Investitorët e huaj insistojnë në faktin që Serbia duhet të vazhdojë rrugën e pranimit në BE dhe të modernizojë administratën shtetërore dhe legjislacionin, veçanërisht në fushën e politikës tatimore. Një vlerësim i kohëve të fundit të reformave thotë që Beogradi mbetet prapa, raporton EURACTIV Serbia.
Jana Mihajlova, Presidentja i Këshillit të Investitorëve të Huaj në Serbi dhe CEO i Nestle Adriatic, deklaruan se qeveria serbe ka arritur rezultate të mira makroekonomike gjatë vitit të kaluar, por theksuan se rritja ekonomike është ende çelësi për t’u pranuar në BE.
Znj. Mihajlova tha se për qeverinë është i rëndësishëm fakti i vazhdimit të negociatave të anëtarësimit me Brukselin dhe ta përdorë atë si një strukturë për përmirësimin e kushteve të biznesit, ligjit dhe implementimeve të tij. Tre gjërat kryesore që priten nga qeveria serbe janë: krijimi i rritjes më të fortë ekonomike duke e bërë konsolidimin fiskal të qëndrueshëm, përmirësimin, harmonizimin dhe zbatimin e vazhdueshëm të ligjeve me standardet e BE-së, tha ajo më tej.
Një grup pune i përbashkët i qeverisë dhe përfaqësuesve të Komisionit të Investimeve të Huaja, kanë për qëllim të ndihmojnë në përshpejtimin e reformave që synojnë harmonizimin më të shpejtë BE-në, një pjesë vendimtare e ofertës për anëtarësimin e çdo vendi kandidat në BE dhe përmirësimin e zbatimit të ligjeve.
Progresi më i madh gjatë vitit të kaluar është bërë në sektorin e ndërtimit, i cili shënoi vlerën mesatare më të lartë prej 2.13. Mbrojtja e përdoruesve të shërbimeve financiare ishte gjithashtu në nivele shumë të mira. Progres pati edhe në fushën e transportit dhe industrisë së duhanit.
Sektorët renditen sipas një rendi vlerësues nga më i larti tek më i ulëti, nga 3 në 1. Përpjekjet për të luftuar ekonominë gri kanë shënuar vetëm 1.55. Nga tetori 2016 deri në tetor 2017, progresi më i vogël u shënua në rregullimin e ligjit dhe taksat e korporatave, kthimin dhe standardet e cilësisë së prodhimit të qumështit, të cilat u vlerësuan me 1.
Këshilli shënoi 63 sektorë dhe 6 fusha në total. Në vitin 2017, ai dha 459 rekomandime, në krahasim me 413 në vitin 2016, ndërsa rezultati mesatar vlerësues në vitin 2017 ishte 1.37, në krahasim me 1.39 në vitin 2016.
Një koment i bërë nga një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara ishte tepër pikant. Ai tha se vendet që synojnë anëtarësimin në BE nuk duhet të bëjnë lojë të dyfishtë dhe të luajnë në të dyja kahet, një referencë e qartë e marrëdhënieve të Beogradit me Moskën, e cila ka rindezur debatin në Serbi në lidhje me atë nëse politika për të pasur një këmbë në të dy kampet, do t’i japë Serbisë qëndrueshmërinë në terma afatgjatë, raporton EURACTIV Serbia.
Kryeministrja serbe, Ana Brnabić, deklaroi se qeveria është e përkushtuar në krijimin e një mjedisi të favorshëm biznesi, me qëllim që të tërheqë investitorët e huaj, por edhe t’u krijojë sipërmarrësve aktualë kushtet e kërkuara në mënyrë që ata të ndihen sa më të kënaqur dhe që njëkohësisht të vazhdojnë investimet e tyre.
Znj. Brnabić njoftoi se një projektligj mbi taksat parafiskale, për të cilat bizneset ankohen shpesh, së shpejti do të diskutohen në një debat publik, në një përpjekje për të vendosur kontrollin në mbledhjen e gjobave dhe taksave të shumta, gjë kjo që është e rëndësishme, si për komunitetin e biznesit, ashtu edhe për qeverinë.
Reforma e re tatimore, për të cilën njoftoi Kryeministrja, tha se do të përfshinte edhe forcimin e mekanizmit të inspektimit. Liderja serbe theksoi se një nga shtyllat e reformës në periudhën e ardhshme do të ishte sundimi i shtetit ligjor, duke përfshirë një sistem gjyqësor më efikas për ekonominë dhe qytetarët në përgjithësi.
Gjatë prezantimit të “Librit të Bardhë” në vitin e 15 të botimit të tij, që është një prezantim me situatën e sektorit privat për klimën e biznesit në Serbi për vitin 2017 dhe platformë transparente e Komisionit të Investimeve të Huaja për dialog me autoritetet, u publikuan analiza të 18 ligjeve dhe akteve nënligjore dhe 24 iniciativa me shkrim për ndryshime në rregulloret aktuale.
Komisioni i Investimeve të Huaja mbledh më shumë se 130 kompani, 74% prej të cilave janë nga BE-ja. Anëtarët e Këshillit punësojnë rreth 100,000 njerëz dhe përbëjnë rreth 25% të totalit të eksporteve të Serbisë. Deri më tani, këto kompani kanë investuar më shumë se 34 miliardë euro në Serbi.