Rrahman Kasa, Menaxher pranë “Happy Tours”
Turoperatorët shqiptarë, që janë të angazhuar në turizmin e organizuar që prej vitesh po “lulëzon” kryesisht në zonën e Durrësit, shprehen optimistë për situatën e sektorit pas tërmetit. Sipas tyre frenimi i shitjeve nga agjencitë e huaja për sezonin e ardhshëm ka zgjatur vetëm dy ditë dhe më pas gjithçka është kthyer në normalitet. Rrahman Kasa, menaxher pranë “Happy Tours” shprehet se agjencive iu janë nisur akt-konstatimet për situatën e hoteleve pas tërmetit dhe kjo ka qenë garanci e mjaftueshme për ta që të vijohet marrëdhënia normale. Ai nënvizon se sezoni veror do ende kohë që të vijë ndërkohë që agjencitë e huaja kryesisht polakë dhe çekë deri më tani kanë shitur 30 për qind të dhomave që kanë rezervuar një tregues ky i njëjtë me vitin 2019.
Jemi në fund të vitit 2019, a mund të bëjmë dot një vlerësim të përgjithshëm si ka qenë vitin 2019 për turizmin në këndvështrimin tuaj?
Ne kemi pasur një ndikim të dukshëm në ekonominë e turizmit në vitin 2018 pra “boom” real në turizëm dhe ai është viti që ne i referohemi si etalon. Edhe për vitin 2019, kemi qenë në të njëjtat parametra pra me të njëjtat shifra, me disa luhatje të vogla për shkak të disa situatave që dihen tashmë siç ishin protestat dhe kriza politike. Këto japin një farë ndikimi jashtë kufijve të Shqipërisë sepse ndryshe e percepton ai që është në vend dhe ndryshe një i huaj që e sheh përmes mediave. Plus tani është edhe kjo ngjarja tragjike e tërmetit që goditi Shqipërinë dhe normalisht pati një ndikim në shitje për vitin 2020 sepse viti 2019 e ka mbyllur këtë pjesë. Për momentin ka vetëm pak turistë individualë që vijnë për qëllime të ndryshme të aventurës ose ndonjë grup që vjen për ndonjë tur dimëror. Ajo që binte në sy ishte që pati një frenim të shitjeve sa i takon dy ditëve të para të pas tërmetit por që nisi të rikuperohet. Nuk besoj se do të ketë ndonjë ndikim sa i takon numrave apo shitjeve në vitin 2020 sepse jemi ende herët.
Nga strukturat e hotelerive që ju keni bashkëpunim, ka pasur dëmtime? Çfarë ju kanë raportuar?
Të gjithë shqiptarët janë njohur me atë që ka ndodhur si rezultat i tërmetit. Të gjithë hotelet që ne kemi kontraktuar për operatorët e huaj nuk kanë pasur dëmtime. Dëmtime të lehta, plasaritje apo suvatim edhe mund të ketë por në struktura s’ka pasur probleme. Janë gjëra pa problem dhe këtë e dëshmon më së miri fakti që në të gjitha këto hotele kemi mundësuar së bashku me Ministrinë e Turizmit që të akomodohen pjesa e të prekurve nga tërmeti. Vetë strukturat janë hapur, janë certifikuar që janë në rregull pas tërmetit dhe pastaj është proceduar me strehimin e atyre në nevojë. Nuk mund të çonim banorët nga një rrezik në një tjetër.
Nga agjencitë e huaja që keni kontakt ju a është kërkuar ndonjë verifikim?
Ata na besojnë pasi ka shumë vite që bashkëpunojmë dhe kanë kërkuar një dokument shtetëror, akt konstatimi nga grupi i kontrollit dhe ekspertëve. Ne u kemi çuar origjinalin bashkëngjitur me përkthimin dhe janë mjaftuar me kaq.
Nga tregjet që kemi aktualisht polakë, çekë, ukrainas, gjermanë mund të kemi ndonjë të dhënë paraprake për rezervimet kush ka rritje, kush ka tkurrje?
Nëse iu referohemi kontratave me garanci të turizmit të huaj, këto shifra janë të dukshme dhe ekzakte, se ne i marrim në bazë të listave paraprake që ata i sjellin. Ata i dërgojnë çdo muaj për të azhurnuar hotelet dhe ne si partnerë sa u takon dhomave që shesin. Këto dhoma janë të kontaktuara me garanci dhe janë të detyruar t’i shesin sepse në të kundërt duhet t’i paguajnë bosh. Ka disa klauzola për një reduktim apo për rastet të ndryshme kur ato ndodhen në vështirësi dhe për këtë arsye i dërgojnë listat në mënyrë që dhe në të gjejmë zgjidhje kur shohim se ka një diferencë mes dhomave të kontraktuara dhe atyre të shitura. Në këtë mënyrë në prag të fillimit të sezonit ne pastaj mundohemi t’i shesim përmes tregjeve të tjera duke lënë një hapësirë fleksibiliteti. Numri i dhomave të shitura është në të njëjtat shifra si vjet. Kështu që nëse i referohemi përqindjes, le të themi se rreth 30 për qind janë të shitura tek disa disa kompani si Nova Itaka e Polonisë apo Apollo e Skandinaveve.
Cili mendoni se do të jetë tregu që do të ketë më shumë interes këtë vit?
Tregu polak është ai që ka numrin më të madh të turistëve në Shqipëri sa i takon turizmit të organizuar me pas vijnë nordikët. Ndoshta mund të jetë tregu gjerman që ka filluar të ketë rritje, ai çek dhe më pas vijnë tregjet e tjera. Flas këtu për shtetas të huaj dhe jo për shtetas shqiptarë me pasaportë të huaj që llogaritjen si turistë të huaj dhe që normalisht edhe në statistika rezultojnë si italianë apo grekë e anglezë ku është e përqendruar një pjesë e mirë e emigrantëve tanë.
Ka ndonjë treg tjetër që po interesohet për Shqipërinë?
Po është tregu anglez, po interesohet po nxjerrë disa statistika dhe po shpresojmë që në vitin 2021 ta fusim në Shqipëri përmes një kompanie shumë serioze.
Po nga vendet e Lindjes a ka interes për vendin tonë ?
Nga tregu i Lindjes aktualisht kemi tregun izraelit, i cili vjen për pushime dhe ture të kombinuara. Më pas kemi dhe për ture kulturore tregun japonez, korean dhe Singapor Tajvan. Një treg miks nga vendet e zhvilluara dhe shpresojmë që të fusim dhe tregun kinez por gjithmonë në ture kulturore dhe me paketa rajonale. Ata bëjnë rezervime për paketa dy javore dhe vizitojnë disa vende ku përfshihet dhe Shqipëria.
Tregu nordik qëndroi në të njëjtat nivele dhe në dijeninë tonë ju nënshkruat edhe kontratat e reja. Si duket shifrat për këtë treg?
Po është në të njëjtat shifra pra do qëndrojmë në nivelin 6-7 avionë në javë dhe jemi në diskutime bazuar në shitjet ndoshta nga shkurti të shtojmë dhe një avion tjetër, duke parë situatën me shitjet.
Po polakët me sa chartera vijnë vitin tjetër?
Itaka ka 10 avionë në javë, dhe fillon nga 22 maji. Ka “Tui” polak 6 avionë në javë, “Rego Biss” gjithashtu ka të vetët. Është edhe “Exim Tours” pjesë e “Der Turistik” që ka dy avionë në javë. Është “Rainbow” që ka dy avionë në javë dhe nja dy të tjera që punojnë me Rayan Air.
Edhe çekët janë një tjetër grup turistësh që kanë vite që po frekuentojnë Shqipërinë, si pritet 2020?
Janë disa kompani çeke që operojnë me chartera, por ka nisur dhe linja e rregullt gjatë gjithë sezonit veror nga Praga dhe pastaj kompanitë kanë ditët e tyre të caktuara me chartera. Tre në javë.
Sipas rezervimeve që keni kush janë turistët e parë që vijnë vitin e ardhshëm?
Ashtu si edhe vitet e shkuara janë nordikët që vijnë në fund të dhjetëditëshit të parë të majit.
Po rusët si shfaqen në preferencë për Shqipërinë ka kërkesë prej tyre?
Rusia është një treg interesant, por rusët akoma nuk vendosen në Shqipëri në mënyrë të organizuar sepse kompanitë ruse të mirëfillta kanë një lloj marrëdhënie të konsoliduar me Turqinë. Kjo e fundit ka ndjekur politika specifike për t’i joshur dhe për subvencionet që u jep dhe për hir të kapaciteteve që ka. Të jemi realistë nëse marrim kompani të fuqishme ruse në Shqipëri, ne e kemi vështirë ti përballojmë. Nuk kemi kapacitete të mjaftueshme por po luftojmë përmes një kompanie të mirë ruso-ukrainase që ka filiale në dy shtete që ta fusim dhe të testojmë tregun.
Si mund ta nxisim turizmin dhe futjen në tregje të reja pasi ju përmendët Turqinë dhe pjesën e subvencioneve?
Pa diskutim që çdo stimul është i rëndësishëm sidomos në turizëm pasi jep ndikimin e vet direkt. Kompanitë që sjellin turistë e kanë të thjeshtë të bëjnë llogari sidomos kur në mes janë edhe subvencionet sepse kanë fitimin e tyre nga paketat por edhe një fitim neto që ua jep shteti pritës. Këtë praktikë e kanë shumë shtete dhe rasti më afër nesh është Maqedonia që e aplikon. Turqia dhe Serbia gjithashtu. Ne do kërkonim që të shihej mundësia e një subvencioni sado të vogël që do kishte ndikim të madh por dihet që kjo ka kosto në buxhet dhe nuk është aq e lehtë sidomos me ngjarjen e post tërmetit që la pas një goxha kosto.
Kjo paketa e 6 për qindëshit çfarë ndikimi ka pasur, si e shihni ju?
Pa diskutim që kishte ndikim dhe nuk duhet ta mohojmë këtë sepse fillon që nga çmimet më të ulëta që ofrojnë hotelet por edhe pjesa e brandeve është mjaft interesante, sepse realisht disa politika që janë ofruar për investimet janë politika favorizuese për investimet e huaja por nuk kemi atë rezultat që duhet të kishim sepse kur ne ofrojmë politika të tilla kur ofrojmë dhe taksa free për 10 vite ofrohen edhe 6 për qind i TVSH-së duhet të kishim në shumë luëzim më shumë investime të huaja. Nuk janë ato që pritej, ka disa brande që janë kryesisht në Tiranë dhe kjo me logjikë se është kryeqyteti. Po tentohet edhe në bregdet. Radison Blue po lidh disa kontrata për emrin e vet në pjesën e Dhërmiut dhe në Durrës, Melia spanjolle është prezente gjithashtu si dhe një grup tjetër siç është Sentido, që po interesohet edhe për të marrë hotele në menaxhim edhe të lidhë kontrata për brand.
Turizmi i organizuar është i përqendruar kryesisht në Durrës pikërisht prej strukturave akomoduese që ofron ky i fundit. Ka ndonjë zgjerim të turizmit masiv edhe në Jug për shembull Vlorë apo Sarandë, si është pritshmëria për 2020?
Turizmi i organizuar është në Durrës pjesa më e madhe por jo se nuk kemi turizëm të organizuar në pjesën tjetër. Saranda ka goxha dhe është destinacioni i dytë. Ka filluar dhe Vlora dhe në vitin 2020 do të ketë rritje. E ka penalizuar për këtë gjë ajo pjesa e transfertës, distanca nga aeroporti dhe mungesa e Bypassit të autostradës. Këtë vit ai u hap në një korsi dhe presim që deri verën tjetër të hapet dhe pjesa tjetër. e cila e afron distancën dhe si rezultat i kësaj kemi dhe shtesë numri., jo në numrat që duhet të ketë Vlora. Rritja në 2020 do të jetë 10 për qind sepse dhe disa struktura të reja akomoduese po bëhen.
Së fundmi ka një linjë low cost me Zvicrën a prisni ndikim nga kjo ?
Patjetër ka impaktin e vet. Janë disa kompani që punojnë me garanci që do të kenë lehtësi për të gjetur bileta për të ardhur në Shqipëri. Një nga penalitet e mëdha që ne kemi është kosto e biletës e cila del e shtrenjtë qoftë për shqiptaret që ikin edhe për të huajt që vijnë në Shqipëri. Si rezultat i kësaj na kanë penalizuar vazhdimisht taksat aeroportuale dhe biletat e shtrenjta. Por futja e disa linjave loë cost duke u arritur dhe një farë marrëveshje me aeroportin e Rinasit për ekskuzivitetin, besojmë që janë lehtësi që kanë një lloj ndikimi dhe ndaj po rritet numri.
Tani që ndodhi kjo situata në Durrës çfarë mund të bëjë qeveria që kur të vijë sezoni tjetër ta gjejë në rregull?
Qeveria duhet të bëhet ajo që kemi thënë përherë. Duhet sistemuar zona pasi ka akoma probleme. Janë bërë disa gjëra por ende ka inerte mbeturina. Duhet rregulluar rruga dytësore duhet zgjeruar duhet të bëhet një dalje në Golem. Duhet disiplinuar rruga dytësore, sidomos në gusht bëhet një trafik i tmerrshëm dhe duhet të funksionojë me një sens unik. Duhet bërë një farë “make up” i zonës. Duhet vullnet dhe organizim. Për hir të numrit të turistëve dhe parave që fut kjo zonë në ekonominë shqiptare ky lloj investimi nuk është asgjë.
Po pjesa e Lezhës dhe Shkodrës si qëndrojnë tek turizmi i organizuar?
Në Lezhë ka struktura ku mund të ketë turizëm të organizuar por numrat janë të vegjël. Shkak gjithmonë është transferta. Nisja nga Rinasi për të shkuar në Lezhë shkon 3-2.5 orë për shkak të trafikut pasi mungon pjesa e autostradës. Ndërsa Velipoja ende s’ka mundësi sepse s’ka investime, s’ka struktura. Disa herë është tentuar të futet nga Podgorica por sërish ka vështirësi pasi ka vonesa në përpunimin në pikat kufitare pasi ka radhë në sezon veror.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.