Në seancën e sotme, Kuvendi miratoi me 77 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektligjin “Për miratimin e përjashtimeve nga taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti i kushtëzuar, sipas marrëveshjes së garancisë në lidhje me marrëveshjen e huas, për financimin e zbatimit të projektit për ndërtimin e rrjeteve numerike (digjitale) DVB-T2 të transmetuesit publik (RTSH)”.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjekte juridike dhe fizike”, deputeti Pandeli Majko tha se kjo nismë nuk është elektorale, por synon lehtësimin e qytetarëve.
“Nuk kemi të bëjmë me një akt elektoral nga ana e qeverisjes, por kemi të bëjmë me një hap që do të relaksojë shumë marrëdhëniet e institucioneve shtetërore me bizneset private, sidomos përsa i përket formalizimit të punës së zezë. Është një nga problemet të cilat shqetësojnë pjesën më të madhe të familjeve shqiptare, pasi numri i atyre që punojnë në shtet sot nuk arrin 100 mijë, kurse pjesa tjetër tanimë mbahet nga veprimtaria e një marrëdhënie me biznesin privat. Mendoj se ky projektligj për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është një akt për t’u lavdëruar”, tha z. Majko. Ky projektligj u miratua me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kuvendi miratoi me 73 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së dëmshpërblimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për garancinë e bazuar në politika për financat publike në Shqipëri, dhe të marrëveshjes së huasë me afat, ndërmjet Republikës së Shqipërisë që vepron nëpërmjet Ministrisë së Financave, si huamarrës, Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, si garantues, dhe DEUTSCHE BANK AG dega e Londrës, si huadhënës fillestar, të rregulluar nga DEUTSCHE BANK AG dega e Londrës, si rregullues kryesor i mandatuar, DEUTSCHE BANK AG dega e Londrës, si agjent, dhe DEUTSCHE BANK AG dega e Londrës si agjent dokumentacioni”. Ndërsa hyrja në fuqi menjëherë u miratua me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Lidhur me projektligjin “Për eurobondin që do të emetohet nga Ministri i Financave miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen nga Ministri i Financave”, në emër të grupit parlamentar të PS-së, deputeti Pandeli Majko tha se:
“Dua ta përsëris se është një nga operacionet financiare më të rëndësishme pas ardhjes në pushtet të së majtës në 2013-n. Nëse do të isha kronikan, do të thosha që në vitin 2010 për herë të parë shtetit shqiptar ka emetuar eurobondin me vlerë 300 mln euro me afat maturimi 5 vjeçar. Emetimi i këtij instrumenti, për fat të mirë është bërë në përputhje me objektivat e strategjisë afatmesme të menaxhimit të borxhit publik të hartuar nga Ministria jonë e Financave dhe me një mbështetje të qartë të FMN-së dhe të partnerëve të tjerë zyrtarë në fushën e financave. Dalja e Shqipërisë sërish në tregjet ndërkombëtarë të kapitalit pas 5 vitesh mungesë është një nga aktet më pozitive që shteti shqiptar dhe qeveria shqiptare jep duke rritur kredencialet e vendit tonë në këtë kohë krize për rajonin”, tha z. Majko. Ky projektligj u miratua me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës për punët e Komunitetit IV të Fondit Shqiptar të Zhvillimit projekti “Zhvillimi i alpeve shqiptare dhe zonave bregdetare”, u miratua me 72 vota pro, asnjë kundër dhe 2 abstenim.
Në emër të grupit parlamentar të LSI-së, Gledion Rehovica tha se është momenti që përveçse të parapërgatitet një ofertë për pushuesin e pavendosur të perëndimit, të krijohen kushtet sa më të përshtatshme për të ngjallur dëshirën e rikthimit duke ftuar të tjerë turistë.
“Ky projekt parashikon një ndërhyrje konkrete në përmirësimin e infrastrukturës publike të zonës përreth malit të Dajtit dhe malit të Tomorrit, duke u përqendruar kryesisht në shërbimet bazë si rrugë lokale, ujësjellës dhe kanalizime, si dhe hapësira publike, të tilla si trotuare, ndriçim dhe gjelbërim. Gjithashtu, zbatimi i këtij projekti sjell forcimin institucional të njësive të qeverisjes vendore, duke promovuar qeverisjen e mirë në nivel lokal, nëpërmjet ofrimit të asistencës teknike në planifikimin dhe menaxhimin e zhvillimit të qëndrueshëm lokal, si parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në komunitetet lokale të targetuara. Mbështetja e zhvillimit të ekonomive lokale pranë zonave target të projektit do të garantojë një kapërcim cilësor në ofertën turistike të zonave, por edhe të vendit tonë, në tërësi. Ndaj, në emër edhe të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklarojmë mbështetjen me votë për këtë projekt dhe shprehim besimin në vullnetin e kësaj mazhorance për ta rimëkëmbur situatën e fshatit shqiptar, e aq më tepër të atyre zonave që mbartin të fjetura resurse të turizmit malor, apo bregdetar”, tha z. Rehovica.
Ndërsa projektligji “Për ratifikimin e dokumentit të ndryshimit nr. 2 të kontratës financiare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve për terminalin e trageteve të Portit të Durrësit” u miratua me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
“Është një kredi e dhënë nga Banka Evropiane e Zhvillimeve për të bërë rehabilitimin dhe ristrukturimin e portit detar në disa zëra dhe disa elementë të saj. Është një financim që ka filluar në 2007-n. Me përfundimin e fazës së parë në 2013-n, ka pasur me dhjetëra probleme me vijueshmërinë e tij, por s’ka si të ndodhë ndryshe, pasi vetëm kështu mund të administroheshin punët dhe financat para 2013-s. Ndërkohë, sot kemi përpara një amendim që kërkohet shtyrja e afatit të kredisë dhe rialokimi i fondeve pasi u pa e nevojshme nga një detajim më i hollësishëm i investimit që nuk është i nevojshëm që të konsumohen gjithë ato para, por mund të rivlerësohet edhe njëherë investimi i kalatave 7 dhe 8”, tha z. Gentian Bejko.
Me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u miratua dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Mirëmbajtje dhe siguri rrugore bazuar në rezultate”.
Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto tha se:
Mendoj se është një ligj i cili bëhet për herë të parë në vendin tonë për vetë impaktin që parashikon të ketë për të ruajtur sistemin rrugor, veçanërisht atë sistem që është rrjeti kombëtar rrugor , rreth 1300 km. Ky është një projekt i cili bëhet për herë të parë në vendin tonë me përmasa të tilla. Janë 80 milionë dollarë të dhënë nga Banka Botërore dhe 50 milionë dollarë të dhënë nga qeveria shqiptare që kanë si synim të kthejnë në gjendje mirëmbajtje rutinë sistemin tonë kryesor rrugor pasi defektet dhe mungesa e financimit në të kaluarën e ka lënë këtë sistem në gjendje të mjerueshme. Në 2014-n është dyfishuar fondi për mirëmbajtjen ku nga 1.2 miliardë, ka shkuar në 2.4 miliardë”, tha z. Haxhinasto.
Projektrezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2014” u miratua me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 20:32.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.