Kompanitë me normat më të larta të fitimit në vend

13/11/2020 10:08 PM 0 komente

Ndër kompanitë më fitimprurëse në vend nga 200 më të mëdhenjtë, në vlerë absolute, mbizotërojnë ato të ndërmjetësve financiarë, ose tregtarë, që pothuajse të gjithë qarkullimin vjetor e kanë fitim, për vetëm mënyrën se si funksionon aktiviteti i tyre. Më pas renditen hidrocentralet e dhëna me koncesion, apo shërbimet që janë dhënë nga shteti nëpërmjet Partneriteteve Publike-Private.

 

“BFI Trade”, pjesë e grupit Balfin, ka vijuar të jetë kompania me normën më të lartë të fitimit në vend në 2019-n, me 94.6%, ndonëse rezultati financiar në vlerë absolute ka rënë. Burime nga grupi “Balfin” pohuan se shoqëria operon si agjente në shitblerje në tregun e mineraleve, prandaj e ka të pastër komisionin që përfiton si xhiro/fitim. Pra, vlera që pasqyrohet si xhiro është vlera e pastër e komisionit. Shpenzimet operative janë të ulëta në këtë lloj biznesi.

“Tirana Capital Trade”, me aktivitet në këmbime valutore-faktoring ishte e dyta, me një normë përfitueshmërie prej 94.5%. Sipas faqes zyrtare të internetit, Kompania Tirana Capital Trade (TCT) sh.p.k është themeluar në vitin 2012 dhe prej 5 vitesh ushtron aktivitetin në fushën e këmbimeve valutore. Në vijim të zhvillimeve të tregut financiar në vend, së fundmi kompania ofron edhe shërbimin “Faktoring”.

“Energo-SAS”, me aksioner kryesor grupin “Agna”, raportoi një normë fitimi prej 80.7%. “Energo-Sas” është krijuar në vitin 2006 dhe shfrytëzon burimet e energjisë nga hidrocentrali Sasaj, në Sarandë.

“Star Broker”, me aktivitet të veprimtarive të ndërmjetësimit në fushën e sigurimeve dhe të risigurimeve, u rendit e katërta për normën e përfitueshmërisë, me një nivel prej 80.2% në vitin 2019. Kompania është themeluar në vitin 2013 dhe sipas faqes zyrtare, ofron shërbime në të gjithë spektrin e sigurimeve, përfshirë menaxhimin e rrezikut, ndërmjetësimin e sigurimeve dhe ndërmjetësimin e risigurimit, për firmat lokale dhe shumëkombëshe që operojnë në të gjithë sektorët e ekonomisë.

“EKMA Albania”, me aktivitet shitje, blerje, dhënie/marrje me qira të pronave të paluajtshme, është renditur këtë vit e pesta, si kompania me normë më të lartë fitimi në vend, prej 74.2%, nga 72%, vitin e mëparshëm. Në vlerë absolute, fitimet ishin 364 milionë lekë, me një rënie të lehtë në raport me vitin e kaluar. “EKMA Albania” administron tregun agroushqimor në hyrje të kryeqytetit të vendit.

Autoriteti i Konkurrencës e ka gjobitur “EKMA Albania” për abuzim me konkurrencën në këtë treg, pasi çmimet e qirasë janë disa herë më të larta se ato që aplikohen në këtë zonë dhe, nga ana tjetër, tregtarët nuk kanë alternativa të tjera për të marrë mjedise me qira. Vetëm në shtator të vitit 2020, Bashkia e Tiranës ka vendosur të kryejë një studim fizibiliteti për të parë mundësinë e ngritjes së një tregu të dytë për shitjen me shumicë të produkteve bujqësore në kryeqytet.

Për këtë nismë, më herët, me vendim të Këshillit Bashkiak është themeluar shoqëria “Tirana Agrikulturë” sh.p.k, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e zotëruar në masën 100% (njëqind) të kapitalit të shoqërisë nga Bashkia e Tiranës, dhe e cila ka si objekt veprimtarie, ofrimin e shërbimeve në fushën e bujqësisë, blegtorisë, agrikulturës, si dhe grumbullimin dhe shitjen e këtyre produkteve. Zona ku parashikohet të ngrihet tregu është në Farkë të Vogël.

“HEC Tërvolit”, “Alb-Energy”, “Gjo-SPA Power”, janë tre hidrocentrale të tjera private me koncesion, që renditen ndër 10 më të mëdhatë për normën e fitimit, që luhatet mes 61-70%.

“Regjistri i Barrëve Siguruese”, një kontratë koncesionare e vitit 2009 për veprimtarinë e mbajtjes, ruajtjes, kryerjes së të gjitha veprimeve në lidhje me Regjistrin e Barrëve Siguruese, kishte një normë fitimi prej 70% në 2019-n.

“A N A”, me aktivitete të ndryshme në tregti e ndërtim, raportoi një normë përfitueshmërie prej 60.6%. Sipas burimeve zyrtare, në vitin 2019, kompania nuk ka kryer ndërtime, por ka shitur apartamente për objektet e përfunduara.

LEXONI EDHE 200 kompanitë me fitime më të mëdha; Lulëzimi i koncesioneve

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of