Për dy javë me radhë, qeveria shqiptare dhe një ekip i Bankës Botërore janë duke negociuar mbi kushtet e paketës antikrizë në ndihmë të nevojave të vendit në disa fusha. Java e parë iku dhe mbetet kjo në vijim, ku mësohet se në Shqipëri do të mbërrijë një zyrtar i lartë i Bankës Botërore, nga ku do të përcaktohen fatet ekonomike të vendit.
Si çdo vend i rajonit, edhe Shqipëria është e prekur nga kriza dhe kjo reflektohet te mungesa e të ardhurave në buxhet, pamundësia për të shlyer faturat, rënia e remitancave, reduktimi i aktivitetit ekonomik etj. Për këtë arsye, Banka Botërore gjykon të arsyeshme të ndërhyjë me një paketë masash, me synim stabilitetin ekonomik, rritjen e qëndrueshme të PBB-së, por nga ana tjetër, duke i shoqëruar me një sërë masash.
Fondi i shpëtimit, nëse mund ta quajmë kështu, parashikohet të arrijë deri në 300 milionë dollarë, ose e thënë ndryshe, ky është limiti i vendosur nga Banka Botërore për Shqipërinë, por jo e gjithë shuma mund të akordohet.
“Nëse një qeveri do të jetë e suksesshme në marrjen e këtyre financimeve varet nga suksesi i negociatave që ne do të kemi me secilin nga këto vende”, thotë ekonomisti i Bankës i Botërore, Ronald D. Hood. Duke iu referuar vendit tonë, eksperti parashtroi dy aspektet e negociatave me qeverinë shqiptare: kuadri makroekonomik që përfshin borxhin publik dhe aspekti tjetër më specifik, i cili ka të bëjë me sektorin financiar apo rritjen ekonomike dhe konkurrueshmërinë. E thënë ndryshe, Banka Botërore kërkon nga pala shqiptare plotësimin e disa kushteve, ku më i rëndësishmi është ulja e borxhit publik përmes reduktimit të deficitit buxhetor.
Sakaq, Ministria e Financave i konsideron të forta kriteret, duke paralajmëruar dështimin e negociatave, ose më e pakta, arritja e një marrëveshje për një fond jo fort të konsiderueshëm. “Shuma nuk është caktuar ende dhe në varësi të saj do të vendosen edhe kushtet. Po negociohet në vlera nga 1 deri në 300 milionë dollarë”, shprehen burime zyrtare të Ministrisë së Financave. “Me sa kuptojmë ne, me indikacionet që ne kemi, qeveria është e interesuar të ketë të gjithë financimin e mundshëm që është i disponueshëm për Shqipërinë”, thotë Hood. Paraprakisht Banka Botërore është e hapur të mbështesë vendin tonë, por gjithçka do të varet nga vullneti i qeverisë për të ulur borxhin dhe marrjen e një sërë masave. “Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të borxhit publik në rajon. Megjithëse nuk e ka deficitin fiskal më të lartë në rajon, por duke shtuar këtë deficit fiskal, me kalimin e kohës, kjo sjell edhe borxhin më të lartë publik”, thotë Hood.
Suksesi
“Nëse një qeveri do të jetë e suksesshme në marrjen e këtyre financimeve, varet nga suksesi i negociatave që ne do të kemi me secilin nga këto vende”, thotë ekonomisti i Bankës i Botërore, Ronald D. Hood.
Prapaskenat dhe kushtet
Për qeverinë e shqiptare nuk është e lehtë të ulë kokën, duke pranuar krizën dhe gabimet për menaxhimin e financave, parakusht ky i bankës për lëvrimin e çekut. Janë ende të freskëta deklaratat e ministrit të Financave Bode, se plani trevjeçar i borxhit përmbush të gjitha kriteret për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe se nuk parashikohet asnjë rrezik. Jo më larg se një muaj më parë, qeveria e kishte bindjen për burime të sigurta financimi, në kushtet kur bankat private në vend ulën dorën e financimit në pjesën e dytë të vitit 2011.
Tashmë situata ka ndryshuar dhe qeveria është e detyruar të pranojë realitetin. “Monitor” zbulon se në negociata e sipër, ekipi i Bankës Botërore ka vendosur në tryezën e ministrit kushtin e fortë të uljes së borxhit, duke e nisur me rishikimin e planit të deficitit buxhetor. Në rast se qeveria kërkon ndihmën e Bankës Botërore, atëherë e ka me detyrim të ulë në vitin e parë deficitin me 2.5 për qind, nga 3 për qind është aktualisht dhe mbajtja me 2 për qind për dy vitet e tjera, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
E thënë ndryshe, nëse ne pranojmë këto plane të reja, atëherë në buxhet duhet të ketë 50 milionë euro më pak shpenzime për vitin e parë dhe 100 milionë euro në vitet e tjera. Kjo manovër do të jepte ndikim në uljen e borxhit me hapa më të shpejtë nga sa kishte parashikuar qeveria shqiptare. Aktualisht borxhi publik në raport me PBB-në është rreth 59 për qind dhe synohet të arrijë në rreth 57.9 pas tre viteve, duke iu qëndruar parashikimeve ekonomike të BB-së dhe në rast se qeveria pranon kushtet. Gjithsesi kjo masë konsiderohet më e lehtë, po të kemi parasysh rekomandimet e FMN-së për uljen e borxhit, me 55 për qind brenda harkut kohor 5-vjeçar.
Për Ministrinë e Financave, kushtet konsiderohen disi të forta dhe larg objektit të miratuar nga qeveria për tre vitet e ardhshme, duke paralajmëruar se jo të gjitha do të plotësohen. “Mund të marrim 200 apo 300 milionë dollarë, sikurse ekzistojnë mundësitë për të mos rënë dakord, apo të miratojmë vetëm një paketë të vogël financimi. Gjithçka mund të ndodhë”, shprehen burime të rezervuara pranë ministrisë. Në rast se palët bien dakord, kredia që do të merret, synohet të jetë me interes rreth 2 për qind dhe do të përdoret në fushat që Banka Botërore i konsideron prioritet.
Zyrtarisht Banka Botërore është shprehur se pjesa më e madhe financimit të ri do të përdoret për të forcuar dhe zgjeruar programin e reformave, për të cilat banka ka planifikuar të japë mbështetje nëpërmjet huave të politikave të zhvillimit (Development Policy Loan – DPL) për qeverisjen dhe konkurrueshmërinë. “Asistenca jonë do të përqendrohet gjithashtu mbi reduktimin e dobësive fiskale dhe nivelin e borxhit publik. Gjithashtu mund të jepet mbështetje për mbrojtjen e sektorit financiar nga tronditjet e jashtme”, thotë Kseniya Lvovsky, përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Tiranë.
Detaje
Skenari
Nëse pala shqiptare pranon ulje të deficitit buxhetor në 2.5 për qind dhe më tej në 2 për qind, në raport me PBB-në, për tre vitet e ardhshme, atëherë shpenzimet duhen reduktuar me të paktën 100 milionë euro, kurse borxhi publik bie në 57.9 për qind. Aktualisht ky nivel është rreth 59 për qind
Kredia
Në fillim u fol për një shumë prej 100 milionë dollarësh, por shumë shpejt u mësua se Ministria e Financave synon të marrë të gjithë paketën limit të përcaktuar për Shqipërinë nga Banka Botërore, me vlerë 300 milionë dollarë. Megjithatë, se sa do të arrihet të merret, kjo varet nga negociatat
Kostot e financimit të buxhetit
Për vitin 2012, qeveria kërkon të marrë hua rreth 41 miliardë lekë, ku gati gjysma planifikohet të merret te bankat vendase përmes tregut të bonove. Përveç kësaj, për shërbimin e borxhit publik në total, arka e shtetit do të nxjerrë rreth 50 miliardë lekë (nga 41 miliardë lekë në vitin 2011), nivel ky tepër i lartë, i krijuar nga kushtet e reja të krizës.
Ndryshe nga fundi i vitit, në janar bankat i janë përgjigjur nevojës së qeverisë për financime, duke rritur interesat e boneve 12-mujore. Gatishmëria e sistemit për të financuar buxhetin e shtetit është e lartë dhe duket qartë nga prania, por çfarë ka ndryshuar lidhet me afatet, ku synohen periudhat e shkurtra, si pasojë e panikut në rajon. Ministria pranon ndrydhjen e bankave, si reflektim i asaj çfarë i kërkon banka mëmë, e cila ndodhet në Eurozonë, por thjesht janë veprime psikologjike dhe nuk janë pasoja të shkaktuara nga tregu vendas.
Nga bankat vendase planifikohet të merren 19 miliardë lekë, nivel ky jo shumë i lartë dhe pa pasoja në tregun e brendshëm të likuiditeteve, duke pasur parasysh shumat e viteve të mëparshme.
Referuar të dhënave nga Ministria e Financave, deri në nëntor të vitit të kaluar, bankat kishin një peshë të rëndësishme në mbajtjen e borxhit të qeverisë, rreth 70 për qind, ku gati gjysmën e zotëronte banka “Raiffeisen”, kurse pjesën tjetër, prej 14 përqindësh, e zë Banka e Shqipërisë (të tjerë janë institucione jo banka dhe individët që zënë rreth 12 për qind). Në raport me aktivet e sistemit bankar, bonot zënë një peshë prej rreth 37 përqindësh, bën të ditur Banka e Shqipërisë. Nuk mund të thuash me saktësi se cilat janë kriteret që vendosin bankat për të financuar buxhetin dhe cilat janë rreziqet, por në kushtet kur reagimi i tyre ndaj shtetit nuk duket fleksibël (shiko normat e interesave), duket i paqartë, në një kohë kur norma e kthimit është e sigurt.
PBB-ja
Parashikimi i zymtë
Skenarët e Bankës Botërore tregojnë se rritja ekonomike për vendin tonë do të jetë 2 për qind, kurse mesatarja e rajonit parashikohet 2.1 për qind, për vitin 2012. Qeveria parashikon që rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto do të jetë 4.1 për qind, kur më parë planifikohej 5 për qind. Ekspertët e BB-së shprehen se, në kohët e sotme është tepër e vështirë të japësh parashikime të sakta, “pasi çdo gjë ndryshon brenda 5 minutash”. Kjo vlen edhe për Financat tona, të cilat në dy vitet e fundit e kanë rishikuar tre herë buxhetin dhe katër herë planin e rritjes ekonomike.
Raporti i fundit i BB-së tregon se, rritja ekonomike e vendit tonë nuk do të jetë më e lartë se 3.5 për qind, në një kohë kur qeveria pret ta ketë 5 për qind. Pavarësisht këtyre planave, Banka Botërore thotë se kriza në Europë dhe në rajon e bën të pashmangshme ndikimin në Shqipëri, pavarësisht optimizmit të qeverisë. Rritja ekonomike e Shqipërisë ka tashmë dy vjet që është më e ulët se sa mesatarja e Europës dhe Azisë Qendrore. PBB jonë reale vlerësohet se është rritur me 3 për qind gjatë vitit 2011, nga 5.3 për qind që ishte mesatarja e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore, ndërsa do të rritet me 2 për qind në 2012-n, kundrejt 3.2 për qind të mesatares dhe me 3.5 për qind në vitin 2013, kundrejt 4 për qind të mesatares së rajonit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.