Kontributi i industrisë kreative në Prodhimin e Brendshëm Bruto në Shqipëri arrin në rreth 0.5%, nga 3% që zë në shumë vende të zhvilluara
Në një kohë kur në ekonomitë e zhvilluara po vlerësohet gjithnjë e më shumë krijueshmëria, në Shqipëri industritë që janë të lidhura me këtë sektor, janë ende pak të zhvilluara.
Studimi i fundit i zhvilluar nga Koperacionin Teknik Gjerman (GTZ) konfirmon se kontributi i industrisë kreative në Prodhimin e Brendshëm Bruto në Shqipëri arrin në rreth 0.5% të tij me rreth 4 miliardë lekë të ardhura.
Sipas studimit të GTZ, në shumë vende të zhvilluara industritë kreative zënë 3% të PBB-së, çka është një tregues i mirë mbi potencialin që ka kjo degë edhe në Shqipëri. Në punësim, ky sektor numëron rreth 3,500 të punësuar,
rreth 1% e forcës së punës së vend. Rreth 56% e personave që punojnë në të janë femra. Norma më e lartë e punësimit të femrave është në stilim, rreth 90% dhe në artizanat, me rreth 78%.
Me një peshë prej 37%, dega më e madhe në industrinë krijuese në Shqipëri (sipas numrit të punonjësve) është biznesi tradicional i artizanatit, i ndjekur nga shërbimet e dizajnit, artet dhe reklamat.
Por, nëse shikohen të ardhurat që krijojnë këta sektorë, më i madhi është biznesi i reklamës, me rreth 43% të totalit të tregut kreativ në vend. Ky fenomen reflekton faktin se në sektorët e artizanatit
dhe të arteve është shumë e përhapur puna me kohë të pjesshme dhe të ardhurat janë të ulëta.
Industria kreative është e përqendruar në Tiranë, ku është rreth gjysma e fuqisë punëtore dhe ku sigurohen rreth 75% e të ardhurave. Ndërkohë që artizanati ka një gjeografi të zgjeruar,
biznesi i reklamave është 81% i fokusuar në kryeqytet, ku ndodhet rreth 81% e fuqisë punëtore dhe sigurohen 97% e të ardhurave.
Artizanati, 1300 të punësuar
Në total, 281 ndërmarrje me rreth 1300 punësuar, nga të cilët 78%, femra, janë pjesë e sektorit të artizanatit. Nga këto ndërmarrje, jo më shumë se 20% figurojnë të regjistruara si biznese.
Më shumë se një e treta e këtyre ndërmarrjeve ndodhen në Shkodër dhe 15% në Korçë. Dega më e madhe në artizanat i përket asaj të tekstileve, që zë 60% të totalit të punësimit.
Dega e dytë më e madhe është puna e drurit, që kontribuon me 10% të punësimit brenda artizanatit. Për vitin 2009, të ardhurat totale nga sektori i artizanatit arritën në 273 milionë lekë, rreth 4.5% më pak se një vit më parë.
Në Shqipëri, situata është bërë kritike për shumë ndërmarrje artizanati, kjo sepse të rinjtë i kushtojnë pak rëndësi vlerave tradicionale, duke ulur fuqinë blerëse.
Fuqia e ulët blerëse në Shqipëri ka nxitur futjen në treg të mjaft produkteve nga Kina, që sot shiten me çmim të ulët dhe në mënyrë masive.
Arkitektura, 50% informale
Mjaft interesant në Shqipëri është edhe biznesi i shërbimeve të arkitekturës, duke përfshirë dizajnin, dizajnin e brendshëm dhe planifikimin e qyteteve.
Deri në vitin 1994, të gjitha këto shërbime kryheshin nga institucione shtetërore.
Gjithsesi ky treg mbetet ende i pazhvilluar dhe shumë aktivitete profesionale janë ende informale, sipas përllogaritjeve, rreth 50% e tyre.
Numri total i studiove të regjistruara të arkitekturës në Shqipëri arrin në 42. Në total, ky sektor përllogaritet të ketë xhiruar rreth 1.3 miliardë lekë në vitin 2009,
ku peshën më të madhe e zë Tirana, me afro 661 milionë lekë të ardhura.
Përveç 200 arkitektëve që janë të vetëpunësuar, që figurojnë të regjistruar, përllogariten rreth 240 individë që punojnë të paregjistruar.
Nga viti 2004-2009, numri i studentëve të diplomuar në këto degë arriti në 229, por vetëm 13 prej kanë marrë licencën për të ushtruar profesionin.
Fashion, vetëm 242 milionë lekë të ardhura
Sipas studimit, sektori i stilistëve ose siç njihet ndryshe fashion design, numëron rreth 108 biznese me një total punonjësish prej 212 vetash.
Rreth 93% e këtyre bizneseve drejtohen nga femrat.
Numri total i dizajnerëve të “shkolluar” në këtë profesion është 424, ku rreth 90% janë femra, çka tregon dominimin e këtij sektori nga femrat.
Të gjitha ndërmarrjet në këtë sektor janë biznese të vogla dhe të përqendruara masivisht në kryeqytet.
Në vitin 2009, ky sektor ka realizuar rreth 242 milionë lekë të ardhura.
Kriza financiare 2008-2009 ndikoi negativisht në kërkesën te këto biznese, Në vitin e kaluar ky sektor u rrit vetëm 1%.
Dizajnët që krijojnë më shumë të ardhura dhe që ofrojnë cilësi më të lartë janë të përqendruar në Tiranë.
Rreth 96% e fashion dizajnerëve shqiptarë punojnë deri në hallkën e fundit, konsumatori, çka tregon se ata përgjithësisht prodhojnë artikuj unikë në bazë të porosive.
Grafik dizajnët, 20 studio në vend
Në 2009, të ardhurat në sektorin e grafik dizajnerëve arritën në rreth 174 milionë lekë, me rritje rreth 10% krahasuar me një vit më parë.
Ky sektor nuk punëson më shumë se 80 vetë me një total, prej rreth 20 studiosh. Tirana ka 74% të këtyre bizneseve sipas punësimit dhe 2/3 e të ardhurave në këtë sektor.
Arti, rreth 300 piktorë
Degët kryesore në sektorin e artit janë piktura, skulptura, prodhimi i muzikës dhe i filmit. Në këtë sektor numërohen 239 ndërmarrje me një total force pune prej rreth 805 personash,
nga të cilët 32% janë femra. Në total, ky sektor ka realizuar rreth 580 milionë lekë të ardhura vitin e kaluar.
Dega më e madhe është piktura, që numëron rreth 300 artistë me të ardhura prej 300 milionë lekësh në vitin 2009, 52% e të ardhurave totale në sektorin e artit.
Ka përqendrim të lartë të këtij aktivitetit në Tiranë, kjo pasi jo vetëm piktorët, por edhe industria e filmave prodhohet tërësisht në Tiranë dhe 80% e kompanive të muzikës operojnë gjithashtu në kryeqytet.
Reklamat, tregu në rritje
Një nga tregjet më të mëdha në sektorin kreativ, që është duke u rritur vazhdimisht, është ai reklamave. Në vitin 2000, tregu i reklamave arriti në 13 milionë euro
dhe në atë kohë tregu ishte shumë pak i organizuar me agjenci publiciteti shumë pak të zhvilluara. Pas hyrjes në fuqi të ligjit antipirateri në vitin 2003, ky treg mori spunto tjetër.
Stacionet televizive, në veçanti, investuan shumë në teknologji dhe programacion, çka rriti shumë numrin e shikuesve. Në total tregu i reklamave për 2009-n përllogaritet në rreth 1.7 miliardë lekë,
me rreth 370 të punësuar dhe afro 42 agjenci që operojnë në treg.
Pse u ndërmor studimi
Sot industritë kreative janë sektorët më dinamikë në tregtinë botërore. Gjatë periudhës 2000-2005, tregtia ndërkombëtare e shërbimeve dhe mallrave kreativë përjetuan një rritje shumë të madhe vjetore, prej 8.7%.
Vlera botërore e eksporteve të tyre arriti në 422.4 miliardë dollarë në 2005, duke përfaqësuar rreth 3.4% të totalit të tregtisë ndërkombëtare. Në ditët e sotme në vendet më të zhvilluara,
industritë krijuese janë duke zhvilluar një zgjidhje për rigjallërimin e rritjes ekonomike, punësimin dhe kohezionin social. Të ashtuquajturit “qytete kreative” janë duke u profilizuar në Europë dhe në Amerikën e Veriut,
duke rigjallëruar ekonominë e qendrave urbane përmes zhvillimeve kulturore dhe sociale dhe duke ofruar punë tërheqëse, veçanërisht për të rinjtë.
Xhiroja e industrive krijuese europiane arriti në rreth 654 miliardë euro në 2003, duke u rritur me 12.3% më shpejt se e gjithë ekonomia e Bashkimit Europian dhe duke punësuar më shumë se 5.6 milionë njerëz.
Në Shqipëri, industria kreative njihet shumë pak. Nuk njihet madhësia, struktura dhe kontributi i saj në ekonomi dhe në punësim. Kjo është arsyeja pse Ministria e Ekonomisë,
Tregtisë dhe Energjetikës në bashkëpunim me Koperacionin Teknik Gjerman (GTZ) kanë studiuar përmasat e këtij sektori për ta mbështetur më pas atë.
Qyteti Nr.komp Të punësuar Xhiro/2008 Xhiro/2009 (lekë)
Shkodra 123 469 272.292.000 216.648.000
Kukësi 11 44 6.490.000 6.380.000
Lezha 18 29 40.242.000 34.927.000
Dibra 10 16 8.632.000 8.182.000
Durrësi 82 186 161.662.000 134.511.000
Tirana 376 1.687 2.950.058.000 3.027.141.500
Elbasani 31 61 90.566.000 80.060.000
Fieri 73 197 185.785.044 153.052.000
Berati 21 37 20.222.750 16.199.200
Korça 90 247 141.179.500 120.552.000
Vlora 82 267 140.680.900 124.909.300
Gjirokastra 57 231 52.177.327 46.462.200
Burimi: Studimi i GTZ
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.