Mijëra qytetarë të Kosovës edhe sonte ia kanë mësyrë Shqipërisë për të kaluar fundjavën dhe për të shijuar ditët me diell. Fluksin e qytetarëve të Kosovës nuk e ka ndalur as rritja e numri të rasteve me COVID-19. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 418 raste pozitive.
Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, por edhe vendet e rajonit, ditëve të fundit ka pasur rritje të numrit të të infektuarave me koronavirus.
Mirëpo, ky fakt nuk është duke i penguar fare qytetarët e Kosovës që të shkojnë në Shqipëri për vikend.
Qytetarët nga Kosova vazhdojnë t’i drejtohen Shqipërisë për të kaluar fundjavën dhe për të shijuar ditët me diell.
Sipas raportimeve, dita e sotme në Pikën Kufitare të Morinës ka shënuar një fluks të madh qytetarësh dhe mjetesh, respektivisht në Shqipëri kanë hyrë 2500 makina dhe rreth 13 mijë qytetarë, ndërkohë drejt Kosovës kanë ikur 1120 automjete me rreth 8900 qytetarë.
Policia kufitare kanë punuar me procedurë të përshpejtuar dhe me nga 7 sportele, por sërish pati radhë të gjata automjetesh.
Ndërkohë që në Shqipëri nuk ka ende asnjë kusht për qytetarët që vijnë nga vendet shumë të prekura nga COVID Kosova ka një rregullore, sipas së cilës shtetasit që hyjnë nga 17 shtete me risk të lartë duhet të ketë tampon negativ të bërë në 72 orët e fundit.
Për Kosovën, shtete me risk të lartë janë disa vende të BE, si Gjermania, Italia dhe Franca dhe vende të rajonit, përjashto Shqipërinë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit në Kosovë janë 4 të vdekur nga COVID-19, derisa 418 kanë rezultuar pozitivë.
E gjithashtu ka shtim edhe të testimeve. Sipas IKSHPK-së janë testuar 1608 mostra.
Tutje thuhet se numri total i rasteve pozitive është 19.328 raste nga 92.706 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 678 raste të vdekjes.
Kujtojmë se vetëm gjatë gushtit mbi 800 mijë qytetarë të Kosovës kanë pushuar në Shqipëri.
Gjatë gjithë këtij muaji, fluksi ka qenë i lartë, pavarësisht se ky muaj shënoi dhe numrin më të lartë të infektimeve dhe jetëve të humbura si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, ka bërë me dije se gjatë gushtit për në Shqipëri për pushime kanë dalë 810 mijë e 71 qytetarë të Kosovës.
Ndërkohë, krahasuar me vitin e kaluar ka pasur një ngritje të ndejshme, meqë në vitin 2019 gjatë periudhës së njëjtë të vitit kishin kaluar kufirin për në Shqipëri, në Pikë Kufitare në Vërmicë 686 mijë e 467 persona. Qytetaret nga Kosova jo vetëm kësaj radhe por në vazhdimësi mbajnë primatin e turistëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit veror.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.