Masat e marra nga disa vende të Ballkanit për të luftuar pandeminë kanë ngritur shqetësime nga shoqatat dhe studiuesit që merren me privatësinë dhe të drejtat dixhitale. Masat urgjente, që nuk u përmbahen rregullave kombëtare ligjore, mund të kthehen në mjete të mbikëqyrjes masive, shkruan Federico Caruso.
Përdorimi i të dhënave shëndetësore për të gjurmuar infeksionet dhe për të mbrojtur qytetarët, është bërë një nga çështjet kryesore të pandemisë së koronavirusit. Në shumë vende, kufizimi i lëvizjes është shoqëruar me përdorimin e mbikëqyrjes, e cila në disa raste, ka çuar në shkelje të privatësisë së individit.
Pavarësisht se gjurmimi i kontakteve dhe mbledhja e të dhënave epidemiologjike mund të jenë instrumente të dobishme për qeverinë dhe institucionet e kujdesit shëndetësor, fuqia e tepërt diskrecionale mund të rrezikojë liritë themelore të qytetarëve, dhe në disa vende ajo madje kërcënon stabilitetin demokratik. Javët e fundit, një sërë shoqatash që merren me të drejtat dixhitale, kanë theksuar se gjendja aktuale nuk duhet të bëhet një justifikim për të vendosur kontroll të përhershëm mbi popullatën.
Aktualisht, vëmendja mediatike është përqendruar në aplikacionet për gjurmimin e kontakteve. Por këto aplikacione – efikasiteti i të cilave është vënë në diskutim – nuk janë të vetmet që paraqesin probleme për privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Në Serbi, presidenti Aleksandër Vuçiç, javët e fundit ka bërë disa deklarata mjaft polemike. Për shembull, ai ka thënë se po gjurmohen celularët e qytetarëve, përfshirë celularët e njerëzve nga vendet me rrezik, veçanërisht Italia. Kjo shkaktoi konfuzion në lidhje me bazën ligjore të veprimeve të tilla. Më 26 mars, në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë, u publikuan të dhëna për dy pacientë që kishin vdekur nga koronavirusi (inicialet, gjinia, data e lindjes, spitali dhe të dhëna të tjera klinike). Ky ishte një vendim problematik, duke pasur parasysh që mund të çonte në identifikimin e të ndjerëve.
Më 20 prill, Fondacioni SHARE zbuloi se fjalëkalimi për informacion në sistemin Covid-19, sistemi i centralizuar që mbledh të gjitha të dhënat për individët e monitoruar, ishte bërë publik për tetë ditë. Kjo u zbulua pasi vetë fondacioni bëri një kërkim të thjeshtë në Google më 17 prill (fjalëkalimi ishte publikuar që më 9 prill). Autoritetet u njoftuan menjëherë dhe problemi u rregullua.
“Është përgjegjësia e institucioneve të kujdesit shëndetësor që të emërojnë një person për mbrojtjen e të dhënave personale”, deklaroi SHARE, “por për shkak të mungesës së burimeve, këto pozicione shpesh plotësohen nga njerëz që nuk janë të trajnuar siç duhet, dhe që shpesh kanë ekspertizë në një fushë krejt tjetër”. Për më tepër, fondacioni deklaroi se për secilin institucion shëndetësor, ekzistonte vetëm një profil përdoruesi, duke e bërë të pamundur gjetjen e personit përgjegjës për atë çka kishte ndodhur. Më 8 maj, Parlamenti vendosi t’i jepte fund gjendjes së jashtëzakonshme në vend, e cila ishte në fuqi që nga data 15 mars, pas rënies së numrit të rasteve me koronavirus.
Në Bosnjë-Hercegovinë, qeveria ndoqi një politikë agresive që dënon shkeljet e masave të karantinës. Më 24 mars, u publikua një listë e personave që kishin shkelur urdhrin e izolimit. Këto lista (që përmbajnë emrat dhe qytetet e banimit të njerëzve në fjalë) janë ende duke u publikuar. Kjo ndodh pavarësisht faktit se autoritetet kombëtare për mbrojtjen e të dhënave i kanë deklaruar praktika të tilla të paligjshme.
Në Kroaci, në fund të marsit, qeveria propozoi një ndryshim në ligjin për komunikimin elektronik, i cili u jepte të drejtën autoriteteve për të kërkuar nga kompanitë telefonike të dhëna për gjeolokacionin. Propozimi shkaktoi shqetësime, jo vetëm për qëllimin, por edhe për mungesën e qartësisë dhe mbrojtjes së pamjaftueshme të privatësisë. Për shembull, teksti i propozimit nuk përcaktonte se kush mund të monitorohet dhe për sa kohë, ose çfarë do të bënin autoritetet me të dhënat dhe si do të informohej individi për gjurmimin.
Propozimi më pas u pezullua, pasi presidenti i Parlamentit, Gordan Jandrokovic, kërkoi që Gjykata Kushtetuese të jepte gjykimin e saj. Kjo e fundit u përgjigj disa ditë më parë se Parlamenti nuk është i autorizuar të kërkojë një mendim, dhe se duhet të procedojë me legjislacionin. Nëse çështjet e ligjshmërisë do të lindnin më vonë, atëherë gjykata do të ndërhynte me një verdikt. Një tjetër veprim, në Kroaci, ishte botimi i Samoizolacija.hr, një faqe në internet që i lejon përdoruesit të raportojnë në mënyrë anonime njerëz që shkelin urdhrin e qëndrimit në shtëpi, duke premtuar se raportet do të dërgoheshin në Ministrinë e Brendshme. Menjëherë pas botimit të saj, faqja u hoq.
Në fund të marsit, me një postim në Twitter, qeveria e Malit të Zi zbuloi një faqe në internet me emrat e njerëzve nën karantinë. Më vonë, faqja u hoq (megjithëse është ende e memorizuar në Arkivin e Internetit). Një numër organizatash për të drejtat e njeriut shprehën shqetësimin për këtë dhe vendimet e tjera të qeverisë, nga frika e synimit për të shfrytëzuar situatën aktuale për të kufizuar liritë e individit edhe pas kalimit të pandemisë. Sofija Todorović, koordinatore e projektit BIRN, nuk mund të konfirmonte nëse faqja online u hoq, për shkak të veprimeve të shoqërisë civile. Rrjeti hetimor i ka parashtruar një sërë pyetjesh qeverisë, dhe aktualisht është në pritje të sqarimeve.
Sidoqoftë, veprimi i qeverisë ka çuar tashmë në pasoja të rënda. Ekziston një faqe online që i lejon përdoruesit të lokalizojnë njerëzit nën izolim, duke demonstruar rreziqet që lidhen me trajtimin e pakujdesshëm të të dhënave të ndjeshme. Koordinatori i OJQ-së, Građanska Alijansa, Zoran Vujicic, ka thënë se në mediat sociale njerëzit kanë tendencën të diskutojnë për individët e vendosur nën izolim, edhe kur nuk po shkelen rregullat, duke kontribuar kështu në stigmatizimin e tyre.
Maqedonia e Veriut është e para në Ballkan për sa i përket zhvillimit të aplikacioneve të gjurmimit të kontakteve. Aplikacioni StopKorona! është vënë në dispozicion për shkarkim më 13 prill. Sipas krijuesve (kompania Nextsense me bazë në Shkup), aplikacioni është ndërtuar duke u mbështetur në lidhjen Bluetooth dhe një sistemi të decentralizuar të mbledhjes së të dhënave. Personat që testojnë pozitivë për COVID-19 mund ta shpallin atë me aplikacionin, duke njoftuar kështu të gjithë përdoruesit me të cilët kanë qenë në kontakt.
Më pas, të dhënat dërgohen tek “një server i sigurt që i përket Ministrisë së Shëndetësisë”, shpjegoi ministri për Informacionin, Damjan Manchevski. “Asnjë përdorues tjetër nuk do të ketë qasje në numrat e telefonit, dhe të dhënat e tjera personale nuk do të ruhen”. Më 28 prill, qeveria i kërkoi ministrit të Shëndetësisë që të krijojë një grup pune për të analizuar kodin e aplikacionit StopKorona! nga ekspertë të pavarur. Qëllimi është të verifikohet se kodi është në përputhje me fushën e aplikimit, dhe se mund të garantohet siguria.