Kroaci Aplikimi për euron

20/07/2019 10:10 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Kroacia shpreson të bashkohet me mekanizmin e Kursit të Këmbimit të Europës (ERM II), dhomën e pritjes dyvjeçare për kandidatët e Eurozonës. Zagrebi shpreson të bashkohet me mekanizmin e ERM II deri në mes të 2020 dhe më pas, të mund të miratojë pas tre vitesh edhe euron.

Një letër që mban firmën e ministrit të Financave, Zdravko Maric, dhe guvernatorit të Bankës Kombëtare të Kroacisë, shpreh interesin e qeverisë për t’u bërë pjesë e këtij mekanizmi. Ajo iu dërgua shteteve të Eurozonës dhe institucioneve të BE-së, e shoqëruar edhe me një plan mbi reformat që Kroacia do të ndërmarrë përpara se të bëhet pjesë e këtij mekanizmi.

Sipas Bankës Kombëtare Kroate, aplikimi për t’u bërë pjesë e këtij mekanizmi u mundësua nga “një përmirësim i ndjeshëm në reduktimin e pabarazive makroekonomike të vendit”.

“Rimëkëmbja ekonomike, rritja e eksporteve, rënia e nivelit të papunësisë, rregullimi i qëndrueshëm fiskal dhe ulja e nivelit të borxhit të jashtëm janë të gjithë faktorë që kanë ndikuar që Kroacisë t’i jepej mundësia për të bërë aplikimin për t’u bërë pjesë e ERM II. Në marrëveshje me institucionet e BE-së, Kroacia u angazhua në zbatimin e reformave kryesisht në gjashtë fusha kryesore, si dhe në përmirësimin e administratës së sektorit publik dhe në reduktimin e barrës administrative dhe financiare për ekonominë.

Edhe pse Kroacia është bërë pjesë e Bashkimit Europian që në vitin 2013, ekonomia e saj mbetet një nga më të dobëtat. Në prill të këtij viti, paga mesatare në Kroaci ishte 6,434 kuna (870 euro, 981 dollarë amerikanë), ndërsa niveli i papunësia në 8,5%. Teksa zyrtarët theksojnë përfitimet e anëtarësimit në mekanizmin ERM II, rreth 80% e depozitave bankare janë në euro dhe partnerët kryesorë tregtarë të Kroacisë ndodhen po në Eurozonë. Kroacia po ndjek hapat e Bullgarisë për të miratuar monedhën e përbashkët. Bullgaria u bë pjesë e BE-së në 2007 dhe shpreson të përfshihet në dhomën e pritjes së euros në gjysmën e dytë të këtij viti.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of