.5% në vitin 2017. Kjo rritje do t’i dedikohet kryesisht kërkesës së brendshme private, si dhe projekteve të mëdha infrastrukturore të tilla si Gazsjellësi Trans Adriatic. Politika monetare do të vazhdojë të mbështesë rritjen, ndërsa normat e ulëta të interesit duhet të nxisin kreditimin.
Në periudhën afatmesme, Shqipëria mund të përfitojë në mënyrë të konsiderueshme nga rimëkëmbja botërore nëse ajo do të jetë në gjendje të zbatojë reformat strukturore dhe të përparojë në bisedimet për çeljen e negociatave me BE-në.
Një paketë e rëndësishme e reformës gjyqësore u miratua, duke e ndihmuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria ka qenë një vend kandidat për anëtarësim në BE që nga qershori 2014, por nuk ka një datë të saktë për hapjen e negociatave. Një hap i rëndësishëm ishte miratimi nga Kuvendi në korrik 2016 i një sërë ndryshimesh kushtetuese, duke i hapur rrugën zbatimit të Reformës në Drejtësi. Reforma ka për qëllim të rrisë pavarësinë dhe profesionalizmin e sistemit gjyqësor.
Anëtarësimi i Shqipërisë do të ndihmohet edhe nga një shpërndarje e re e fondeve IPA II deri në 649,4 milionë euro në periudhën 2014-2020. Ndihma do të mbështesë reformat për përgatitjen për anëtarësim në BE, politikat sociale, bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Aksioni kundër informalitetit ka përparuar. Në shtator 2015, qeveria filloi një fushatë gjithëpërfshirëse kundër informalitetit në ekonomi, me qëllim për të luftuar evazionin fiskal dhe për të ndëshkuar bizneset që punonin jashtë ligjit. Pas disa sukseseve fillestare, faza e dytë e operacionit u prezantua në prill të vitit 2016. Kjo fazë do të bazohet në kontrollin e bizneseve dhe vlerësimin në bazë rreziku.
Përveç kësaj, Ministria e Financave ka nisur një fushatë me komunitetin e biznesit, me qëllim identifikimin dhe futjen e masave që synojnë thjeshtimin e procedurave tatimore.
Aplikimet online për lejet e ndërtimit janë bërë të detyrueshme. Kjo masë, që hyri në fuqi në shtator 2016, ka për qëllim parandalimin e ndërtimeve të paligjshme. Sipas ligjit të ri nuk do të ketë asnjë ndërtim pa marrjen e një leje ndërtimi me një nënshkrim elektronik.
Masa është një hap i parë drejt dixhitalizimit të gjithë institucioneve, përshirë këtu edhe Hipotekën.
Kjo është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.
Përparimi në procesin e privatizimit ka qenë i ndryshëm.
Një hap pozitiv ishte shitja e kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG, në mars të vitit 2016.
Megjithatë, planet për privatizimin e kompanisë të naftës Albpetrol duket se janë vënë mënjanë, pasi çmimet e ulëta të naftës kanë zbehur interesin e investitorëve të huaj të mundshëm.
Ligji i ri për Investimet Strategjike hyri në fuqi në janar të vitit 2016, me qëllim lehtësimin e procedurave.
Reformat në sektorin e energjisë kanë përparuar. Prodhuesi shtetëror i energjisë, KESH, është duke kaluar nëpër një ristrukturim të madh, me mbështetjen e BERZH-it me të cilin u nënshkrua një kredi prej 218 milionë eurosh në korrik 2016. Reforma e KESH është pjesë përbërëse e Planit të Rimëkëmbjes Financiare zhvilluar nga qeveria, në bashkëpunim me Bankën Botërore. Programi është në përputhje me Paketën e Tretë të Energjisë së BE-së. Shqipëria gjithashtu po punon me Kosovën për krijimin e një tregu të përbashkët të energjisë elektrike.
Në qershor të vitit 2016, të dy vendet përuruan linjën 400 KË të transmetimit të energjisë (por që po mbahet peng nga Serbia).
Për herë të parë është prezantuar edhe koncesioni për mirëmbajtjen e autostradës dhe rruga e parë me pagesë. Në shtator 2016, pas një procesi të gjatë tenderimi, qeveria shqiptare i dha me koncesion 30-vjeçar një konsorciumi me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e seksionit të autostradës Milot-Morinë. Kjo do të jetë e para rrugë me pagesë në Shqipëri, me një tarifë prej 5 euro për automjete (më e lartë për kamionët).
Kreditë me probleme janë duke u trajtuar. Ato mbeten një problem i madh për Shqipërinë, duke qenë se përfaqësojnë 21.4% të të gjitha kredive në sektorin bankar (gusht 2016).
Masat e ndërmarra nga Banka Qendrore parashikojnë fshirjen nga regjistri të kredive të këqija, joperformuese prej më shumë se tre vjetësh.
Në përgjithësi, sektori bankar mbetet mjaft likuid dhe ka përballuar rrezikun që mund të vinte nga përhapja e krizës greke, duke qenë se bankat me pronësi nga shteti fqinj zotërojnë rreth 17% të totalit të aktiveve.
Prioritetet e 2017-s
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bërë një renditje të prioriteteve kyçe që duhet të ketë qeveria për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare për vitin 2017.
BERZH ka renditur tre, si prioritete kyçe, duke e vënë theksin kryesisht te stabiliteti ekonomik që duhet të ruhet me përmbylljen e marrëveshjes me FMN-në:
Stabiliteti makroekonomik duhet të ruhet me përfundimin e programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Programi aktual “FMN Extended Fund Facility”, i cili përfundon në fillim të 2017-s, ka qenë një “spirancë” e rëndësishme për të përmirësuar performancën makroekonomike dhe fiskale të viteve të fundit. Përfitimet e realizuara brenda këtij programi duhet të ruhen me kujdes.
Të vazhdohet me reformën kundër informalitetit. Hapat e para të fushatës dhanë ndikim pozitiv, duke rritur numrin e kompanive të reja të regjistruara, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për të krijuar një mjedis të barabartë për bizneset e ligjshme.
Të rritet qasja komerciale në sektorin e energjisë. Kjo është e nevojshme për qëndrueshmërinë afatgjatë. Hapat për të reformuar kompanitë shtetërore të energjisë KESH dhe OSHEE janë inkurajuese, por rruga përpara është sfiduese. Përmirësimet në qeverisjen e korporatave dhe efikasitetit operacional do të jenë thelbësore për respektimin e rregullave të Bashkimit Europian në sektorin e energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.