Kemi kontraktuar doza për 800 mijë qytetarë, Manastirliu: Janë parapaguar 2.9 mln dollarë për marrëveshjen me Pfizer

28/01/2021 2:08 PM 0 komente

Shqipëria ka kontraktuar doza vaksine anti-COVID për 800 mijë qytetarë, ndërsa për marrëveshjen Pfizer janë parapaguar 2.9 milionë dollarë, deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

“Marrëveshja me Pfizer ishte përmbyllja e përpjekjes së pandalur për asnjë moment gjatë këtyre kohëve për sigurimin e 500 mijë dozave vaksinash që së bashku me marrëveshjen e Covax, me mundësimin pra të 1 milion e 140 mijë doza vaksinash, ne kemi tashmë të kontraktuara doza vaksinimi për 800 mijë qytetarë, duke filluar me grupet prioritare. Qeveria shqiptare ka marrë masa në kohë për nënshkrimin e kontratave me të parën kompani që dispononte autorizimet e përdorimit të vaksinës. U angazhuam financiarisht në parapagimin e marrëveshjes së Pfizer-it dhe tashmë kemi paguar rreth 2.9 milion dollarë, si dhe kemi parapaguar në instrumentin e Covax-it për të garantuar sigurimin e vaksinave në një kohë të shpejtë”, tha Manastirliu.

Për instrumentin Covax Shqipëria ka parapaguar 4 milionë dollarë.

Manastirliu u ndal edhe te spitali i ri i Fierit, i financuar nga Republika e Turqisë, i cili ka filluar dhe do të mbarojë brenda afateve të vendosura.

“Me financimi e Republikës së Turqisë mike puna ka filluar për ndërtimin e një spitali me kapacitet 150 shtretër në Fier, i projektuar si një spital i cili do të ofrojë shërbime të nivelit të lartë për kirurgjinë, urgjencën, sëmundjet interne dhe gjithashtu dhe një pavion dedikuar sëmundjeve infektive, të pajisur me aparaturat e fjalës së fundit të teknologjisë. Ky spital do ti shërbejë qytetarëve shqiptar si të gjithë spitalet publike”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se gjatë pandemisë u shtua flota e respiratorëve, monitorëve, pajisjeve mjekësore dhe 36 autoambulanca të reja ju shtuan flotës anti-covid, duke mundësuar trajtim në kohë për çdo rast urgjence.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of