Ndërtimi dhe industria kanë udhëhequr rritjen e kredisë për biznesin në tremujorin e parë të këtij viti.
Analiza tremujore e aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë tregon se norma vjetore e rritjes së kredisë për ndërtimin në tremujorin e parë ishte 14%, ndërsa për industrinë rritja arriti në 10%.
Rritja e ndjeshme tremujore e këtyre dy portofoleve ka kompensuar tkurrjen e kredisë për sektorin e bujqësisë dhe atë të tregtisë dhe shërbimeve. Krahasuar me një vit më parë, normat e rritjes së kredisë për dy sektorët e fundit janë ngadalësuar në përkatësisht 6% dhe 7%.
Megjithë përmasat totale modeste, ky është tremujori i parë në dy vitet e fundit që kredia për sektorin e bujqësisë tkurret. Në një ndarje të përgjithshme sipas sektorëve të ekonomisë, duket se në tremujorin I bankat kanë kredituar më shumë sektorin prodhues, ndërsa kanë ulur financimin për sektorin e shërbimeve.
Në tërësinë e vet, Banka e Shqipërisë vlerëson se kredia për biznese vijon të ndjekë një trajektore rritëse, e mbështetur nga kreditimi në lekë i bizneseve dhe kredia për investime. Norma vjetore e rritjes gjatë tremujorit të parë ishte 8.2%, rreth 1.1 pikë përqindje më e lartë se një tremujor më parë. Ashtu siç ishte vërejtur edhe gjatë vitit 2020, duket se biznesi po merr kredi kryesisht për investime. Kjo kredi u rrit 11.8% me bazë vjetore.
Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, rritja ka ardhur nga kreditimi i biznesit të madh, ndërsa bankat janë shfaqur më hezituese në kreditimin e bizneseve të vogla dhe të mesme.
Kreditimi i biznesit të madh shfaqet në përmirësim dhe rritja vjetore e kredisë për këtë segment u përshpejtua në rreth 11%. Nga ana tjetër, bankat vijojnë të jenë të kujdesshme në financimin e nevojave të SME-ve, për shkak të rrezikut më të madh që ato mbartin, veçanërisht në kuadër të vështirësive që ka shkaktuar pandemia. Kreditimi për këtë segment është tkurrur krahasuar me fundin e vitit 2020 dhe norma vjetore e rritjes së këtij portofoli, prej rreth 5%, është ndër më të ulëtat e pesë viteve të fundit.
Megjithëse ecuria e kredisë për biznesin është pozitive, normat e interesit për këtë kredi po rriten dhe kjo është një tendencë e nisur që prej vitit të kaluar. Interesi mesatar i kredisë për biznesin rezultoi mesatarisht 5.8%, nga 5.6% dhe 5.3% që ishte përkatësisht në tremujorin e katërt dhe atë të tretë të vitit të kaluar.
Sipas BSH, rritja e normave të interesit, e vërejtur gradualisht prej muajit gusht 2020, reflekton
ndikimin e dy faktorëve kryesorë. I pari është ndikimi i skemave të garancisë sovrane, të cilat shërbejnë si instrument për transferimin e një pjese të rrezikut të kredisë nga bankat tek qeveria. Ndikimi i skemave sovrane tyre ka ardhur në rënie, duke sjellë edhe një faktorizim më të plotë të rrezikut të kredisë në normat e interesit.
Së dyti, bankat kanë raportuar vazhdimisht për kushte të shtrënguara kreditimi për bizneset gjatë tremujorëve të fundit, ku ndër faktorët kryesorë është edhe shqetësimi për situatën financiare të bizneseve, si rrjedhojë e vështirësive të krijuara vitin e fundit nga pandemia. Në këtë këndvështrim, sektori më i brishtë është ai i bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat nuk kanë aftësinë dhe likuiditetin e bizneseve më të mëdha për të përballuar periudha të zgjatura ngërçi ekonomik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.