Më pak biznese që merren me kërkim dhe zhvillim, Shqipëria mbetet pas

11/07/2019 1:07 PM 0 komente

Në fushën e Kërkimit dhe Zhvillimit, Shqipëria ka shënuar vazhdimisht rezultate të ulëta në krahasim me rajonin. Të dhënat nga INSTAT treguan se për vitin 2018, ndërmarrjet që operojnë në fushën e kërkimit dhe zhvillimit u pakësuan në 41 njësi, duke shënuar një rënie me 37%.

Prej 2013-s, sipërmarrjet në fushën e kërkimit dhe zhvillimit ishin dyfishuar, megjithatë në vitin e fundit, numri i tyre ra.
Shpenzimet që kryen vendi ynë për këtë fushë janë ndër më të ulëtat në botë.
Edhe të dhënat e publikuara nga Eurostat në Shqipëri tregojnë se hpenzimet për këtë zë ishin vetëm 0.03% e PBB-së, me një shumë më pak se 500 milionë lekë.

Në vendet në zhvillim dhe ato të Ballkanit, investimet në kërkim dhe zhvillim janë përgjithësisht mbi 0.5% e PBB-së, ndërsa Serbia ka nivelin më të lartë të shpenzimeve me 0.9% të PBB-së.

Vitin e kaluar, qeveria shqiptare shpenzoi më pak se 500 milionë lekë (4.6 mln euro) prej të cilave 110.5 milionë lekë shkuan për Akademinë e Shkencave dhe 480 milionë lekë ishin fonde që Ministria e Arsimit do të përdorë për kërkimin shkencor. Kjo shumë në këto nivele është sa 0.03% e PBB-së.
Kërkimi dhe zhvillimi janë të rëndësishme për ekonominë e një vendi, duke qenë se bizneset bëhen më produktive. Kërkimi dhe zhvillimi, i njohur në Europë si hulumtim dhe zhvillim teknologjik, u referohet aktiviteteve inovative të ndërmarra nga korporatat apo qeveritë në zhvillimin e shërbimeve dhe produkteve të reja, ose përmirësimin e shërbimeve ekzistuese ose produkteve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of