Artur Papajani, konsulent fiskal, në një opinion që i ka dërguar Dhomës së tregtisë lidhur me projektligjin që propozohet për ngrirjen e gjobave që lidhen me fiskalizmin deri në 31 dhjetor 2021 ka sugjeruar që urgjentisht të bllokohet i gjithë procesi i fiskalizimit, pasi ai po has me shumë problematika dhe kosto për bizneset. https://www.monitor.al/akt-normativ-per-heqjen-e-gjobave-te-fiskalizimit-deri-ne-31-dhjetor-2021-pandemia-ka-krijuar-nje-situate-te-veshtire-ekonomike-dhe-sociale/
Që në fillim të kësaj iniciative ne konstatojmë që tjetër gjë prisnim dhe tjetër na serviret, thuhet në shkresë.
Kërkesa e biznesit mbarë, e profesionistëve të lirë, ekspertëve të kontabilitetit dhe të fushës fiskale ka qenë pezullimi i procesit të fiskalizmit.
Arsyet kryesore janë:
1. Vetë sistemi i platformës qendrore të faturave ka zhvillim të mangët. Shumë çështje dalin në praktikë, që edhe ekspertët e DPT nuk janë në gjendje t’ju përgjigjen. Vetë sistemi nuk i ka pasur të zhvilluara dhe kjo është mangësi e vetë administratës tatimore.
2. Kostot që po përballen bizneset nuk janë ato “minimale” që na u servirën nga Ministria e Financave dhe Adminsitrata Tatimore.
3. E rilexuam dhe rishikuam përvojën europiane dhe na rezulton që:
a) asnjë shtet i Bashkimit Europian,
b) as Direktiva e BE, për të cilën vetë drafti që na serviret thotë që nuk është detyruese dhe s’ka të bëjë me acquis,
c) as Kroacia që e ka zhvilluar sistemin nuk e aplikon kështu në përfshirje të gjithë bizneseve e konsumatorëve më pas;
d) për vetëm marrëdhëniet biznes-qeveri, shteteve të BE u është dashur 5 vjet të zbatonin këtë proces;
e) pamundësitë e krijimit të mbështetjes me internet, me staf të kualifikuar janë tashmë evidente;
f) e pamundur që sistemi të funksionojë në gjithë territorin;
g) pengesat dhe kohëzgjatjet e procesit të lëshimit të faturës bien ndesh me lirinë e të bërit biznes, kur ka raste duhen edhe ditë të tëra për të lëshuar një faturë, kur duhen ditë të tëra të fiskalizohet një faturë importi, kur nuk mund të lëshohet dot një faturë vetëfurnizmi apo autongarkese, etj, etj, etj.
4. Ndryshimet ligjore që propozohen bien ndesh me thelbin e vete procedurave tatimore në Shqipëri. Pra mangësitë e zhvillimeve dixhitale mundohen të mbulohen me vënie në gjumë të masave ndëshkuese apo korrigjuese.
5. Mangësitë e zhvillimit të deritashëm dhe paqartësive e dilemave të ardhme mundohet t’i mbulojë me “moratorium” të çështjeve të “rrezikshme “ të vetë fiskalitetit shqiptar. Konkretisht :
- Propozohet mosndëshkim i lëshimit të faturës. Kjo masë e pamenduar fare dhe e pastudiuar, veç do rrisë evazionin, do keqësoje edukimin e tatimpaguesve, do ndëshkojë në një etapë të dytë me mijëra biznese. Vetëm, këtu nuk duhej të arrinte sistemi tatimor shqiptar. Është kthim prapa në kohë. Pra shteti vetë u thotë bizneseve , ngaqë unë nuk jam gati t’ju siguroj mbështetje “ shisni pa faturë”,
- Propozon vetë shteti që tatimpaguesit e blerësit të mos marrin faturë, të mos regjistrojnë shpenzimet, mallrat e shërbimet e marra. Pra kur nuk e regjistron në blerje mos e shit me faturë në dalje.
- Propozohet që tatimpaguesit të deformojnë skemën e autongarkesës, të vetëfurnizmit, të blerjeve nga individët, duke nxjerrë nga binarët vetë mekanizmin e aplikuar të TVSH në Shqipëri.
KONKLUZIONI DHE OPINIONI FINAL
Nga ana e Ministrisë së Financave dhe Qeverisë Shqiptare urgjentisht të bllokohet procesi i fiskalizmit. Kjo deri në një kohë kur të jetë rishikuar zhvillimi i deritanishëm, baza ligjore e deritanishme, mundësia e zbatimit të saj në kushtet e infrastrukturës shqiptare, mundësia e aplikimit të saj në kushtet e nivelit teknik e profesional të vetë administratës fiskale shqiptare, niveli teknik e profesional i stafeve të bizneseve shqiptare dhe zyrave të profesionistëve të lirë që i mbështesin ato.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.