Oda e Afarizmit kërkon nga BQK të ulen urgjentisht normat e interesit

03/08/2020 11:34 AM 0 komente

Oda e Afarizmit të Kosovës ka ripërsëritur kërkesën për uljen e normës së interesit, duke i dërguar shkresë Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

OAK thekson se ulja e normës së interesit në së paku 1.7% dhe presioni në bankat komerciale për uljen e interesit bankar, dhënien e kredive edhe për biznese të reja dhe rritja e dhënieve të kredive për biznese është nevojë emergjente e bizneseve, duke marrë parasysh mospërkrahjen e shtetit tani e pesë muaj për mbulimin e shpenzimeve operative duke përfshirë edhe pagat, tatimet, investimet etj.

Oda e Afarizmit të Kosovës theksoi që një nga propozimet e saj për pakon e rimëkëmbjes, është edhe ulja e normës së interesit në mënyrë që bankat komerciale të kenë mundësi që të ulin kamatat e tyre.

“Duke pasur parasysh vështirësitë financiare të bizneseve gjatë kësaj situate dhe me paralajmërime të falimentimit të qindra bizneseve, OAK e konsideron që ulja e normës së interesit do të ishte një ndihmesë e madhe për bizneset në mënyrë që të kenë mundësi që të operojnë”, thuhet në njoftim.

Në këtë shkresë Oda e Afarizmit të Kosovës shpreh shqetësimin që efektet e pandemisë priten të vihen re pas tejkalimit të saj sidomos në aspektin ekonomik. OAK e sheh të nevojshme ofrimin e shumë mekanizmave për përkrahje më të madhe të komunitetit të biznesit në mënyrë që të kenë mundësi për ruajtjen e stabilitetit dhe funksionimin ekonomik.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of