Liga Spanjolle publikoi kufijtë e pagave për klubet e divizionit të parë dhe të dytë për sezonin 2020/21. Ashtu si çdo vit u publikuan të dhënat për 42 klubet e nivelit profesional, të ndikuara në mënyrë të pashmangshme nga kriza e koronavirusit.
Barcelona është një nga klubet e goditura më shumë nga pandemia, ku siç mund të shihet tavani i pagave ka rënë më shumë se 274 milionë euro (-41,7%) krahasuar me sezonin e kaluar (në veçanti krahasuar me të dhënat e azhurnuara pas merkatos së dimrit 2020).
Edhe Real Madrid e ka ulur tavanin e pagave. Për Blancos, kjo shifër ra nga 641 milionë në shkurt 2020 në 468,5 milionë euro (-26,9%).
Në vend të tretë, Atletico Madrid, ku tavani i pagave për sezonin 2020/21 është 252,7 milionë euro (në rënie me 37,5% krahasuar me të dhënat e fundit të disponueshme). Në total, kjo shifër për tre klubet e para është zvogëluar nga 1,645 miliardë në sezonin 2019/20 në rreth 1,1 miliardë euro për sezonin e ri.
Tavani i pagave për klubet e divizionit të parë është 2,333 miliardë euro në sezonin 2020/21 (nga 3,2 miliardë në përditësimin e fundit, thuajse 1 miliard më pak). Në lidhje me divizionin e dytë, tavani i pagave është 237,7 milionë euro.