Fatura e koncesioneve në shëndetësi po gangrenizon vit pas viti buxhetin e shërbimit spitalor, i cili në vend që kanalizohet për shërbimet themelore dhe burimet njerëzore, gjithnjë e më shumë po bie pre e abuzimeve nga keqmenaxhimi i kontratave.
Të dhënat zyrave nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore tregojnë në vitin e kaluar, fondet për shërbimin spitalor arritën në 29,4 miliardë lekë, por sasia e parave që shkoi për financimin e tre kontratave PPP arriti në 4,1 miliardë lekë ose 14% e buxhetit spitalor.
Kosto e kontratave me PPP kaloi ndjeshëm vlerën e shërbimeve parësore spitalore. P.sh. të dhënat tregojnë se kosto e barnave për spitalet ishte 3,6 miliardë lekë ose rreth 13% më e ulët se fondet e PPP-ve në shërbimin spitalor.
Në shërbimin spitalor janë në funksion tre kontrata PPP, ajo e sterilizimit, dializës dhe laboratorit. Në vitin 2022, kontratat e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale u financua me 1,7 miliardë lekë; ajo e dializës me 835 milionë lekë dhe e laboratorit, me 1,6 miliardë lekë.
Për dy PPP-të e laboratorit dhe sterilizimit, vlera e financimit ka tejkaluar parashikimet fillestare, teksa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shumë abuzime gjatë zbatimit të tyre.
Në vitin 2021, kontratat me PPP në shëndetësi morën 3,4 miliardë lekë financime, ose 12% të fondit total për spitalet.
Fondet për shërbimin spitalor erdhën në rritje vitet e fundit pas pandemisë, por pesha e koncesioneve ka ardhur në rritje më të shpejtë. Kjo për shkak se tashmë ka hyrë në fuqi edhe kontratat e shërbimit laboratorik, teksa te tria bashke me dializën dhe sterilizimin po marrin fonde përtej planifikimeve.
Shpenzimet më të mëdha në shërbimin spitalor bëhen për Qendrën Universitare “Nenë Tereza”. Mjekët pohojnë se disa shërbime mund të bien shumë shpejt në kolaps pasi prej vitesh nuk janë hapur specializime në kirurgji për disa profile.
Ashtu si edhe inceneratorët, kontratat PPP nëshëndetësi janë bërë në një seri shkeljesh ligjore, aq sa Transparency international i renditi si raste madhore të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi, ndërsa disa prej tyre janë tashmë në hetim nga SPAK.
Në strukturën e shpenzimeve për sektorin publik të shëndetësisë, peshën specifike më të madhe e zënë shpenzimet e shërbimit spitalor me 56%, ndjekur nga shpenzimet për rimbursimin e barnave e pajisjeve mjekësore me 22%, shpenzimet e kujdesit parësor (financimi i QSH e kontrolli mjekësor bazë) me 20%, shpenzimet administrative (pagat e shpërblimet, sigurimet shoqërore-shëndetësore, mallra e shërbime)./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.