Contour Global, Kompania gjigante operuese e energjisë elektrike, me seli në New York, pritet që të fillojë ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë gjatë 18 muajve të ardhshëm, projekt ky që pritet të krijojë mijëra vende të reja pune.
Siç transmeton RTK, kështu ka deklaruar për agjencinë Reuter zëvendëspresidenti, Garry Levesley për të theksuar se projekti tashmë kishte marrë mbë0shtetjen si nga Banka Botërore ashtu edhe nga Administrata Amerikane.
Të gjitha qeveritë e Kosovës në 15 vjetët e fundit, para dhe pas shpalljes së pavarësisë kanë bërë plane e strategji, kanë premtuar dhe negociuar me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të reja energjetike, një termocentrali të ri të quajtur herë “Kosova C” e herë “Kosova e Re”.
Termocentrali do të ndërtohet pranë atyre shumë ndotëse, termocentraleve të vjetra, me qëllim të zgjidhjes njëherë e përgjithmonë të mungesës endemike të energjisë elektrike.
Përmes ofertës që ka prezantuar, ContourGlobal ka konfirmuar se është i gatshëm dhe ka kapacitet financiar për të investuar deri në 30 për qind të kostos së përgjithshme të investimit si dhe se ka qasje në kredi për pjesën e mbetur prej 70 për qind të kostos së investimit të termocentralit.
Contour Global është një kompani private amerikane e cila zhvillon, blenë dhe operon me kompani gjeneruese të energjisë elektrike anekënd globit. Ajo aktualisht operon me tetë biznese në katër kontinente ndërsa ka zyra të saj edhe në Londër, Paris, New York dhe Sao Paolo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.