Në 2018, vetëm 40 emigrantë zgjodhën të jetojnë në Shqipëri (jo të lëviznin në Europë)

30/01/2019 11:00 PM 0 komente

Ndërsa shqiptarët po kërkojnë të largohen në Europë apo gjetkë, në Shqipëri vitin e shkuar nga 4,000 emigrantë të parregullt që përdorën vendin tonë si kalim, 1%, pra 40 nuk e kishin braktisur procedurën e azilit dhe kishin shprehur interesin e tyre për të qëndruar në vend.
Ky fakt është bërë i ditur nga Agjencia e OKB për Refugjatët (UNHCR), në raportin e fundit për përmbledhjen e 2018 dhe rishikimet e vitit të sapo nisur.
Raporti cilëson si një prirje e vazhdueshme, ku edhe në vitin 2018 disa emigrantë u përpoqën të lëviznin nga vendi ku ata kishin arritur së pari, për të shkuar në vende të tjera në Europë. Por, ka pasur shumë raste në Ballkan, ku emigrantët pasi kanë mbërritur, kanë kërkuar që të qëndrojnë në po atë vend.
Për shembull, nga më shumë se 22.100 njerëz që mbërritën në Bosnje dhe Herzegovinë në vitin 2018, vetëm 7% më pas paraqitën një kërkesë për azil në po atë vend. Deri në dhjetor 2018, rreth 5,200 refugjatë dhe emigrantë qëndruan në atë vend. Në Serbi, nga pothuajse 8.500 njerëz që shprehën qëllimin e tyre për të kërkuar azil në Europë, vetëm 4% aplikuan të qëndronin në Serbi. Ngjashëm, në Shqipëri, nga 4,000 njerëz që kërkuan azil në vitin 2018, vetëm 1% nuk e kishin braktisur procedurën e azilit dhe kishin shprehur interesin e tyre për të qëndruar në atë vend.

“Nuk ka asnjë detyrim që azil-kërkuesit të kërkojnë azil në rastin e parë efektiv, por në të njëjtën kohë nuk ka të drejtën e lirë për të zgjedhur vendin e azilit. Për shembull, njerëzit që kishin ardhur fillimisht në Greqi, Bullgari, Itali dhe Spanjë u përpoqën të arrinin shtete të tjera në Evropë. Disa shpresonin të bashkoheshin me anëtarët e familjes ndërsa disa kërkonin të përfitonin nga një mbrojtje efektive që nuk ishte e mundur aty ku kishin ardhur fillimisht, si dhe ende të tjerët kërkonin mundësi ekonomike ose standarde të trajtimit që janë (ose perceptohen të jenë) më të larta diku tjetër. Përveç kësaj, perspektivat e limituara të integrimit të qëndrueshëm dhe kushtet e dobëta të pranimit shpesh raportohen edhe nga ata që lëvizin tutje.”- citohet në raport.

Më tej, në raport, thuhet se lëvizja e parregullt nga Greqia dhe Bullgaria kuptohet të kontribuojë në numrin e vazhdueshëm të njerëzve që përpiqen të kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor në vende të tjera anëtare të BE. “Rrugët kryesore kanë qenë ato ku janë përpjekur për të udhëtuar nga Greqia në Itali me anije ose traget, nga Bullgaria në Serbi ose Rumani, ose nga Greqia nëpërmjet ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë ose Shqipërisë dhe përmes shteteve të tjera në rajon në një destinacion përfundimtar. Në vendet përmes të cilave njerëzit kalojnë, shumë prej tyre aplikojnë për azil ose të paktën shprehin një qëllim për ta bërë këtë, kryesisht si një mjet për të rregulluar përkohësisht statusin e tyre në vend dhe pastaj të vazhdojnë.”
Si reagim ndaj lëvizjes së mëtejshme nga Italia, shtetet fqinje dhe të tjerët kanë futur masa të tilla si ri-vendosja e kontrolleve kufitare dhe zbatimi i rreptë i marrëveshjeve dypalëshe për patrullimet e përbashkëta të kufirit dhe procedurat e ripranimit. Përveç kësaj, me qëllim që të zvogëlohet numri i emigrantëve dhe azilkërkuesve të pranishëm në kufirin italian-francez të Ventimiglia, autoritetet e policisë italiane zbatuan transferimet e migrantëve dhe azilkërkuesit atje në qendrat e posaçme të vendosura në jug të Italisë, të paktën një herë në muaj.
Masat për të adresuar lëvizjen e mëtejshme duhet të përfshijnë solidaritet dhe mbështetje për vendet ku janë vendosur shumica e refugjatëve dhe azilkërkuesve, citon agjencia si pjesë e strategjisë për refugjatët. Në veçanti, sipas saj, është i nevojshëm një mekanizëm i tillë për të zhvendosur kërkuesit e azilit nga shtetet anëtare të BE-së që marrin një numër disproporcional të kërkesave të azilit për shtetet e tjera anëtare të BE-së si pjesë e reformës së Rregullores së Dublinit. “ UNHCR inkurajon aranzhime ad hoc, në përputhje me ligjin dhe kornizat ekzistuese të BE-së, për të nxitur ndarjen e përgjegjësive. Kjo do të përfshinte zhvendosjen në baza vullnetare dhe përdorimin nga shtetet anëtare të BE-së të kompetencave të tyre diskrecionale nën Rregulloren e Dublinit. Në Ballkan, disa shtete kanë nevojë për mbështetje të mëtejshme, duke përfshirë ndihmën për zhvillimin e sistemeve të tyre të azilit dhe për të negociuar marrëveshjet e ripranimit kur është relevante.”-thuhet në raport.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of