Kufijtë e rinj të “pazarit” online

21/11/2012 10:17 AM 0 komente

Të provosh një veshje në dhomën (e provës) online, të provosh një makinë në distancë, të bësh një blerje në një dyqan edhe pas orarit të mbylljes janë vetëm disa nga mundësitë që ofron të bërit pazar online në atë që njihet si realiteti i shtuar (Augmented Reality, AR). Kjo është një teknologji multimediale interaktive, që lejon shfaqjen e përmbajtjeve audio, video (edhe në format 3D). Nënkupton pasurimin e perceptimit ndijor të njeriut me informacione, shpesh të manipuluara elektronikisht, që nuk është e mundur të ndihen nga pesë shqisat. Mjafton që ju të drejtoni celularin që duhet të jetë i gjeneratës së fundit (smartphone, tablet, webcam) nga imazhi i dëshiruar (që mund të jetë një vitrinë, panorama e një qyteti, kruskoti i makinës) dhe do të mund të provoni në distancë realitetin e shtuar.

Informacionet që furnizohen nga teknologjia AR janë suplementare në krahasim me objektin e etiketuar nga monitori (ekrani) dhe mund të pasurojnë përvojën tuaj me të.

Për shembull, nëse jeni në një muze dhe i drejtoni smartphone-n tuaj me aplikimin QR (një tip shënuesi shumë i përhapur i teknologjisë AR që mund të shkarkohet nga interneti) ai do ta “riprodhojë” veprën në ekran dhe do t’ju japë informacione shtesë që ndryshojnë në varësi të të dhënave që janë të vendosura në kodin QR. Mund të bëhet fjalë për autorin e veprës, për historinë e tij, çmimin, por edhe për shumë informacione që mund t’i hyjnë në punë përdoruesit.

Kodi QR mund t’ju dërgojë edhe te faqja zyrtare e muzeut ose mund t’ju lejojë që të veproni me objektin në mënyrë virtuale, duke iu dhënë mundësi që ta mbani në duar, ta lëvizni (edhe pse në mënyrë virtuale), të modifikoni imazhet ose të zhyteni brenda në të. Mjafton një klik në smartphone dhe realiteti (në këtë rast vepra e artit, piktura) vjen e “shtuar” me informacione dhe me shumë mundësi. Natyrisht, eksperiencat e jetuara falë realitetit të shtuar mund të shkëmbehen edhe përmes platformave sociale.

 

“Shopping” ndryshe

Aplikimet e realitetit të shtuar janë nga më të shumtat dhe janë të destinuara që të rriten edhe më shumë. Përfituesit nuk janë vetëm turizmi dhe arti. Tregtia elektronike është gjithashtu një sektor që mund të përfitojë dhe të ndihet në avantazh nga kjo teknologji. Si? Po iu japim disa shembuj.

Një shoqëri marketingu që projekton zgjidhje për teknologjitë

AR, për sipërmarrjet, “Holition” ka zhvilluar një sistem për orët “Tissot” që iu mundëson klientëve që iu afrohen vitrinave të dyqaneve që të vendosin orët në dorë dhe t’i provojnë ato virtualisht, pa qenë e nevojshme që të hyjnë brenda.

Gjithçka shumë e thjeshtë, duke e pozicionuar kamerën te vitrina. Programi i njohjes riprodhon pulsin e klientit dhe orën dhe në këtë mënyrë kombinon gjithçka në një imazh të vetëm, shumë realist, ndërkohë që ju jep mundësinë që ora të “hidhet” në pulsin tuaj.

E njëjta gjë që bëhet për orët, mund të bëhet edhe për bizhuteritë. “Boucheron”, një sipërmarrje franceze e cila prodhon bizhuteri, ka realizuar një aplikim që iu jep mundësinë klientëve të provojnë virtualisht bizhuteritë dhe kjo realizohet nëpërmjet një kamere dhe një programi, i cili është në gjendje që të njohë fytyrat.

Përsëri në sektorin e luksit, një tjetër aplikim interesant i teknologjisë AR është ai i projektuar nga “Net-à-Porter”, që mund të shkarkohet nga dyqanet “Apple”. Nëse e drejtoni nga produktet e ekspozuara, ju mund të merrni informacione shtesë

(karakteristikat, çmimet etj.) e nëse diçka ju pëlqen, mund ta blini edhe pasi të mbyllet dyqani.

Kompani si “Ermenegildo Zegna” e “Burberry” gjithashtu kanë nisur të aplikojnë këto programe, që iu mundësojnë të blini me dorëzim të menjëhershëm veshjet e shfaqura gjatë një sfilate mode. Në këtë mënyrë nuk është më e nevojshme të prisni që veshjet të mbërrijnë në dyqane.

Veshja është pikërisht një nga sektorët më me perspektivë për aplikimet AR. “Augmented Reality” tejkalon një prej dizavantazheve më të mëdha që ka tregtia online për veshjet: pamundësinë për të pasur një dhomë prove në dispozicion dhe për të bërë një sfilatë të vërtetë me veshjet që iu pëlqejnë më shumë.

Disa kompani e kanë zgjidhur këtë problem duke “shpikur” dhoma prove virtuale. Aplikimet e krijuara nga kompani si “Fitting Reality” e “Zugara” iu mundësojnë klientëve që t’i shohin veshjet nga këndvështrime të ndryshme dhe t’i provojnë në shtëpi nëse duan që të verifikojnë nëse iu rrinë mirë në trup.

Bëhet fjalë për teknologji që ndërthurin të dhënat e veshjeve me informacionin që vjen nga webcam-i i klientëve, që arrijnë të njohin lëvizjet e personave nëpërmjet “motion capiture” dhe ta integrojnë në ekranin e smartphone ose në monitorin e kompjuterit, duke dhënë mundësi “navigimi” te detajet (ndryshimin e ngjyrave, aksesorëve etj.) thjesht duke ndjekur lëvizjen e duarve. Kështu të provuarit para blerjes, bëhet realitet edhe online.

Një tjetër kompani “Zazzle Real View”, e dedikuar për dizajnin ofron mundësi që të shikoni postera dhe objekte arredimi drejtpërsëdrejti në shtëpinë tuaj. Zgjidhet një produkt online, i drejtohet diapozitivi dhe pozicionohet në sallon ose në dhomën e gjumit, duke u bazuar në foto dhe video. Nëse iu shkon dhe përshtatet me stilin tuaj mund ta blini, në këtë kundërt, vazhdoni të bëni prova të tjera.

Një shembull i fundit, edhe pse lista mund të zgjatet edhe më shumë, ka të bëjë me botën e makinave. Kjo teknologji iu jep mundësi që ta ngisni makinën në mënyrë virtuale.

Shtëpia bavareze e prodhimit të makinave BMW, për të promovuar serinë 1, ka instaluar në disa qytete të Afrikës së Jugut disa ekrane HD te të cilat kalimtarët mund të sfidoheshin në garë automobilistike. Timoni? Një tablet ose një smartphone.

 

Këshilla të nevojshme

Kur bëni pazar, në mënyrë virtuale ose jo duhet të tregoheni të kujdesshëm për të përfituar produktin e dëshiruar, por edhe për të marrë kënaqësinë e duhur. Ja disa.

 

Kursimi

Jo gjithmonë është zgjidhja e duhur. Nëse blini diçka që ka një çmim shumë të ulët, pa kuptuar se sa do t’ju nevojitet dhe duke vlerësuar cilësinë, atëherë ndoshta nuk jeni duke bërë një investim të mirë. Pra, në çdo rast, duhet të vlerësoni raportin cilësi/çmim, por edhe nëse ia vlen të shpenzoni diçka më shumë. Kursimi nëse nuk është i menjëhershëm, do të vijë me kohën.

 

Mos i nënvlerësoni uljet

Duhet të blini një makinë? Prisni deri në janar 2013, pasi do të ketë ulje çmimesh për makinat ekologjike.

Ulje parashikohen edhe për elektroshtëpiaket që kursejnë energji, synimi është që të zëvendësohen me pajisje të reja. Pra nëse keni një frigorifer, lavatriçe, sobë me gaz të vjetër mund ta ndërroni dhe të merrni një të re. Uljet mund të arrijnë deri në 55%.

 

Parashikoni të ardhmen

Kur bëni një blerje, përpiquni të projektoni edhe të ardhmen. Mos u përqendroni vetëm tek ideja e kursimit “këtu dhe tani”, por mbi përdorimin e tij në kohë më të gjatë. Në këtë mënyrë do të kuptoni nëse vlen të shpenzoni diçka më shumë apo të shkurtoni shpenzimet.

Kjo vlen më shumë për produktet që kanë konsum të gjatë ose për ato që përdorni më shpesh. Për shembull. Mos u përpiqni që të kurseni te shtrydhësja e frutave nëse e përdorni çdo ditë. Më mirë blini një të shtrenjtë, por cilësore.

 

Bëni një kontroll të fundit

Mos u shpërqendroni në fazën përfundimtare të blerjes, ajo që vjen përpara pagesës, veçanërisht nëse do të bëni një dhuratë. Kontrolloni që të jetë ajo që kishit zgjedhur dhe të jetë në kushte të mira (ndoshta sapo është marrë nga magazina dhe nuk është ajo që iu kishin treguar).

 

Mendohuni edhe një herë

Kur është e mundur, merrni edhe pak kohë në dispozicion, kështu do t’i shmangni vetes zhgënjimin e momentit të fundit. Në këtë moment ndodh të bëhen gabimet më të shpeshta.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of