Ndërmarrjet shtetërore në Shqipëri nuk po zbatojnë ligjin për të bërë auditin funksional

27/01/2021 10:00 AM 0 komente

Kompanitë me pronësi publike kanë një rol të gjerë në ekonominë e vendeve të Europës Juglindore.

Por, në shumicën e vendeve, këto kompani operojnë në një mjedis ku mungojnë mjetet e kontrollit dhe transparenca, analizon një raport i Bankës Botërore për “Qeverisjen e Korporatave Publike në Europë dhe Azinë Qendrore”.

Banka veçon se, legjislacioni i Shqipërisë kërkon të gjitha entitetet me pronësi publike të krijojnë një komitet auditimi. Sidoqoftë, kjo kërkesë nuk zbatohet në praktikë, pasi nuk ka udhëzime të tjera shtesë për përcaktimin e komitetit të auditimit në statut dhe në aktet nënligjore të Ndërmarrjeve Shtetërore, një parakusht për ngritjen e sistemeve të kontrollit.

Banka referon se ndërmarrjet e postave që, në shumicën e vendeve të Europës janë edhe me pronësi publike, kanë hapësira më tej për të rritur performacën. Tregtia online dhe ofrimi i shërbimeve financiare në zonat rurale janë dy mundësi që mund të rrisin të ardhurat e kompanive postare. Sipas raportit, Posta Shqiptare ka të ardhura vjetore gati 5 milionë dollarë dhe të punësuar rreth 2300 persona. Nga 10 vendet në zhvillim, Posta Shqiptare shihet të jetë më pak eficiente.

Në Shqipëri, pronësia e ndërmarrjeve shtetërore është shpërndarë midis Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe pushtetit lokal.

Duke filluar nga viti 2017, disa Ndërmarrje janë transferuar në ministritë e linjës për të qenë më afër ekspertizës së sektorit.

Ministritë janë pronarë ligjorë të Ndërmarrjeve Shtetërore dhe përgjegjës për shumicën e funksioneve të lidhura me pronësinë, të tilla si emërimi i Bordit të Drejtorëve, miratimi i vendimeve kryesore dhe monitorimin e performancës.

Bordet e Drejtorëve të kompanive publike janë përgjegjëse për përcaktimin e objektivave dhe ministritë e linjës kontribuojnë nëpërmjet planifikimit strategjik.

Qeveria në Shqipëri mbledh informacione financiare nga të gjitha Ndërmarrjet Shtetërore, por nuk kryen mbikëqyrje të centralizuar.

Megjithëse përdorimi i komiteteve të auditimit është tashmë një praktikë e mirë në sektorin privat, ende nuk është e zakonshme në bordet e kompanive publike në Shqipëri dhe ato të Europës Juglindore dhe Azisë Qendrore.

Legjislacioni në shumë prej vendeve të anketuara kërkon krijimin e komiteteve të auditimit. Në praktikë, kjo kërkesë është sfiduese për t’u zbatuar për shkak të mungesës së një bordi të pavarur, anëtarët për të kryesuar komitetin ose ekspertizën e duhur. /B.Hoxha

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of