Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2020. Në hyrje të seancës, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë Projektligjin në lexim të dytë.
Me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten projektligjin për rishikim të buxhetit për vitin 2020.
Seanca e sotme e jashtëzakonshme e Kuvendit filloi në 11:00 të paradites dhe në rend ishin 108 amandamente të propozuara për tu miratuar.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në seancën e Kuvendit për rishqyrtimin e buxhetit tha se buxheti i Kosovës asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë se tash.
“Gjendja buxhetore në vendin tonë është shumë e rëndë, asnjëherë nuk kanë qenë më keq të hyrat buxhetore me një rënie drastike”, tha Bajrami.
Tutje, Bajrami tha se në rishqyrtimin e buxhetit kanë sjellë një buxhet prej 2.6 miliardë eurosh, ndërsa të hyrat buxhetore planifikohen të jenë 1 miliard e 788 milionë euro dhe një diskrepancë prej 800 milionë eurosh që janë marrë borxh nga emetimi i parave, huazimet.
Me rishikimin e buxhetit të vitit 2020 janë mobilizuar mbi 600 milionë euro, prej tyre 232 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave tatimore dhe 385 milionë euro për zbatim të plotë të Pakos Emergjente Fiskale dhe të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike.
Këto mjete janë ndarë për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale që janë shkaktuar nga masat që Qeveria e Kosovës ka marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Përgjatë seancës në Kuvend, deputetët kanë votuar kundër amendamenteve që synonin rritjen e pagës për profesionistët e shëndetësisë, zyrtarët policorë dhe inspektorët.
Ligjvënësit nuk kanë miratuar as propozimet e kryeparlamentares, Vjosa Osmani për blerje të maskave dhe blerje të vaksinave për të moshuarit mbi moshën 65-vjeçare.
Përfaqësuesit e bizneseve në vazhdimësi u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejtë të ndihmojnë në rimëkëmbjen ekonomike pasi që çdo vonesë do të sillte probleme më të mëdha për bizneset dhe rrezik të falimentimit të tyre.
Sipas parashikimeve të mekanizmave ndërkombëtarë ekonomia e Kosovës mund të shënojë rënie ekonomike mbi 5 për qind.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 13 korrik në lexim të parë Projektligjin mbi Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.
Pas miratimit të Projektligjit në leximin e dytë dhe hyrjes së tij në fuqi, do të krijohet mundësia ligjore për ekzekutimin e pagesave të mbetura për të gjithë përfituesit nga pakoja emergjente fiskale të cilët janë në pritje dhe të gjitha ndarjeve tjera buxhetore.
Sipas Programit Qeverisës 2020-2023 të prezantuar nga Qeveria e Kosovës, pritet të mobilizohen mbi 1 miliard euro për dy vite.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.