Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare (IBAN), përditësohet standardi ndërkombëtar 

16/10/2020 1:00 PM 0 komente

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit bëri të ditur se Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin (ISO) sapo ka përditësuar standardin ndërkombëtar për IBAN – Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare.

“Shumë vite më parë për të transferuar jashtë shtetit para duheshin shumë ditë për të mbërritur dhe ndonjëherë nuk mbërrinin fare në vendin, ku ishin nisur. Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare (IBAN) është struktura e numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare, e cila lejon transferimin e sigurtë dhe të shpejtë të parave në të gjithë botën. Sapo është përditësuar standardi ISO 13616, Shërbimet financiare, Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare.

Standardi ISO 13616-1, Shërbimet financiare – Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare (IBAN) – Pjesa 1: Përbërja e IBAN, specifikon strukturën dhe elementet e një numri ndërkombëtar llogarie bankare (IBAN), i cili përmirëson cilësinë, eficiencën dhe kohën e shlyerjes së transfertave kombëtare dhe ndërkombëtare, duke siguruar një shkallë sigurie më të lartë. Pjesa 1 e standardit plotësohet nga pjesa 2, ISO 13616-2, Shërbimet financiare – Numri ndërkombëtar i llogarisë bankare (IBAN) – Pjesa 2: Roli dhe përgjegjësitë e autoriteteve të regjistrimit, i cili detajon procedurat për regjistrimin e formateve IBAN dhe elementet e të dhënave, që vendosen në regjistër.

Standardi u hartua për herë të parë në vitin 1997 dhe ofron një metodë për krijimin e një kodi unik, që përshtatet në sistemet ekzistuese të bankave dhe mënjanon rrezikun e ngatërresave, kur bëhet fjalë për transferimin e parave midis bankave të shteteve të ndryshme” sqaron DPS.

Kjo e fundit vë theksin se standardi ISO 13616 siguron një metodë, e cila ofron një mjet për strukturimin e informacionit dhe ka për qëllim të lehtësojë procesimin automatik të transfertave. Përdorimi i IBAN-it synon rritjen e saktësisë së të dhënave të një transaksioni dhe reduktimin e ndërhyrjeve manuale në procesimin e tyre. Rreziku i vonesës apo i moskryerjes së pagesës për shkak të pasaktësive, reduktohet, pasi llogaria bankare e përfituesit të fondeve, kreditohet vetëm nëpërmjet përdorimit të IBAN.

Sipas DPS, Komiteti teknik ISO,  që hartoi serinë  e standardeve ISO 13616 pranoi se një metodë e vetme, universale për identifikimin e llogarisë dhe transfertave bankare për klientët e institucioneve financiare do të ishte praktike, por shumë e kushtueshme për t’u zbatuar. Standardi ISO i hartuar me dy pjesë merr parasysh faktin, që institucionet financiare dëshirojnë të mbajnë metodat e tyre aktuale të identifikimit të veprimeve bankare.

Z. Paul Janssens, Drejtori i Programit në SWIFT, Autoriteti i Regjistrimit për IBAN, tha: “Në epokën e dixhitalizimit dhe pagesave më të shpejta, standardi ISO për IBAN-in luan një rol kryesor pasi përmirëson saktësinë e numrave të llogarisë bankare dhe mundëson vërtetimin dhe automatizimin e përpunimit të pagesave”./N.Maho

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of