Futbollisti i Barcelonës dhe kampioni i Juventus ndryshojnë në gjithçka – tani edhe në numrin e Topave të Artë të fituar. Por historitë e tyre kryqëzohen në një ndërtesë në Bedford Row, në qendër të Londrës ku dy yjet kanë kryer skemat e evazionit fiskal, për të cilat janë dënuar në Spanjë
Tashmë ata i ndan edhe numri i Topave të Artë të fituar. 6 për Lionel Messi dhe 5 për Cristiano Ronaldo. Ata janë të ndarë në gjithçka, rivalë të përjetshëm, dy kampionët e futbollit botëror në mënyrë të fshehtë janë të lidhur nga një adresë në qendër të Londrës.
Ky është një ndërtesë e vogël 4-katëshe, me tulla të kuqe me një derë të madhe me xham, në një rrugicë të qetë disa metra larg nga British Museum. Këtu historitë e Messi dhe Ronaldo kryqëzohen disa vite më parë, duke i çuar drejt një fati të njëjtë – dënimit për evazion fiskal në Spanjë.
Pallati i Bedford Row
Deri pak muaj më parë, në citofonin me numrin 20-22 në Bedford Row – kjo është adresa e ndërtesës – butoni i parë, poshtë, në të majtë, shkruante Couchmans Llp. Kjo është studio ligjore që ka bërë kontratën për të transferuar në vitin 2004, shfrytëzimin e të drejtave të imazhit të CR7 në Tollin, një shoqëri në Ishujt Virgjinj britanike, ku gjatë viteve janë transferuar më shumë se 70 milionë dollarë të fituara nga Ronaldo.
Ndërsa butoni sipër, në anën e djathtë, shkruante Jordans Group, një shoqëri, zyrat e së cilës ishin një kat më sipër Couchan Llp. Këtu – deri në ditën kur vendosi t’i japë fund jetës – punonte David William Waygood, i lindur më 2 nëntor 1950, administrator i 83 shoqërive ndër të cilat Sidefloor Limited, e themeluar në Londër në vitin 2007.
Shoqëria e Jorge Messi
Sipas Autoriteteve tatimore spanjolle, Sidefloor i përkiste Jorge Messi, babai i kampionit të Barcelonës. Sidefloor është në zemër të çështjes, që e dënoi Lionel Messi me 21 muaj për evazion fiskal dhe 15 muaj Jorge (dënim i pezulluar), përveç pagesës së gjobës 455 mijë euro. Lojtari akuzohej se nuk ka paguar 4,1 milionë euro taksa mes 2007 dhe 2009. Por mbi të gjitha në pagesën e 30 milionë eurove për të rregulluar taksat e papaguara në tre vitet nën hetim.
Siç shkruajnë për Der Spiegel dhe Mediapart, gazetarët gjermanë Rafael Buschmann dhe Michael Wulzinger, duke u mbështetur te dokumentet në librin “Football Leaks”, mes 2010 dhe 2016, Barcelona derdhi në llogarinë të Sidefloor (dhe pastaj në atë të shoqërisë Limecu) një total prej 10,5 milionë euro honorare për rolin e agjentit dhe për zbulimin e të rinjve të talentuar. Për autoritetet tatimore spanjolle, këto veprime fshihnin një skemë fiskale për të reduktuar artificialisht pagën e Lionel Messi.
Precedenti i Neymar jr.
Kontrata e nënshkruar mes Barçës dhe Sidefloor ishte një kopje i asaj të firmosur mes vetë Barcelonës dhe babait të Neymar junior, para transferimit të sulmuesit brazilian te Paris Saint Germain. Kontrata e Neymar është konsideruar e parregullt nga drejtësia spanjolle, i cili e ka detyruar Barcelonën të derdhë 5,5 milionë euro si gjobë për evazion fiskal. Problemet e Messit, gjashtë herë fitues i Topit të Artë, filluan në vitin 2016 kur inspektorët e Agjencisë së të Ardhurave Spanjolle nisën një kontroll fiskal në klubin katalan.
Investiguesit dyshonin për parregullsi në fondacionin e krijuar nga Lionel Messi në 2007. Fondacioni ku Barcelona derdhi disa miliona euro vitet e kaluara, është regjistruar në vitin 2013 dhe deri në atë kohë rezultonte i panjohur në autoritetet tatimore spanjolle. Por hetimi i investiguesve fiskalë u përqendrua edhe në rolin e Jorge Messi. Mes viteve 2009 dhe 2014, Barca i derdhi 6,7 milionë euro Sidefloor, që administrohej nga David Waygood.
Vetëvrasja e Waygood
Kontrata e parë e marketingut u nënshkrua me Sidefloor në vitin 2008, e rinovuar në korrik të 2013. Por ndërkohë Waygood kishte vrarë veten duke i dalë para një treni, shumë larg nga shtëpia e tij në Kent, më 27 prill. Hetimi arriti në përfundimin se vetëvrasja e Waygood lidhej me stresin nga puna.
Në vitin 2014, Jorge Messi dhe Barca nënshkruan një kontratë te re me shoqërinë Limecu, e themeluar nga babai i futbollistit. Shoqëria e ka marrë emrin nga inicialet e Lionel Messi Cuccittini… mbiemri i plotë i bomberit të Amerikës së Jugut.
Sipas avokatëve të Barcelonës, akuzat e Agjencisë së Taksave kanë një bazë dhe për këtë arsye klubi katalanas këshillon Messin të kryejë një rregullim vullnetar të taksave, e cila ka ndodhur – sipas Mediapart – në kurriz të të njëjtit klub që do t’i kishte dhënë një çmim të veçantë prej 23 milion euro “pleshtit”.
Marrëdhëniet me Autoritetet tatimore nuk kanë qenë kurrë të lehta për futbollistin argjentinas, aq i aftë sa të driblojë kundërshtarët e tij në fushën e futbollit por jo për të anashkaluar taksat përmes skemave dhe kompanive offshore.
Por kjo është e kaluara. Pasi fitoi titullin e gjashtë të “Topit të Artë” , mbase tani kampioni argjentinas mund të shohë me një tjetër sy, nga lart, kundërshtarin e tij të përjetshëm Cristiano Ronaldo. Duke harruar fatkeqësinë e njëjtë me Zyrën e Taksave të Spanjës.
*Angelo Mincuzzi
Burimi: Il Sole 24 Ore